Izetbegoviç i bën thirrje botës të mos heshtë ndaj gjenocidit të Srebrenicës

Një ceremoni përkujtimore u organizua me rastin e 23-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, që pranohet si një nga tragjeditë më të mëdha të përjetuara në Evropë pas Luftës së II Botërore, ku u masakruan të paktën 8 mijë e 372 civilë boshnjakë.

Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, në fjalimin e rastit të mbajtur në fabrikën e vjetër të baterive (akumulatorë) në Potoçari i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare të reagojë tashmë ndaj mohimit çdo ditë e më shumë të gjenocidit të Srebrenicës.

Në korrik të vitit 1995, vetëm brenda disa ditëve, mbi 8 mijë fëmijë, të moshuar dhe gra u masakruan dhe u hodhën në varre masive – rikujtoi lideri boshnjak duke shtuar se një njeri normal mund ta ketë të vështirë të kuptojë kryerjen e një krimi kaq të tmerrshëm në mes të Evropës në shekullin e 20-të.

Ai theksoi gjithashtu se edhe Kombet e Bashkuara, që e shpallën Srebrenicën rajon të sigurt, nuk mundën të parandalojnë masakrat masive.

“Srebrenica do të mbetet një njollë e zezë në fytyrën e të gjithë atyre që kishin fuqinë për ta penguar, por nuk e bënë atë” tha Izetbegoviç.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Mekanizmit Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës, Olufemi Elias tha se do të vazhdojnë të punojnë me qëllim që ngjarjet e tmerrshme të 1995-ës të mos harrohen dhe të mos mohohen.

Në ceremoninë e përkujtimit nga Turqia krahas Ministrit të Drejtësisë, Abdulhamit Gül, morën pjesë edhe Deputeti i Partisë AK nga Tekirdag, Mustafa Şentop, Deputeti i Partisë AK nga Bursa, Hakan Çavuşoğlu, Deputeti i Partisë AK nga Konya, Ahmet Sorgun, Deputeti i Partisë AK nga Denizli, Ahmet Yıldız, Deputetja e Partisë AK nga Ankaraja, Asuman Erdoğan, Deputetja e Partisë AK nga Ankaraja Zeynep Yıldız, Deputeti i Partisë CHP nga Tekirdag, Faruk Öztrak, Deputeti i Partisë CHP nga Izmiri, Kamil Okyay Sındır dhe Deputeti i Partisë CHP nga Stambolli, Mustafa Sezgin Tanrıkulu./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne