Izraeli ndalon futbollistët palestinezë të dalin nga Gaza

Autoritetet izraelite kanë ndaluar nëntë futbollistë palestinezë të udhëtojnë jashtë Rripit të Gazës për të marrë pjesë në ndeshjen finale të Kupës së Palestinës e cila duhej të luhet në Bregun Perëndimor.

Kategoria e juniorëve e klubit futbolistik Rafah, është planifikuar të zhvillojë të premten ndeshjen finale kundër ekipit Ahly al-Khalil nga Hebroni.

Anëtari i Këshillit Suprem Palestinez për Rini dhe Sport, Abdussalam Haniyye, shkroi në Facebook se futbollistëve u është refuzuar dalja nga Rripi i Gazës.

Ndërkohë, ai ka kërkuar nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA), të ndërmarrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj shkeljeje të papranueshme.

Një problem i tillë ndodhi edhe vitin e kaluar, atëherë kur finalja e kupës së Palestinës u vonua nga shkaku se gjashtë lojtarë nga ekipi i Gazës u refuzuan të udhëtonin jashtë vendbanimit.

Vendimi më vonë u pezullua, pasi paraprakisht FIFA dërgoi një ankesë zyrtare në adresë të autoriteteve izraelite./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne