Kompania e mirënjohur e sondazheve Gallup deklaroi se 60 përqind e shqiptarëve do të braktisnin përfundimisht Shqipërinë nëse do të kishin mundësi.

Sipas Gallup, kjo e bën Shqipërinë vendin e katërt në botë me prirjen më të lartë për emigracion. Më keq renditen vetëm dy republika afrikane, që janë Sierra Leone dhe Liberia, si dhe shteti i shkatërruar i Haitit, tre vende ku niveli i varfërisë luhatet nga 54 deri në 70 përqind, raporton Top Chanel.

E shprehur në numër popullsie, kjo do të thotë se nga 2.87 milionë banorë që ka aktualisht Shqipëria, 1.7 milionë duan të ikin jashtë.

Kjo është një prirje për emigrim më e lartë edhe se ajo e vendeve të përfshira në luftëra civile dhe shkaku kryesor, sipas qytetarëve, është ekonomia, por edhe mungesa e shërbimeve publike.

Që prej rënies së komunizmit shqiptarët kanë braktisur në masë atdheun. Por, prirja për emigracion vazhdon të jetë njësoj e fortë edhe tre dekada më pas. Ky është një fenomen i cili kërcënon të ardhmen e ekonomisë duke shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare.

Në misionin e fundit në Tiranë, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorët prioritarë si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.

18