Jepen certifikatat për frekuentuesit e kurseve të shqipes në qytete të ndryshime të Turqisë

Për mësimin e gjuhës shqipe në Turqi janë hapur kurse në qytete të ndryshme të vendit, madje në shkollat ku ka kërkesë gjuha shqipe është edhe lëndë me zgjedhje.

Kurse Universiteti i Trakisë në Edirne prej vitesh ka edhe degë të Albanologjisë ku deri tani janë diplomuar shumë studentë.

Në vitin 2018 gjuha shqipe është përfshirë për herë të parë në provimin shtetëror që zhvillohet në Turqi për mbrojtjen e gjuhëve të huaja.

Të gjitha këto flasin për interesimin në rritje ndaj gjuhës shqipe në Turqi nga vet qytetarët, po ashtu edhe të vëmendjes që i kushtojnë autoritetet zyrtare këtij interesimi.

Në Ankara kurset e mësimit të gjuhës shqipe në dy nivele vazhdojnë prej vitesh në Qendrën e Kulturës Shqiptare “Sami Frashri” që administrohet bashkërisht nga Ambasada e Kosovës dhe e Shqipërisë në Ankara.

Sivjet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit u organizua të martën pasdite në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, me mirëpritjen e ambasadorit të nderuar, Z. Avni Spahiu.

Në fjalën e rastit Ambasadori i Kosovës, Z. Avni Spahiu falënderoi pjesëmarrësit në kurset e gjuhës shqipe, për interesimin dhe dashurinë që ata tregojnë ndaj kësaj gjuhe kaq të dashur dhe të veçantë.

Kjo mundësi e ofruar nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Ankara, nën kujdesin e Ambasadorit të Kosovës, Z. Avni Spahiu dhe Ambasadorit të Shqipërisë, Z. Genti Gazheli dhe një përkushtim krenari dhënës i Unionit Studentor Shqiptar, jo vetëm që kontribuon në mësimin e gjuhës shqipe në Turqi, por gjithashtu mbledh bashkë shqiptarët nga të gjitha trevat, që jetojnë në kryeqytetin turk dhe i lidh ata edhe me dashamirësit e shqiptarëve.

Me mundin dhe sakrificën e mësimdhënëses në kurs dhe njëkohësisht studente e mjekësisë në Universitetin Gazi, Irena Përmeti vijuesit e kursit të gjuhës shqipe në nivelin fillestar morën njohurit bazë dhe arritën nivelin e komunikimit ndërsa kursantët e grupit të avancuar e flasin tashmë shqipen me vetëbesim dhe rrjedhshëm.

Ceremoni të ngjashme për shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit që kanë përfunduar kurse të niveleve të ndryshëm të gjuhës shqipe janë organizuar këtë vit edhe në qytetet e tjera të mëdha të Turqisë si: Izmir, Stamboll, Bursa, etj, metropole ku kurset vazhdojnë prej një kohe të gjatë.

Në Stamboll kurset e gjuhës shqipe zhvillohen në Qendrën e Kulturës së Kosovës nën kujdesin e drejtorit të kësaj qendre, Z. Qamil Bytyçi.

Gjithashtu me një përkushtim të madh për përhapjen e gjuhës shqipe ai kontribuon edhe në mësimdhënien e kësaj gjuhe në Universitetin Teknik Yildiz (Yıldız Teknik Üniversitesi).

Kurse në Izmir, nën kujdesin e Z. Shefqet Balla kurset e gjuhës shqipe vazhdojnë prej kohësh me një pjesëmarrje të madhe. Njëkohësisht Z. Balla është edhe autori i librit metodik për mësimin e gjuhës shqipe.

Duhet rikujtuar se Ministria turke e Arsimit Kombëtar e ka vendosur gjuhën shqipe në programin arsimor të Turqisë si lëndë me zgjedhje.

Gjithashtu duhet përmendur se këtë vit u përjetua një zhvillim që u prit me shumë gëzim. Gjuha shqipe u përfshi në provimin zyrtar që realizohet në Turqi për mbrojtjen e gjuhëve të huaja.

Zhvillimet e dekadave të fundit në lidhje me mundësitë për të mësuar shqipen në Turqi janë pritur me gëzim jo vetëm nga komuniteti shqiptar që jeton këtu, por edhe nga dashamirësit e të gjitha trevave shqiptare./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne