Johannes Hahn fton qytetarët e Maqedonisë të votojnë në referendum

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, në llogarinë e tij në Twitter mbrëmë ka përshëndetur vendimin e Kuvendit që më 30 shtator të mbahet referendum për marrëveshjen me Greqinë.

Ai i fton të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, pasi sipas tij, bëhet fjalë për vendin e tyre dhe të ardhmen e tyre.

“Përshëndes vendimin që të mbahet referendum në Maqedoni më 30 shtator për marrëveshjen historike për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. BE mbështet këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj, si simbol i pajtimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Ftoj gjithë qytetarët e Maqedonisë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të votës. Është për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre”, ka shkruar Hahn.

Përndryshe, në seancën e djeshme deputetët e Kuvendit të Maqedonisë me 68 vota “për” miratuan propozim-vendimin që më 30 shtator të mbahet referendum për marrëveshjen me Greqinë, ndërsa qytetarët do të votojnë për pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE, duke mbështetur marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Burimi:Telegrafi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne