Jerusalemi si qendër e diplomacisë multilaterale

Aleati tradicional i SHBA-së, Britania e Madhe, në Asamblenë e Përgjithshme i dha dritë jeshile rezolutës së paraqitur nga Jemeni dhe Turqia, e cila shpall të pavlefshëm dhe të paefektshëm në aspektin juridik çdo vendim i cili pretendon ta ndryshojë statusin e Jerusalemit. Ky vendim e shndërron SHBA-në në një aktor të padëshirueshëm për botën arabe dhe udhëheqësit palestinezë kur është në pyetje procesi i negociatave ndërmjet Izraelit dhe Palestinës

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Konflikti ndërmjet Izraelit e Palestinës u shndërrua në qendër të vëmendjes mediatike, politike e diplomatike. Kësaj radhe çështja u ngrit mbi pikën më të ndjeshme të konfliktit, pikërisht për qytetin e shenjtë të të tria religjioneve abrahamike, Jerusalemin.

Fjalimi më 6 dhjetor i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytetit të Izraelit duket se edhe më tepër i thelloi ndasitë ndërmjet palëve konfliktuoze, por njëherazi gjeneroi një sërë reagimesh, qoftë në Bregun Perëndimor e Gaza, por edhe gjithandej nëpër botë. Sipas disa sondazheve, vetëm 16% e amerikano-hebrenjve e mbështetësin vendimin e Trumpit, 36% nga ata duan që kjo zhvendosje të ndodhë në një datë të mëvonshme, por paralelisht me zhvillimin e negociatave, ndërsa 44% nuk duan që asnjëherë të bëhet zhvendosja e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem (Aljezeera). Gjatë fushatës zgjedhore ai e kishte bërë një premtim të atillë, por megjithatë ky premtim nuk i tërhoqi hebrenjtë e SHBA-së për të votuar në favor të tij. Rezultatet treguan se 71% e hebrenjve votuan për kandidaten Demokrate Hillari Klinton, kurse vetëm 24% për kandidatin Republikan. (Pew Research Center). Evangjelistët e mirëpriten tejmase vendimin e presidenti Trump. Sipas tyre, interpretimet biblike tregojnë se posedimi i Jerusalemit nga ana e izraelitëve dhe ndërtimi i tempullit do të mundësojë ardhjen e dytë të Krishtit dhe themelimin e mbretërisë së tij tokësore. Por, kjo, natyrisht, nuk është çështje diskutimi në këtë artikull.

Për kuriozitet, fjalimi i Trump-it erdhi 50 vjet pasi që Izraeli e kishte aneksuar Jerusalemin lindor, rripin e Gazës, rrafshnaltën e Golanit dhe Sinain, si dhe 70 vjet pas rezolutës 181 të Kombeve të Bashkuara për ndarjen e territorit palestinez.

Vlen të thuhet se pjesa perëndimore e Jerusalemit kaloi nën juridiksionin izraelit pas mbarimit të luftës së parë arabo-izraelite (1948/49). Ndasitë lindje/perëndim të Jerusalemit pa dyshim se ndihmojnë në kuptimin jo vetëm të çështjes së Jerusalemit, por edhe të konfliktit në përgjithësi.

Aneksim i Jerusalemit lindor nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht, ndërsa rezoluta 478, e miratuar në Këshill të Sigurimit në vitin 1980 konsideronte se ligji i cili u aprovua në Knesset (korrik 1980) për shpalljen Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, është i pavlefshëm në aspekt të së drejtës ndërkombëtare. Pika 4 e kësaj rezolute pohon se “..ky veprim përbën një pengesë serioze për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse”. Përmes kësaj rezolute gjithashtu u bëhet thirrje shteteve, të cilat kanë vendosur misione diplomatike (ambasada, shën. ynë) në Jerusalem, që t’i tërheqin ato. Dy shtetet e fundit që i tërhoqën ambasadat e tyre nga Jerusalemi ishin Kostarika dhe Salvadori dhe atë që në vitin 2006. Aktualisht nga gjithsej 86 ambasada të akredituara në Izrael, asnjë nga ato nuk është e vendosur në qytetin e Jerusalemit. Kjo për arsye se, në sytë e komunitetit ndërkombëtar, statusi i tij është i papërcaktuar. Në dhjetorin e vitit 2016 KS-ja, përmes miratimit të rezolutës 2334 – neni 7, iu bën thirrje palëve që të veprojnë mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, si dhe të angazhohen për “zgjidhjen e dy shteteve-twostatesolution”.

Mbi bazën e kësaj formule që gëzon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, zgjidhja përfundimtare e këtij konflikti thuajse shtatëdhjetëvjeçar, do të mundësohej në rast se të dyja shtetet do t’i njihnin kufijtë reciprokë dhe se Jerusalemi do të bëhej kryeqytet i të dyja shteteve me pjesën perëndimore kryeqytet të Izraelit, ndërsa pjesën lindore kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Njëherazi ky është edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Diplomacia ruse që në prill të vitit 2017, përmes komunikatës lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, pohoi: “Moska e riafirmon mbështetjen e saj për zgjidhjen e dy shteteve… Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez… Në këtë kontekst ne e shohim Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit”.

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili punimet i zhvilloi në Stamboll për të diskutuar mbi vendimin e Trump-it dhe çështjen e Jerusalemit, në komunikatën përmbyllëse riafirmoi mbështetjen për formulën bazuar në “zgjidhjen e dy shteteve” (pika 3 e komunikatës) dhe e shpalli Jerusalemin Lindor kryeqytet të Palestinës.

Presidenti Trump tha se: “Jerusalemi është vendi i qeverisë moderne izraelite. Është shtëpia e parlamentit izraelit Knesset, si dhe Gjykatës Supreme, është lokacioni i rezidencës së kryeministrit dhe presidentit”…. dhe se “..kjo nuk është as më pak e as më shumë sesa njohja e realitetit”.

Një gjë duhet pasur parasysh – Trump-i nuk përmendi se për cilën pjesë të Jerusalemit bëhet fjalë e as edhe kufijtë. Në anën tjetër, të gjitha institucionet e lartpërmendura gjenden në pjesën perëndimore të Jerusalemit. Mospërmendja e kufijve lë hapësirë për të menduar se mos vallë presidenti Trump, përmes deklaratës, kishte në mendje zhvendosjen e ambasadës –dhe njohjen si kryeqytet të Izraelit – pikërisht në pjesën e Jerusalemit Perëndimor!?

Në bazë të fjalimit të Trump-it, SHBA-ja edhe më tej e mbështet formulën to state solution, si dhe “mos marrje qëndrim ndaj çfarëdo çështje finale të statusit”, por për dallim nga aktorët tjerë, ai nuk përmendi se cili do të jetë kryeqyteti i ardhshëm palestinez! Kjo gjuhë e Trump-it, duke mos përmendur Jerusalemin Lindor, konsideroj se u bë shkaktare e rritjes së disponimit anti-SHBA në vendet dhe institucionet e botës islame.

Edhe aleati tradicional i SHBA-së, Britania e Madhe, në Asamblenë e Përgjithshme i dha dritë jeshile rezolutës së paraqitur nga Jemeni dhe Turqia, e cilae shpall të pavlefshëm dhe të paefektshëm në aspektin juridik çdo vendim i cili pretendon ta ndryshojë statusin e Jerusalemit.

Ky vendim e shndërron SHBA-në në një aktor të padëshirueshëm për botën arabe dhe udhëheqësit palestinez kur është në pyetje procesi i negociatave ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Për presidentin francez Emanuel Macron, ky veprim e margjinalizoi SHBA-në! Duhet thënë se çdo gjë që dëmton marrëdhëniet e SHBA-së me botën arabe, i ofrohet dikujt tjetër si mundësi që të ndërhyjë në këto marrëdhënie (Jason Bush).

Në një situatë të tillë aktorët e tjerë jashtë-regjionalë ka mundësi që ta marrin rolin udhëheqës në procesion negociator. Presidenti palestinez, Mahmud Abas, me kënaqësi do të mirëpriste që rolin e ndërmjetësit ta marrë Bashkimi Evropian. Këtë ai ia shprehu edhe presidentit francez Macron gjatë vizitës në Paris. Zëvendësambasadori rus në OKB, Vladimir Safronkov, gjatë ditës kur SHBA-ja e përdori të drejtën e vetos ndaj projektrezolutës së paraqitur nga Egjipti për të dënuar vendimin e presidentit Trump, deklaroi në KS se: “Lëvizja sa më shpejt që është e mundur e negociatave të drejtpërdrejta izraelite-palestineze po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Ne jemi gati të bëhemi një ndërmjetës i ndershëm këtu.” Për diplomacinë palestineze ndërmjetës i mundshëm do të ishte edhe Kina. Për këtë shkak një delegacion palestinez u nis për në Pekin – para ca ditësh – me qëllim të gjetjes së partnerëve ndërkombëtarë për kauzën e tyre.

Rrjedhimisht, kjo bën që influenca e SHBA-së në rajon të zbehet, ndërsa, në anën tjetër, vendet e Lindjes së Mesme ta mirëpresin prezencën e aktorëve të tjerë jashtëregjionalë në zhvillimet të cilat po i përjeton rajoni./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne