Izraeli mund të mbështetet tek ISIS që të ndalë zgjerimin iranian ne rajon , thotë raporti i inteligjencës izraelite

Një studim i ri nga një institut i studimeve strategjike i lidhur ngushtë me inteligjencën izraelite thotë se sulmet e Shtetit Islamik janë disa nga të paktat armë të mbetura që mund të mbajnë larg ndikimin iranian i cili po shtrihet nga Oqeani Indian deri në Detin Mesdhe.

“Irani, i cili më parë ka shfaqur zotësi në shfrytëzimin e çdo mundësie për të rritur pozicionin e tij si një fuqi rajonale, dëshiron të përfitojë nga vakumi i krijuar në Siri dhe Irak nga rënia e ISIS-it, për të avancuar ambiciet e tij në rajon dhe për të luajtur një rol qendror në Lindjen e Mesme”, thotë një raport prej 37 faqesh nga Qendra e Informacionit për Inteligjencë dhe Terrorizëm (ITIC).

Megjithëse është një OJQ, ITIC është pjesë e financimit nga shteti, ka një zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit dhe shpesh ka shërbyer si zëri informal i shërbimeve sekrete të vendit.
Sipas autorit kryesor të raportit, studiuesi i shquar iranian Raz Zimmt, Teherani po kërkon të stabilizojë regjimin e Bashar Assadit në Siri dhe qeverinë Shite në Irak, gjë e cila do ta ndihmonte atë që “të largojë SHBA-të” nga rajoni dhe “të përshkallëzojë kërcënimin ndaj Izraelit, duke krijuar një gjendje parandaluese “.

Veçanërisht do të përdorte korridorin e tokës nga territori Libanez, për të “shtuar aftësitë ushtarake të Hezbollahut, duke zhvilluar industrinë për prodhimin e armëve dhe krijimin e rrjeteve terroriste lokale në Golan, me qëllim krijimin e një fronti të ri për të sfiduar Izraelin “.

ISIS si shpëtim

Por Izraeli shpreson që aleanca e popullsive sunite, terroristët islamikë dhe fuqitë e mëdha botërore do të kombinohen me kaosin rajonal për të parandaluar atë që ai e konsideron si skenari më i rrezikshëm.

Ndërhyrja e Iranit në Siri i fryn flakës së konfliktit me ISIS-in, i cili ruan akoma aftësi të rëndësishme operacionale edhe pas rënies së Shtetit Islamik,” thotë raporti.

“ISIS ka të ngjarë të ndryshojë mënyrat e luftimit dhe të kthehet në taktikat guerile terroriste pas përfundimit të fushatës kundër tij në Irak. Ai mund të kryejë sulme të forta kundër automjeteve iraniane që lëvizin përgjatë korridorit tokësor,” shton ai.

Raporti përdor shembujt e sulmeve të Shtetit Islamik në Teheran në muajin qershor, gjë që rezultoi me vdekjen e 17 civilëve, për të ilustruar efektet e mundshme të rrezikshme të konfrontimit midis Iranit dhe ISIS-it.

Rruga e Teheranit është e rrezikuar edhe nga politika e jashtme gjithnjë e më shumë polarizuese e Bagdadit si dhe nga zonat sunnite dhe kurde.

“Irani është i shqetësuar nga transformimi i rajonit të Kurdistanit në Irak në një shtet të pavarur. Sipas pikëpamjes së Teheranit, kjo mund të rrezikojë integritetin territorial të Irakut, dëmton përpjekjet e Iranit për të çimentuar ndikimin mbi Irakun dhe inkurajon aspiratat separatiste mes pakicës kurde në Iran”, deklaron raporti, duke vënë në dukje se kurdët pësuan një kthim prapa pas mosnjohjes së votimit dhe përpjekjet e qeverisë për të marrë përsëri territorin.

Pengesat kryesore

Irani gjithashtu përballet me “pengesa themelore kur përpiqet të paraqitet si një lojtar i fuqishëm në sferën arabe të Lindjes së Mesme”.

“Si një vend me shumicë persiane, ai perceptohet në botën arabe dhe në mesin e aleatëve të tij, si një aktor i huaj tek fqinjët arabë. Së dyti, Irani shiit po përpiqet që ta realizojë hegjemoninë rajonale në një sferë që është më së shumti sunite “, shkruan autori, duke vënë në dukje se përpjekjet për të” maskuar “përfshirjen përmes përfaqësuesve të tij krijon forca që më pas bëhen të vështira për t’u kontrolluar nga Teherani.

Përveç kësaj, autori rendit Turqinë, Rusinë dhe SHBA-të si fuqi të jashtme që kanë ndikimin e tyre në rajon, siç është edhe rasit i borxhit të Damaskut ndaj Moskës mbi mbështetjen ushtarake, ose armiqësia e SHBA-së ndaj Teheranit.

“Përpjekjet e Iranit për të fituar ndikim në këtë arenë mund të çojnë në grindje më të mëdha me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht gjatë presidencës së Trump. Irani vështron me shqetësim aktivitetin amerikan kundër forcave të regjimit sirian dhe e sheh atë si një fazë të re në betejën për të formësuar Sirinë e ditëve pas ISIS-it dhe si një komplot amerikan, i cili synon të kufizojë ndikimin iranian”, shkruan Zimmt.

Dhe rivali më i drejtpërdrejtë ndaj Teheranit në rajon ka ende gjasa të mbetet Arabia Saudite, e cila përveç intervenimeve dhe ndërhyrjeve të saj, ka mbledhur gjithashtu Ligën Arabe për të kundërshtuar Iranin dhe ka krijuar një koalicion anti-terrorist prej 40 shtetesh që mesa duket është kryesisht një aleancë kundër Republikës Islamike.

Autori del ne perfundimin se suksesi i Iranit do të varet jo vetëm nga vetë iniciativa e tij, por edhe nga “politikat e pjesës tjetër të shtetit dhe aktorëve jo-shtetërorë që veprojnë në rajon me vendimet e tyre nëse do të lehtësojnë ambiciet e Iranit ose do të sfidojnë përpjekjet e tij”, gjë që sugjeron se Lindja e Mesme është duke hyrë në një periudhë të re të konkurrencës dhe paqëndrueshmërisë./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne