Jeremiq: Kosova do të anëtarësohet në OKB, mund të bashkohet me Shqipërinë

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, pretendon se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, po përshpejton negociatat për demarkacionin e kufirit me Kosovën, në mënyrë që marrëveshja e Vuçiqit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, të finalizohet në katër muajt e parë të vitit 2019.

Siç raporton FoNet, Jeremiq ka thënë se “Demarkimi i kufijve do të thotë se në anën tjetër të kufirit të mbetet 90 për qind e territorit të Kosovës, por edhe pjesët jugore të Serbisë, të cilën shqiptarët e quajnë Lugina e Preshevës”.

Ai gjithashtu tha se Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, siç është Serbia sot dhe se nuk do të ketë pengesë në të drejtën ndërkombëtare për t’u bashkuar me Shqipërinë, përcjell Telegrafi.

“Kur flas për Shqipërinë e Madhe nuk flas përmendësh”, shtoi Jeremiq.

Ish-shefi i diplomacisë serbe, Jeremiq, theksoi se Serbia mund të përballet me kërkesa të reja territoriale “nëse ajo sot pajtohet që në paqe t’ia vizatojnë kufijtë e saj”.

“Vuçiq është i vetëdijshëm për këtë, por vizioni i tij për Serbinë është një ‘gardh’ i mallkuar”, thotë Jeremiq, duke shtuar se “presidenti serb është në konflikt me moralin dhe ndërgjegjen”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne