Izrael – Parlamenti autorizon kryeministrin që të shpallë luftë

Parlamenti i Izraelit (Knesset) votoi të hënën në favor të një projektligji që do t’i lejojë kryeministrit të vendit të shpallë luftë në “situata ekstreme”, raportoi e përditshmja “Haaretz”.

“Kryeministrit do t’i nevojitet vetëm miratimin e ministrit të Mbrojtjes”, thekson gazeta izraelite duke mos specifikuar se sa ligjvënës votuan në favor të këtij drafti.

Kryeministri Benjamin Netanyahu bëri kërkesë për një autorizim të tillë më herët gjatë ditës së hënë. Komiteti i përbashkët i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe Komisioni i Kushtetutës, Ligjit dhe Drejtësisë e hodhën poshtë kërkesën e tij, por më vonë u votua nga plenumi i Knesset-it.

Para votimit të Knesset, Netanyahu pretendonte se shërbimi i inteligjencës izraelite kishte siguruar informacione të fshehta rreth një programi iranian të armëve bërthamore.

Netanyahu pretendoi gjatë një deklarate se shërbimet izraelite të inteligjencës kishin arritur të siguronin 55.000 faqe me dokumente iraniane që tregonin se si Teherani, sipas tij, ka gënjyer botën pas nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme të vitit 2015 për të frenuar programin e tij bërthamor.

“Irani gënjeu se nuk kishte asnjë program të armëve bërthamore; 100.000 dokumente sekrete vërtetuan se ata gënjyen”, tha ai.

Pretendimet e kryeministrit izraelit u pasuan nga një takim në fundjavë mes tij dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, pritet të njoftojë më datë 12 maj vendimin e tij nëse SHBA-ja do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Izraeli e konsideron Iranin një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e tij./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne