Izraeli përdor armë për të shtypur protestat palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Gaza

Dhjetëra njerëz u plagosën pasi protestat në mbështetje të të burgosurve palestinezë në grevën e urisë u bënë të dhunshme të premten, me protestuesit që ndezën goma dhe gjuajtën me gurë kundër forcave të sigurisë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës, granata dhe plumba.

Tubimet që përshkuan Bregun Perëndimor dhe kufirin e Rripit të Gazës u mbajtën si pjesë e të ashtuquajturës “Dita e Zemërimit”, në mbështetje të të burgosurve në burgjet izraelite, të cilët kanë qenë në grevë urie kundër kushteve të këqija të burgosjes së tyre që nga 17 prilli.

Në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, protestuesit u ballafaquan me forcat izraelite të sigurisë, duke ndezur goma dhe duke goditur me gurë ushtarët. IDF, nga ana e vet, gjuajti me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata për të çarë turmën.

Dhjetra palestinezë thuhet se janë prekur nga efektet e thithjes së gazit lotsjellës në fshatin Beit Ummar në Hebron, ku protestuesit u përpoqën të digjnin një flamur izraelit, njoftoi agjensia e lajmeve palestineze Ma’an, duke cituar aktivistët lokalë.

Së paku katër palestinezë u plagosën nga plumbat prej gome dhe tre u trajtuan për inhalimin e gazit lotsjellës në një spital lokal në zonën Bab al-Zawiya të qytetit, njoftoi Ma’an.

Një roje kufitar dhe një ushtar izraelit janë plagosur lehtë në përleshjet në fshatin Aboud, ku së paku 10 palestinezë u raportuan të plagosur, përfshirë një të qëlluar me armë.

Në përgjithësi, rreth 20 palestinezë janë arrestuar në fshatrat përgjatë Bregut Perëndimor, sipas IDF-së, siç përmendet nga Haaretz.

Ka pasur gjithashtu raporte të forcave izraelite që qëlluan pasi protestuesit u nisën drejt gardës kufitare që ndan Rripin e Gazës nga territori nën kontrollin izraelit. Kjo ndodhi në takimin ndërmjet aktvistëve dhe rojeve kufitare, pasi të dyshuarit hynë në të ashtuquajturën “zonë sterile” në kufi, njoftoi Ynetneës, duke cituar policinë kufitare izraelite.

Të paktën 11 aktivistë pësuan plagë si pasojë e zjarrit që pasoi, sipas Ministrisë së Shëndetit Palestinez,. Dy nga të lënduarit kanë qenë në gjendje të rëndë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i përshkroi protestat si “një numër trazirash të dhunshme”, duke fajësuar aktivistët palestinezë për nxitje të dhunës, në të cilën IDF u detyrua të përdorë “mjetet e kontrollit të turmës për të shpërndarë trazirat”. Megjithatë zëdhënësi nuk i konfirmoi raportet e forcave izraelite për përdorimin e municioneve të drejtpërdrejta për shpërndarjen e turmës.

Rreth 1,300 të burgosur kanë marrë pjesë në grevën e urisë, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në burgjet izraelite. Protestuesit kërkojnë të hiqet praktika e ndalimit të paligjshëm, ku të paraburgosurit mbahen në qeli pa akuza për disa muaj, të hiqen kufizimet për vizitat familjare, të sigurojnë kujdes më të mirë shëndetësor në burgje dhe mundësi për të marrë arsim të lartë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne