Japoni – Autoritetet kërkojnë falje për diskriminimin gjinor në Fakultetin e Mjekësisë

Sipas lajmit të BBC-së, një hetim ndërkombëtar mbi skandalin në fjalë ka konstatuar se për të mbajtur të ulët numrin e studenteve Fakulteti ka ndryshuar rezultatet e provimit të pranimit që nga viti 2006.

Fakulteti gjithashtu e ka pranuar se i ka përmirësuar notat e 19 studentëve që kanë dhënë donacione.

Tetsuo Yukioka, një prej drejtuesve të TMU-së, u tha gazetarëve se po tradhtonin besimin e publikut dhe kërkoi falje për rastin.

Yukioka tha se vitin e ardhshëm provimet do të mbahen në mënyrë të rregullt dhe nuk do të ketë padrejtësi.

Gazeta “Yomiuri” kishte shkruar se Fakulteti i Mjekësisë së Tokios kishte ndryshuar rezultatet e provimit të pranimit në fakultet me qëllim për të mbajtur në nivel të ulët numrin e femrave.

Sipas lajmit këtë metodë Fakulteti kishte nisur ta përdorte pas rezultateve të vitit 2010, ku provimin e pranimit e kishin kaluar vetëm 38% e kandidateve.

Akuzat për manipulime të rezultateve në Fakultetin e Mjekësisë së Tokios i trajtuan në lajmet e tyre edhe mediat e tjera japoneze, agjencia “Kyodo” dhe televizioni “NHK”.

Televizioni “NHK” kishte njoftuar se rezultatet e testeve të kandidatëve femra ishin ulur me rreth 10 për qind për disa vite me radhë.

Seksioni i marrëdhënieve me publikun në Fakultet kishte bërë të ditur se drejtuesit e shkollës ishin habitur përballë këtyre lajmeve dhe se akuzat do të hetoheshin.

Ministri i Arsimit të Japonisë, Yoshimasa Hayashi e cilësoi të papranueshëm një diskriminim të tillë kundër kandidateve për mjeke, ndërsa tha se presin të shikojnë rezultatin e hetimit që do të bëjë Fakulteti para se të ndërmarrin veprime./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne