Izraeli ndalon vizitat familjare për të burgosurit palestinezë

Administrata e burgjeve izraelite ndalon vizitat familjare dhe të avokatëve për të burgosurit palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Kadura Faris në një deklaratë për AA tha se zyrtarët e burgjeve izraelite kanë njoftuar organizatën ndërkombëtare Kryqi i Kuq se “Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar me grevën e urisë, janë anuluar vizitat”.

Duke e vlerësuar ndalimin e vizitave si “një praktikë ndëshkuese për të thyer grevën e urisë”, Faris tha se dje, në ditën e parë të grevës, ata të cilët iu prinë grevës janë ndarë nga të burgosurit e tjerë dhe janë dërguar në burgje të tjera dhe të izoluara.

Ndërkaq, Organizata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Administrata e burgjeve izraelite nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.

Në burgjet izraelite dje në mëngjes rreth dy mijë palestinezë filluan grevën e urisë për t’i përmirësuar kushtet e burgimit dhe për t’i dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe praktikave arbitrare të Izraelit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne