Izraeli arreston gazetarin palestinez, bashkëpunëtor i TRT-së në Ramallah

Ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të okupuar kanë arrestuar gazetarin e pavarur palestinez, Ibrahim Rantisi, i cili ofronte shërbime edhe për televizionin shtetëror turk, TRT në gjuhën arabe, duke u bërë gazetari i gjashtë palestinez që arrestohet nga forcat izraelite brenda një jave të fundit.

Vëllai i Rantisit, Fahri Rantisi, tha për AA se ushtarët izraelitë kanë arrestuar vëllain e tij pas një bastisjeje të shtëpisë në qytezën Rantis në afërsi të Ramallahut.

Të hënën e kaluar, forcat izraelite në Ramallah arrestuan katër gazetarë palestinezë që punonin për televizionin “Al-Quds” me qendër në Liban, ndërsa më 1 gusht në fshatin Zavata arrestuan në shtëpinë e tij një gazetar me detyrë në agjencinë e lajmeve “Quds Press”.

Komiteti për Mbështetjen e Gazetarëve, që mbledh nën një çati gazetarët dhe shkrimtarët nga bota arabe, në fillim të muajit njoftoi se numri i gazetarëve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite doli në 27, prej të cilëve dy janë të sëmurë dhe pesë mbahen nën masën e të ashtuquajturës burgim administrativ.

Sipas të dhënave të Komitetit të të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite gjenden rreth gjashtë mijë palestinezë, prej të cilëve 513 janë të dënuar me burgim të përjetshëm. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne