Izraeli u mbyll dyert, 16 mijë afrikanët nisen drejt Europës

Izraeli njoftoi këtë të hënë anulimin e planit për të deportuar në Afrikë 16 mijë afrikanë dhe në vend të kësaj thotë se ka arritur një marrëveshje me agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët për dërgimin e tyre në Europë.

“Izraeli dhe Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara kanë arritur një marrëveshje të pashembullt për dërgimin e 16,250 në vendet perëndimore”, thuhet në deklaratën e qeverisë izraelite, pa përmendur vendet se ku do të dërgohen këta emigrantë, por që mediat vendase thonë se bëhet fjalë për vendet europiane.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu thotë se pjesa tjetër e afrikanëve, shumica prej të cilëve kanë kërkuar azil do të vazhdojnë të qëndrojnë në Izrael, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme.

Në Izrael jetojnë mbi 37 mijë afrikanë, që kanë vendosur institucionet dhe shoqërinë e shtetit të themeluar si parajsë e hebrenjve për t’u shpëtuar persekutimit, përballë një dileme morale.

Qeveria e Netanjahut ka qenë në presion të vazhdueshëm nga votuesit e saj të djathtë për dëbimin e emigrantëve afrikanë dhe në vazhdën e këtij presioni, në muajin shkurt u dorëzoi njoftimin e dëbimit 20 mijë emigrantëve meshkuj me origjinë nga vendet e Afrikës që të largoheshin nga vendi brenda 2 muajve, në të kundër do të burgoseshin.

Pjesa më e madhe e emigrantëve janë nga Sudani dhe nga Eritrea. Izraeli u ofron të gjithë atyre që vendosin të largohen një biletë avioni dhe 3500 dollarë.

Megjithatë, urdhri i qeverisë për dëbimin e 20 mijë emigrantëve u bllokua nga Gjykata e Lartë më 15 mars pas një padie të dorëzuar nga grupe aktivistësh për të drejtat e njeriut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne