Izraeli dhe Autoriteti Palestinez arrijnë marrëveshjen për furnzimimin me ujë të bashkësive palestineze

Izraeli dhe Autoriteti Palestinez kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e ujit për të sjellë lehtësim në komunitetet e etura palestineze, një lajm i njoftuar gjatë vizitës së fundit në rajon nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme.

Marrëveshja e njoftuar nga Jason Greenblatt në Jeruzalem të mërkurën do t’i jepte territoreve palestineze rreth një të katërtën e nevojave të tyre vjetore të ujit në një masë të reduktuar.

Ministri i Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, Tzachi Hanegbi, dhe kreu i Autoritetit Palestinez të Ujit, Mazin Ghunaim ishin gjithashtu të pranishëm kur u njoftua marrëveshja.

Greenblatt tha se me marrëveshjen, Izraeli do t’i sigurojë Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës 32 milionë metra kub, ose 32.9 miliardë litra ujë në vit në të ardhmen e afërt.

Projekti i tubacionit prej 900 milion dollarësh pritet të përfundojë në pothuajse pesë vjet. Ky është pjesë e një plani më të madh që përfshin Jordaninë, për të dërguar ujë përmes tubacionit nga Deti i Kuq në Detin e Vdekur.

“Uji është një çështje jashtëzakonisht politike midis zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë,” tha Harry Fawcett i Al Jazeera, duke raportuar nga Jeruzalemi Perëndimor.

“Palestinezët e kanë bërë të qartë se ndërsa e mirëpresin këtë marrëveshje të veçantë, ajo nuk ndikon në statusin e negociatave në drejtim të zgjidhjes përfundimtare midis Izraelit dhe palestinezëve”.

Negociatorët e SHBA-së, Izraelit dhe Palestinës shpresojnë se marrëveshja mund të hapë gjithashtu rrugën për një kthim në negociatat mes dy palëve, pas rënies së bisedimeve në vitin 2014.

Palestinezët vuajnë nga mungesa e ujit dhe thonë se shpërndarja e pabarabartë e burimeve ujore favorizon Izraelin.

Ghunaim tha se 22 milionë metra kub do të shkonin në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa 10 milionë do të shkonin në Gaza.

“Kjo do të zvogëlojë vuajtjet e popullit palestinez dhe krizat që ata përjetojnë, të cilat janë rritur këtë verë,” tha ai.

Në vitin 2013, Izraeli, Jordania dhe palestinezët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për projektin e ujit që përfshinte plane për të ndërtuar një fabrikë destilimi në Detin e Kuq.

Hanegbi tha se marrëveshja e gjerë ishte “më ambiciozja” në historinë e rajonit.

“Ajo do të furnizojë me një sasi të konsiderueshme uji Jordaninë, Izraelin dhe palestinezët”, tha Hanegbi.

“Të gjithë ne në këtë dhomë dëshmuam se uji mund të shërbejë si mjet për pajtim, prosperitet, bashkëpunim, në vend që të jetë shkak i tensionit dhe mosmarrëveshjes”.

Që nga pushtimi i Bregut Perëndimor në vitin 1967, Izraeli ka futur duart në burimet ujore palestineze përmes marrëveshjeve për ndarjen e ujit, duke penguar palestinezët nga mbajtja ose zhvillimi i infrastrukturës së tyre ujore përmes regjimit të tij të planifikimit dhe lejes.

Si rezultat, mijëra palestinezë nuk janë në gjendje të kenë furnizime të mjaftueshme me ujë dhe janë të varur nga Izraeli për ujë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne