Presidenti Gjorgji Ivanov mer dush të ftohtë në Sofje ku kishte shkuar për të takuar krerët shtetërorë, Presidentin, Kryeministrin dhe shefen e diplomacisë. Ivanov arriti të takojë vetëm homologun e tij bullgar, ndërsa kryeministri dhe ministrja e jashtme i kanë thënë jo këtij takimi.
Vetë qeveria bullgare ka konfirmuar se janë anuluar takimet e paralajmëruara të kryeministrit Bojko Borisov dhe ministres për punë të jashtme, Ekaterina Zaharieva, me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
QEVERIA E BULLGARISË
“Nuk dëshirojmë të përzihemi në çështje të brendshme të shtetit fqinjë. Pozicioni jonë është principiel dhe i qartë ashtu edhe i bashkësisë ndërkombëtare. I qartë është qëndrimi i Presidentit të Republikës së Maqedonisë. Qeveria bullgare nuk e sheh të arsyeshme të shfrytëzohet për debat të brendshëm në Shkup. Për të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit fqinj është kyçe integrimi në BE dhe NATO dhe ajo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”
Ky vendim i kryeministrit dhe kryediplomates bullgare, duket se ka irrituar shumë presidentin Gjorge Ivanov, i cili akuzoi se Bojko Borisov ka mbajtur anë dhe ka vepruar kundër qëllimeve të Bashkimit Evropian.
GJORGJI IVANOV, PRESIDENT I MAQEDONISË
“Borisov nuk është vetëm kryeministër i Bullgarisë, por edhe i vendit që kryeson me BE-në. Bashkimi Evropian ndokund promovon dialog, konstruktivitet dhe bashkëpunim, kështu që me gjestin e tij, ai po merr anë dhe nuk e realizon atë që është edhe qëllim i anëtarësimit dhe kryesimit me BE-në”
Këto komente Ivanov i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin bullgar, Rumen Radev. Ky i fundit edhe pse priti Ivanovin në takim, shprehu shqetësim për gjendjen e krijuar në Maqedoni në lidhje me marrëveshjen e re për emrin dhe i dha mbështetje kësaj marrëveshje. Ai i ka bërë thirrje Ivanovit që të mos jetë vetëm pjesëmarrës, por edhe udhëheqës në dialogun mes institucioneve në Maqedoni, sepse siç theksoi ai, kjo është kusht i rëndësishëm për arritjen e prioriteteve strategjike- anëtarësim në NATO dhe BE.
RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË
“Bullgaria e pranon marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, posaçërisht për shkak se kjo do t’i mënjanojë pengesat në rrugën e Maqedonisë në BE dhe NATO”.
Përkrahja bullgare për marrëveshjen për emrin, theksoi Radev, është e lidhur strikt me respektimin e marrëveshjes që Shkupi dhe Athina i kanë me Sofjen.