Ja si Enver Hoxha sulmonte Hrushovin në takimet me koreanët, akuza BRSS se po mbronte armiqtë

Enver Hoxha më 1961 nuk i ndalte sulmet ndaj Bashkimit Sovjetik. Në një bisedë që ai ka zhvilluar me një delegacion kinez, shihet gjuha e ashpër e tij ndaj Hrushovit dhe BRSS. Madje Hoxha ka deklaruar hapur se Kina ka politika të njëjtë me Shqipërinë.

 

10 shkurt, 1961

Të dhënat e takimit mes Enver Hoxha e Pak Kum Çol

Enver Hoxha e Pak Kum Çol theksojnë solidaritetin e miqësinë mes Koresë së Veriut dhe Shqipërisë në Komitetin qendror të partisë së punës së Shqipërisë

Pjesëmarrës: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Piro Bita dhe delegacioni i Partisë së Punës së Koresë, i drejtuar nga Pak Kum Çol.

Pas përshëndetjeve fjalën e merr shoku Enver.

Hoxha: Mirëserdhët shokë të dashur. Jemi të lumtur që ju kemi mes nesh në këto ditë historike për partinë dhe popullin tonë. Përfitoj nga rasti të shpreh falënderimet e ngrohta për popullin korean, komitetin qendror dhe veçanërisht shokun Kim Il Sum. Kam ca kohë që nuk e kam takuar dhe më ka marrë malli.

Pak Kum Çol: Kur delegacioni i partisë sonë u largua për në Shqipëri shoku Kim Il Sung na udhëzoi të përcillnim përshëndetjet më të ngrohta për partinë dhe shokun Enver. Shoku Kim Il Sum gjithashtu udhëzoi delegacionin të ndjekë me vëmendjen më të madhe zhvillimet e kongresit tuaj për të fituar sa më shumë eksperiencë, pasi është skalitur mirë në përpjekjen e gjatë dhe brutale kundër armiqve. Shoku Kim Il Sung gjithashtu na udhëzoi, anëtarët e delegacionit, të sjellim urimet e tij për partinë dhe për shokun Enver Hoxha për linjën korrekte që keni ruajtur.

Hoxha: Ju falënderojmë shumë për vlerësimin e partisë suaj. Partia dhe populli ynë kanë admirim të madh për popullin korean, dhe për shokun Kim Il Sung, dhe ju duan me gjithë zemër. Ne kemi mësuar shumë dhe vazhdojmë të mësojmë nga përpjekja juaj e patundur dhe qëndrimi heroik i partisë suaj, pasi kemi shumë të përbashkëta si në çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Vendi juaj është në krye të luftës për mbrojtjen e socializmit dhe partia koreane i ka rezistuar të gjitha stuhive dhe vazhdon të dalë fitimtare duke ndërtuar me sukses socializmin. Populli dhe partia jonë janë të ndërgjegjshëm për progresin e madh që ka bërë populli korean me në krye partinë koreane. Dhe partia jonë ka njoftuar vazhdimisht popullin për sukseset e mëdha të arritura në vendin tuaj. Ne kujtojmë me krenari vizitën e shokut të dashur Kim Il Sung në Shqipëri, dhe njerëzit ende vazhdojnë të flasin për të në uzina, fabrika, shkolla e kooperativa. Ata flasin për takimet me Kim Il Sung dhe i konsiderojnë si ngjarje të mëdha miqësie mes dy partive dhe popujve tanë. Ditët e fundit në shtypin tonë është publikuar letra e një të riu korean për nënën e tij shqiptare. I riu i shprehte nënës së tij shqiptare ndjenjat më të thella të dashurisë, frymës internacionale dhe lidhjet vëllazërore që ekzistojnë mes dy popujve tanë. I riu korean i tregonte nënës për historinë e jetës së tij. Gjatë luftës çlirimtare djemtë e nënës shqiptare ishin vrarë. Por ajo dërgoi kostumin e një prej djemve të saj të vrarë, si ndihmë për popullin korean, të cilët po luftonin kundër pushtuesve amerikanë. Kostumi i saj iu dha një djali jetim korean, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë luftës, prandaj dhe djali e konsideron veten shqiptar. Personalisht unë vazhdoj të kujtoj me dashuri e nostalgji kohën e shkurtër që kalova në Kore, dhe dashurinë e komunistëve koreanë për partinë tonë. Unë mbaj mend dhe vendet e betejave tuaja heroike, qytetet e reja dhe rindërtimin e fabrikave të shkatërruara nga lufta. Kur të kem fatin të kthehem në Kore, jam i sigurt se ajo do të ketë ndryshuar shumë pas fundit të luftës kundër imperialistëve amerikanë. Kur ne vizituam kooperativën “Miqësia Shqipëri-Kore” mbaj mend drejtuesin e saj që ishte një veteran i luftës, që kishte gjoksin plot me medalje.

Marrëdhëniet

Le të ngremë një dolli të dashur shokë për miqësinë e madhe mes nesh, për popullin mik e vëlla korean, për partinë tuaj heroike dhe për shokun e dashur Kim Il Sung. Tani vetëm dy ditë na ndajnë nga kongresi ynë. Gjatë gjithë kohës që prej kongresit të 3-të partia jonë ka luftuar kundër vështirësive me të cilat jemi përballur. Gjithsesi ne vijmë në kongresin e ri me rezultate të kënaqshme, ose më mirë të themi, me planin e realizuar. Sigurisht që në punën tonë kemi bërë dhe gabime, por sapo i kemi dalluar ne i kemi eliminuar. E rëndësishme është që partia nuk ka bërë gabime që të pengojnë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, dhe kjo ka ardhur nga fakti që ka ndjekur përherë rrugën e marksizëm-leninizmit. Rruga që ka ndjekur partia jonë e ka forcuar më shumë unitetin e saj dhe të masave, duke i edukuar me frymën internacionale proletare. Dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe partinë e madhe të Leninit nuk do të shuhet kurrë. Kjo bashkë me asistencën ndërkombëtarë i ka dhënë popullit shqiptar suksese historike. Siç e dini partia jonë ka për detyrë mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit. Në konferencën e 81 partive komuniste, me gjithë faktin se disa parti motra nuk ishin të kënaqura me qëndrimin për disa çështje, partia përmbushi detyrën e saj internacionale në interes të ruajtjes së unitetit në kampin socialist. Marksizëm-leninizmi na mëson të themi hapur opinionet tona dhe kërkojmë vetëm forcimin e unitetit të lëvizjes ndërkombëtare komuniste, sipas parimeve të marksizëm-leninizmit. Ne jemi një parti e vogël, por ishte detyra jonë të shprehnim opinionin në konferencën e Moskës. Ne dinim se pas kësaj do të kishte vështirësi, por i morëm parasysh ato dhe i pranuam sepse po mbronim marksizëm-leninizmin. Marksizëm-leninizmi na ka shpëtuar nga zinxhirët e robërisë dhe po na çon drejt socializmit, prandaj nëse shkelet ai dëmtohet jo vetëm populli shqiptar por e gjithë lëvizja komuniste internacionale. Por në konferencën e Moskës ne ishim krah për krah me partinë e Kinës, pesha e së cilës në lëvizjen ndërkombëtare komuniste është kolosale. Është e rëndësishme që shokët e partive komuniste kineze, vietnameze, koreane, indoneziane dhe shokë të tjerë të partive të vogla të shprehin opinionin e tyre. Sigurisht që shokët sovjetikë nuk ishin të kënaqur, por opinioni ynë është se ata nuk kanë të drejtë. Ata po ndjekin një linjë të gabuar, veçanërisht në qëndrimin ndaj nesh. Ne nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj BRSS dhe partisë sovjetike. Ne i kemi dashur dhe do vazhdojmë t’i duam e t’i mbrojmë, por gjithashtu duhet të zgjidhim mosmarrëveshjet tona sipas kursit të drejtë komunist. Partia jonë ka mësuar shumë nga partia juaj për aplikimin e vendosur të marksizëm-leninizmit dhe përforcimin e partisë. Përpjekjet e partisë suaj për ruajtjen e pastërtisë marksiste-leniniste kundër elementëve revizionistë e oportunistë, ka forcuar partinë tuaj heroike.

Akuza ndaj Hrushov

Problemi është se shoku Hrushov nuk e pëlqen kursin e ndjekur nga partia jonë. Ai ka marrë nën mbrojtjen e tij elementët armiq, dhe ne nuk do të lejojmë veprime të tilla. Ne ia thamë hapur këtë atij dhe shokëve të tjerë por ata nuk e pëlqyen qëndrimin e partisë sonë. Kjo nuk ka shumë rëndësi sepse kursi i partisë u aprovua nga masat, të cilat e panë që kjo është pozita korrekte marksiste-leniniste. Askush nuk përzihet në çështjet e brendshme të shokëve sovjetikë, por ata duan të përzihen në tonat dhe punojnë kundër partisë. Kur ata marrin masa kundër veprimeve tona ne nuk jemi ankuar. Shoku Hrushov nuk e pëlqen luftën që partia jonë po kryen kundër revizionistëve jugosllavë, të cilët janë armiq të betuar të internacionalizimit komunist dhe prej 20 vjetësh po luftojnë për të mundur partinë tonë. Prandaj ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse të kundërshtojmë qëndrimin sovjetik mbi çështjen. Për më tepër, partia jonë nuk mund të pranojë qëndrimin e Hrushov në Konferencën e Bukureshtit në lidhje me partinë kineze. Ai iu drejtua shokëve kinezë të kongresit me fjalët “ne mund të vazhdojmë edhe pa ju”. Nëse do të kishte dashur të kritikonte për diçka partinë kineze ai mund ta kishte bërë në mënyrë më miqësore ose duke ndjekur procedurat e njohura organizative. Prandaj partia jonë nuk është dakord me rrugën e ndjekur nga partia sovjetike në konferencën e Bukureshtit dhe më vonë në konferencën e Moskës. Është natyrale që partitë komuniste të ndjekin një rrugë të unifikuar, bazuar në leksionet e marksizëm-leninizmit, si dhe mbi deklaratën e konferencës së Moskës në lidhje me çështjet e gjera ndërkombëtare. Por meqenëse i përkasim të njëjtit kamp politik ne duhet të shuajmë këndvështrimet e ndryshme dhe të ruajmë unitetin. Çështja e vizitës që shoku Hrushov donte bënte në Kore nuk ishte thjesht nga dëshira por shprehje e pozitës që Bashkimi Sovjetik mban mbi problemin, që është një nga problemet tona ndërkombëtare ku përfshihen të gjitha vendet e kampit komunist. Ne mendojmë se Hrushov duhet të kishte vizituar Korenë shumë kohë më parë për t’i treguar imperializmit amerikan se Koreja është e paprekshme sepse prapa saj qëndroni gjithë kampi socialist. Cila është atëherë arsyeja që Hrushov nuk e kishte vizituar Korenë deri tani? Unë mendoj se ai kishte frikë se nervozonte imperializmin amerikan, i cili kërcënon vazhdimisht vendin tuaj. Ne i kuptojmë korrektësisht arsye e nxitjes së bashkë-ekzistencës paqësore, por mendojmë se kjo duhet bërë duke i treguar imperializmit, veçanërisht atij amerikan, kufijtë që ne do të pranojmë. A mos jemi të detyruar të mos shprehim mendimin tonë para miqve, por t’i pëshpëritim ato nëpër cepa të errët? Jo! Marksizëm-leninizmi na mëson të flasim hapur! Populli dhe partia juaj heroike kanë shumë merita për linjën korrekte që ruajnë, prandaj duhet të marrim mbështetjen e padiskutueshme të Bashkimit Sovjetik. Ishit ju që mundët të parët imperializmit amerikan dhe regjimin kukull të Singman Ri në Korenë e Jugut. Populli i Koresë së Jugut po e sheh çdo ditë se nën udhëheqjen e partisë dhe shokut Kim Il Sung pjesa veriore e vendit po arrin suksese të njëpasnjëshme. Kjo ishte dhe arsyeja që njerëzit në jug u ngritën, sepse qeveria e tradhtarit Singman Ri ra me turp.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne