nga Eric Margolis.

“Ju flet La Main Rouge”, tha zëri i ashpër në telefonin e shtëpisë tonë në Gjenevë të Zvicrës. “Në emër të FLN-së, ndalini aktivitetet tuaja ose do t’ju vrasim”. Telefonuesi misterioz e mbylli telefonin.

Isha i shtangur. La Main Rouge po i vriste mbështetësit e Algjerisë së lirë në të gjithë Evropën.

Kjo ndodhi ne vitin 1959 ku unë isha duke studiuar në Shkollën Ndërkombëtare të Gjenevës. Lufta për të çliruar Algjerinë nga 130 vitet e kolonializmit francez ishte në periudhën më të përgjakshme dhe më intensive të saj.

Si një student idealist, u zemërova nga brutaliteti i kësaj lufte në të cilën 1.5 milion algjerianë ishin vrarë nga francezët dhe nga patriotët e tyre algjerianë. Unë organizova demonstrata ku bëja thirrje për një Algjeri të lirë, shkruaja artikuj dhe përcoja në Paris mesazhe për degën e fshehtë algjerine (Front de Liberation National ose FLN).

Kërcënimi me vdekje ishte i pari nga ato shumë që unë do të merrja gjatë jetës sime, së bashku me shumë kërcënime të tjera të ashpra dhe oferta ryshfetesh për të ndryshuar qëndrimet e mija gazetareske. Por lufta e përgjakshme për pavarsinë e Algjerisë, e cila vashdoi prej 1954-s deri në 1962-in, ende mban një rezonancë të veçantë për mua edhe pse unë jam përballur edhe me 14 luftra që prej asaj kohe. Tmerret e masakrave dhe torturave të Algjerisë kanë qëndruar me mua gjatë gjithë këtyre viteve.

La Main Rouge (Dora e Kuqe), më vonë e mësuam se ishte një organizatë e fshehtë e ngritur nga inteligjenca franceze (SDECE) për të vrarë ose frikësuar mbështetësit e kauzës algjeriane, sidomos intelektualët pro-algjerianë të majtë dhe furnizuesit e armëve.

Për këtë arsye, isha tejet i kënaqur tek shihja presidentin e ri të Francës Emmanuel Macron të pranonte zyrtarisht se Franca vërtetë kishte kryer tortura sistematike në Algjeri, që ai i quajti “një krim kundër njerëzimit”. Qeveritë e mëparshme franceze i kishin mohuar krimet në Algjeri dhe i kishin censuruar raportimet dhe dëshmitë rreth tyre.

Torturat, zhdukjet dhe ekzekutimet gjyqësore nuk do të sanksionoheshin më në Francë, madje edhe në rastet më ekstreme. Macron e quajti represionin e Francës në Algjeri ‘një krim kundër njerëzimit’.

Kujtimet e luftës janë të kobshme. Dhjetëra mijëra të dyshuar algjerianë arrestoheshin gjatë natës, futeshin në burgje dhe torturoheshin, shumë prej tyre deri në vdekje si pasoje e përdorimit të gjeneratorëve elektrikë të lidhur nëpër organet gjenitale ose nga shpimet e buzëve me karfica çeliku. Rrahjet intensive dhe përdorimi i informatorëve të maskuar ishin të zakonshme. Shumë të dyshuar të FLN-së dërgoheshin nëpër gijotina.

Filmi i madh “Beteja e Algjerit” tregon për përpjekjet e egra të paratrupave franceze elitare dhe forcave të sigurisë për të shtypur rrjetin e FLN-së. “Ne i tejkaluam SS-të dhe Gestapon,” u mburr njëherë një gjeneral sadist francez.

Si rezultat i Luftës Algjeriane, tortura u përhap nëpër shërbimet e sigurisë metropolitane të Francës, madje edhe në policinë e rregullt. Ky është një rezultat që vjen gjithmonë si pasojë e përdorimit të torturës. Ajo përhapet si virusi.

Në vitin 1995 Presidenti Jacques Chirac pranoi se policia franceze dhe jo ajo gjermane, kishte grumbulluar 75,000 hebrenj francezë dhe i kishte dërguar në kampet naziste të përqëndrimit. Drejtësia franceze ishte goditur.

Sot, drejtesia franceze po e denoncon Presidentin Makron pasi më në fund po e thotë të vërtetën dhe po hap arkivat sekrete të Francës.

Si pasojë tani ngrihet edhe çështja e torturave, bërë prej forcave okupuese amerikane në Afganistan, Irak, Somali, si dhe krimet e ngjashme të bëra nga satrapët e saj Egjipti, Maroku, Arabia Saudite, Jordania dhe Izraeli. Nën Presidentin Donald Trump, SHBA po shkon pikërisht në një drejtim të kundërt nga ai i Francës. Trump dhe horrat e tij e kanë lavdëruar përdorimin dhe efikasitetin e torturës dhe kanë bërë thirrje për përdorimin e saj më gjerë dhe më intensivisht në luftërat bashkëkohore koloniale të Amerikës. Vetë shefja e re e CIA-s ka drejtuar një pjesë të programit të torturave në Azinë Juglindore.

Franca sot po pastrohet nga krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë Luftës Algjeriane. Kombet ashtu sikurse njerëzit, duhet që herë pas here ta pastrojnë shpirtin nga veprat dhe krimet e këqija, por jo Shtetet e Bashkuara ku Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi janë bërë nxitësit e torturave.

Do të jetë e vështirë për Uashingtonin që ta mbajë veten si kampionin botëror të të drejtave të njeriut ndërkohë që torturuesit e tij janë të angazhuar fort me dënimet e papërshkrueshme të të dyshuarve. Le të kujtojmë se administrata Bush-Cheney e rriti masivisht përdorimin e torturës për të provuar lidhjet e dyshuara mes Irakut të Sadamit dhe 11 shtatorit. Amerika u turpërua dhe kurrë nuk mundi ti fabrikonte “provat”.

Amerika dhe Franca janë demokraci simotra. Presidenti Macron i ka treguar Uashingtonit se si të sillet me krimin e torturës. Ne duhet të mbajmë vesh.

Epilog: Algjeria e fitoi pavarësinë e saj në vitin 1962 falë urtësisë së presidentit Charles De Gaulle. Kurse Dantoni me një mendjemprehtësi deklaroi,’revolucioni i gllabëron të rinjtë e tij’. Udhëheqësit rivalë të FLN-së filluan të vrisnin njëri-tjetrin. Lufta për pavarësi, dikur fisnike, u shndërrua në gjakderdhje. Algjeria ra nën sundimin ushtarak dhe pa tmerre të mëdha, madje edhe më të rënda sesa ato të shkaktuara vetë prej Francës./unz/Gazeta Impakt

22