Izraeli përshëndet vendimin e shteteve arabe për të ndërprerë lidhjet me Katarin

Ministri izraelit i Mbrojtjes Avigdor Lieberman tha të hënën se vendimi i shteteve arabe për të ndërprerë lidhjet me Katarin, duke e akuzuar atë për përkrahjen e ekstremizmit, mund të paralajmëronte një aleancë të gjerë kundër terrorizmit duke përfshirë Izraelin.

“Nuk ka dyshim se kjo hap shumë mundësi bashkëpunimi në luftën kundër terrorit”, tha Lieberman para parlamentit izraelit në një sesion televiziv me pyetje dhe përgjigje.

“Ne pamë presidentin e Shteteve të Bashkuara të vizitojë Arabinë Saudite dhe ai foli para së gjithash për një koalicion kundër terrorizmit”, tha ai në lidhje me udhëtimin e Donald Trampit muajin e kaluar.

“Shteti i Izraelit është vërtet i hapur për bashkëpunim. Topi në këtë moment është me anën tjetër,” shtoi ai.

Të hënën, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni, Bahreini dhe Maldivet thyen të gjitha lidhjet diplomatike me Dohën. Disa gjithashtu prenë lidhjet e transportit.

Rijadi akuzoi Katarin për mbështetjen e disa grupeve, duke përfshirë disa grupe të mbështetura nga armiqtë izraelitë të Iranit, “që synojnë të destabilizojnë rajonin”.

“Është e qartë për të gjithë se shfaqja e këtij mëngjesi është vetëm një ilustrim tjetër që edhe në shtetet arabe ata e kuptojnë se rreziku i vërtetë për të gjithë rajonin nuk është Izraeli, as hebrenjtë, as sionizmi, por terrorizmi”, tha Lieberman.

Arabia Saudite tha në një deklaratë se masat e saj ishin rezultat i “shkeljeve të rënda të kryera nga autoritetet në Katar”, duke akuzuar Dohën për strehimin e “grupeve terroriste dhe sektare që synojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirë Vëllazërinë Muslimane, Daesh (ISIS) dhe Al-Kaedën”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne