Izraeli, pengesa e vetme për një Lindje të Mesme pa armë bërthamore

Ambasadori iranian dhe përfaqësuesi i përhershëm i RII në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) z. Reza Naxhafi tha se regjimi izraelit duke gëzuar mbështetjen e SHBA-ve, është pengesa kryesore për krijimin e një Lindje të Mesme pa armë bërthamore.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë takimit të Komitetit Përgatitor për Konferencën e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Atomike (NPT) të martën në Vjenë. Përfaqësuesi i përhershëm i RII në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike nënvizoi nevojën për të çmontuar arsenalet e armëve bërthamore dhe për të krijuar rajone pa armë të tilla në të gjithë botën. Naxhafi shtoi se kjo çështje ka rëndësi të veçantë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku arsenali bërthamor i regjimit të Izraelit ka shkaktuar shqetësime dhe një kërcënim serioz kundër paqes dhe sigurisë rajonale e ndërkombëtare. Ai vuri në dukje se shumë rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe të Konferencës së Rishikimit të traktatit NPT-së e kanë shprehur këtë shqetësim dhe mungesën e zbatimit të angazhimeve për një rajon të Lindjes së Mesme pa armë bërthamore dhe tha se kundërshtimi kokëfortë i regjimit izraelit ndaj procesit të çarmatimit bërthamor është pasojë e mbështetjes së verbër të qeverisë amerikane për regjimin e Tel Avivit. Në rast të krijimit të rajonit të LM pa armë bërthamore, regjimi i Izraelit nuk do të ketë zgjidhje tjetër, veçse të bashkohet me traktatin NPT dhe të shkatërrojë të gjitha arsenalet e tij bërthamore, kështu që do të humbasë instrumentin e tij kryesor për shantazhe, agresione, shtypje dhe vazhdim të politikave të tij ekspansioniste në rajon. Përfaqësuesi i përhershëm i RII në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike tha se mënyra e vetme për të krijuar një rajon të Lindjes së Mesme pa armë bërthamore është presioni që duhet të imponohet nga komuniteti ndërkombëtar kundër regjimit izraelit për t’a detyruar atë të bashkohet me traktatin NPT dhe që të gjitha instalimet e tij bërthamore të jenë nën mbikëqyrjen e plotë të masave mbrojtëse të ANEA./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne