Statistikat zvicerane mes viteve 2011 deri 2015 tregojnë se martesa mes një kosovareje dhe një zvicerani nuk zgjat më shumë se katër vjet. Ky është një rekord negativ.

Martesat mes pjesëtarëve të kombeve të ndryshme dështojnë më shpesh se mes një zviceraneje dhe një zvicerani. Këtë e tregon një analizë e detajuar e të dhënave statistikore mbi divorcet në Zvicër, të cilën e ka publikuar të dielën «SonntagsZeitung».

Analiza bazohet në të dhënat mes viteve 2011 deri 2015. Martesat më të pasigurta janë ato mes zviceranëve apo zviceraneve me njerëz me origjinë nga Ballkani.

Kësisoj, një martesë mes një burri zviceran dhe një gruaje nga Kosova mesatarisht nuk zgjat më shumë se katër vjet. Ky është, sipas «SonntagsZeitung», një rekord negativ. Në të kundërtën, kur një zvicerane martohet me një kosovar, bashkëshortësia e tyre zgjat mesatarisht pesë vjet.

Sipas një studimi të Universitetit të Lausannes gjasat që një martesë mes një zviceraneje dhe një zvicerani të zgjas edhe pas 20 vitesh është dukshëm më e madhe se një martesë me një migrant apo migrante nga Ballkani.

Fakti se martesat me kosovarë përfundojnë aq shpejt me divorc mund të sinjalizojë se bëhet fjalë për martesa të rrejshme për të siguruar lejen e qëndrimit në Zvicër.

Pas tri vitesh martesë qytetarët e huaj zakonisht fitojnë të drejtën për qëndrim në Zvicër. Sipas avokatit Yves Amberg, i cili është i specializuar në divorce, martesat e rrejshme është vështirë të detektohen, kryesisht kjo është çështje e ndjeshmërisë, thotë ai.

«Nëse një martesë binacionale dështon, bashkëshorti apo bashkëshortja zvicerane nganjëherë kanë përshtypjen se janë keqpërdorur nga partneri i huaj për të marrë një leje qëndrimi në Zvicër», thotë Amberg.

27