Izraeli dhe Arabia Saudite po negociojnë vendosjen e lidhjeve ekonomike

Arabia Saudite dhe Izraeli po negociojnë vendosjen e lidhjeve ekonomike, raportoi The Times të shtunën.

E përditshmja britanike citonte burime arabe dhe amerikane që thonë se hapat e parë drejt lidhjeve midis dy armiqve më të vendosur të Iranit do të fillonin të ngadalë, duke përfshirë lejimin e bizneseve izraelite për të operuar në Gjirin Persik dhe lejimin e fluturimeve të linjës ajrore El Al të Izraelit në hapësirën ajrore Saudite.

Por The Times gjithashtu përmendi burime pranë Arabisë Saudite që kanë thënë se marrëdhëniet e përmirësuara midis dy vendeve nuk janë gjë tjetër veçse një mendim i dëshiruar nga ana e Shtëpisë së Bardhë, pas premtimit të Presidentit Tramp për të arritur marrëveshjen e “fundit” të paqes në Lindjen e Mesme .

Raporti tha se perspektiva ka shkaktuar mosmarrëveshje në administratën Tramp. Jared Kushner, këshilltari dhe dhëndri i Trampit është afruar me Mohammed bin Salman, zëvendësprincin e kurorës së Arabisë Saudite, dhe të dy kanë thënë se kanë diskutuar mbi përmirësimin e lidhjeve me Izraelin, si një hap drejt paqes izraelito-palestineze. Përkundrazi, i dërguari i Trampit në Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt, po favorizon një qasje më tradicionale të proçesit të paqes.

Sipas raportit, palestinezët janë kundër kësaj, pasi kanë frikë se kjo do të normalizonte lidhjet midis shteteve arabe dhe Izraelit pa siguruar krijimin e një shteti palestinez.

Raporti sugjeroi se perspektiva e marrëdhënieve me Izraelin mund të ketë luajtur një rol në vendimin e Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj për të ndërprerë lidhjet me Katarin, në një përpjekje për të shtyrë shtetin e Gjirit të ndalojë mbështetjen e Hamasit.

Në maj, The Wall Street Journal raportoi se shtetet e Gjirit kanë hartuar një propozim për të ndërmarrë hapa të paprecedentë drejt normalizimit me Izraelin, nëse qeveria e Netanjahut ndërmerr veprime për palestinezët, të tilla si ndalimi i ndërtimit të vendbanimeve në pjesë të Bregut Perëndimor dhe lehtësimi i kufizimeve tregtare në Rripin e Gazës.

Më herët këtë muaj, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Avigdor Lieberman tha se përçarja diplomatike midis Katarit dhe vendeve arabe në rajon hap mundësi për bashkëpunim. Por ai gjithashtu tha se të lidhësh zgjidhjen e konfliktit me palestinezët me marrëdhëniet e Izraelit me vendet e tjera të Lindjes së Mesme është një gabim.

“Vendet arabe që prenë marrëdhëniet e tyre diplomatike me Katarin nuk e bënë këtë për shkak të Izraelit dhe jo për shkak të çështjes palestineze, por për shkak të frikës së terrorizmit radikal islamik”, tha shefi i mbrojtjes.

“… Çdo përpjekje për të lidhur çështjen palestineze me marrëdhëniet dypalëshe të Izraelit me shtetet e moderuara arabe është thjesht një qasje e gabuar. Fakti që ne kemi nënshkruar marrëveshje paqeje me Egjiptin dhe Jordaninë nuk ka të bëjë me çështjen palestineze. Ka pasur një lidhje, por pa pritur një zgjidhje. Gjithashtu këtu është e ndaluar të kushtëzohet zhvillimi i lidhjeve me shtetet e moderuara arabe me zgjidhjen e çështjes palestineze”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne