Nga Adem Harxhi

Të dëgjova të flisje tek emisioni “Top Story”. Të kam dëgjuar edhe në shumë mitingje elektorale. Filtrati i bisedës tuaj, plot pasion, është lufta me varfërinë, për një jetë më të mirë për shqiptarët.

Jam shokuar, kur u kam dëgjuar përsërisni me zë të lartë, “mjekësia falas është kriminale, është turp.” Kriminale është mënyra si ju e shtrembëroni problemin e shëndetësisë falas. Kur flitet për shëndetësinë falas, nuk flitet për një gjë që nuk ka vlerë, siç e interpretoni ju, por për shërbim shëndetësor për të gjithë dhe të barabartë, shpenzimet për të cilin i subvencionon shteti i përgjegjshëm dhe që kujdeset për qytetarët e tij. Shërbim shëndetësor falas do të thotë, që çdo qytetari t’i sigurohet shërbimi shëndetësor dhe atij të mos i hapen telashe pa fund dhe të varfërohet akoma më shumë, kur sëmuret me një sëmundje të thjeshtë, apo me një nga ato që kërcënojnë jetën.

Shteti në mënyrë prioritare duhet të kujdeset për shëndetin e qytetarëve të tij, ashtu siç kujdeset të bëjë rrugë, ura, të ndriçojë qytetet, ti mbajë ato pastër, të paguajë mësuesit, të mbrojë qytetarët dhe pronat e tyre nga keqbërësit, të hapë vende pune, e shumë detyra të tjera. Shëndetësia falas është një masë shumë efektive dhe e drejtpërdrejtë, për të luftuar varfërinë dhe për të mbajtur në gjendje të shëndetshme forcën punëtore të vendit. Pra problemi i mjekësisë universale dhe të barabartë është çështje koncepti dhe këtu ndryshojnë qeveritë nga njëra tjetra. Nuk ka asnjë vend në botën e zhvilluar që e ka GDP për shëndetësinë në nivelin e 2,8 % siç e ka Shqipëria. Krahasojeni me këto shifra sipas “New York Times Almanac”, 2008 : Kanadaja 9.9% të GDP e shpenzon për shëndetësinë; Franca 9.8 % , Anglia 8.0 % , Gjermani 11.1 %, Itali 8.4 % , Zvicra 11.5%.

Nuk e marr me mend ku do të rreshtohen qeveritë shqiptare në këtë listë, që e mbajtën GDP për shëndetësinë në nivelin e 2-3% për 27 vjet tranzicion dhe nuk e kuptoj, se si ju, nuk e zutë asnjëherë në gojë rritjen e GDP për shëndetësinë

Për vende me popullsi të varfër, sic është Shqipëria, shërbimi shëndetësor i blerë përmes kompanive të inshurancave, siç pretendoni edhe ju, është sistem tërësisht i papërshtatshëm, kundër interesave të të sëmurëve, veçanërisht, kundër interesave të sëmurëve rëndë dhe kronikë.

Siç dihet, tanimë, ju dhe shumë përfaqësues të së djathtës shqiptare, janë përpjekur të sjellin argumente të pabaza, për të mbrojtur sistemin e inshurancave shëndetësore dhe janë shprehur, kategorikisht, kundër mbulimin shëndetësor universal.

Shqiptarët e kanë patur shërbimin shëndetësor falas dhe janë mësuar me këtë lloj shërbimi. Këtë shërbim ju e prishët sapo erdhët në pushtet. E shkatërruat, ashtu siç keni shkatërruar dhe doni të vazhdoni të shkatërroni çdo gjë të mirë që shqiptarët krijuan gjatë Socializmit.

Kur Partia Socialiste përpiqej të vinte në pushtet në vitin 2013, sistemin e shëndetësisë falas e vuri në programin e saj. Por ajo, në katër vjet, nuk bëri përpjekje serioze për ta rivendosur këtë sistem, ajo, thjesht, e sabotoi atë, përmes të ashtuquajturave reforma (kupto konçensione), që rezultuan të ishin vetëm mashtrime dhe gënjeshtra. Ajo u përpoq që përmes privatizimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore, të arrinte shërbimin universal falas. Gjë e pamundur!

E kuptoj Z.Basha, se dështimi i Partisë Socialiste për të vendosur shërbimit universal dhe të barabartë për të gjithë, u ka dhënë juve pseudo-argumente, për të përforcuar pikëpamjen tuaj të gabuar, se shëndetësia falas është kriminale.

Kundër shëndetësisë falas kanë folur edhe më parë, përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike. Kështu në 9 Shkurt të vitit 2013, njëri nga “ideatorët” reformës shëndetësore në Shqipëri, Z. Tritan Shehu, tani kandidat i PD për deputet në Gjirokastër, në artikullin “Sistemi shëndetësor dhe “Kasapi”, e sulmoi ashpër programin e P.S për shëndetësinë. Ai, në gazetën “Panorama” bëri deklarime të pavërteta. Sa për ilustrim, nga artikulli i Z. Shehu, zgjodha paragrafin e më poshtëm:

“…..etatizëm absolut, centralizim ekstrem, slogane komuniste për një shëndetësi “falas”, gënjeshtra pa asnjë argumentim, si ato që kemi dëgjuar në atë regjim”

Diku gjetkë Z. Shehu e ka quajtur mbulimin universal, “Kthim i turpshëm në shëndetësinë publike”. Kështu e quajtët edhe juve dje në Korçë: Shëndetësia falas turp i Edi Ramës. Ju keni të drejtë. Turpi i Edi Ramës dhe PS është që ata nuk e realizuan, madje, ata e sabotuan atë që premtuan. Ta konsiderosh sistemin shëndetësor universal dhe të barabartë si kthim të turpshëm, do të thotë të hedhësh baltë mbi punën e madhe dhe sakrificat e panumërta që kanë bërë punonjësit e shëndetësisë në atë kohë. Ishin punonjësit e shëndetësisë, që u shërbyen të sëmurëve e të shëndoshëve si “shërbëtorë” të tyre të respektuar. Ishte puna vetëmohuese, plot pasion e dashuri dhe pa incentiva financiare e punonjësve të shëndetësisë, që bëri të mundur, edhe në ato kushte me mungesa të mëdha materiale, të arrinin suksese. Dhe sukseset nuk ishin të vogla. Spitalet ishin spitale, poliklinikat ishin e funksiononin si të tilla. Në çdo cep të vendit kishte mjekë e personel të mesëm. Ngado, shikoje e dëgjoje të sëmurë të kënaqur prej punës së këtyre njerëzve të përkushtuar. Është për t’u çuditur, por këto arritje të punonjësve të shëndetësisë dje, sot, i mohojnë e i anatemojnë, pikërisht, ata që përfituan më shumë nga ai sistem dhe nga ajo shëndetësi.

A mendoni vërtet, se vende si Franca, Italia, Kanadaja, Suedia, Anglia, Turqia, Japonia e shumë vende të tjera, që kanë sistem universal për kujdesin shëndetësor (secila sipas specifikave të veta), janë duke kryer vepra kriminale në fushën e shëndetit.

Nuk ka dyshim, se e gjitha kjo që bëni ju është farsë, propagandë bajate, mbrojtje e interesave financiare të një kaste në kupolë, mbrojtje e kompanive të sigurimeve; gjithnjë në dëm të qytetarëve shqiptarë.

Si qytetar, si mjek i vjetër, si pacient shumë vjeçar, shqetësohem sepse ndjej dashuri për qytetarët dhe të sëmurët. Nuk kam kurrfarë interesi e pretendimi personal e familjar në politikën shqiptare. Shumë vite më parë, Ainshtaini ka thënë dhe unë dëshiroj ta perifrazoj, “ata që e bënë një gjë keq, nuk duhet t’u besohet ta ribëjnë, sepse përsëri do ta bëjnë keq.” Madje, për mua, do të përpiqen ta sabotojnë, ashtu siç po ndodh tek ne. Ju e prishët mjekësinë, prishët karakterin e saj universal dhe të barabartë dhe tani mendoni ta rregulloni. E pamundur!.

Që të zbatohet parimi i mbulimit universal, të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, në radhë të parë, duhet të formohet bindja se ky sistem është efektiv dhe plotësisht i realizueshëm edhe në Shqipëri. Këtë bindje duhet ta ketë Qeveria, qytetarët dhe veçanërisht, punonjësit e shëndetësisë. Doktorët, klinicistët dhe drejtuesit e shëndetësisë, duhet të jenë promotorë të flaktë dhe të përpiqen ta implementojnë këtë sistem. Ata duhet të jenë të bindur për drejtësinë e këtij shërbimi.. Kjo nuk duhet kuptuar sikur ndërron flamurët që mban në duar. Kjo është çështje botëkuptimore.

Kundërshtarët e sistemit të mbulimit shëndetësor universal, që të bindin opinionin, thonë se aplikimi i sistemit shëndetësor përmes inshurancave shëndetësore është rekomandim i Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto pohime nuk janë të vërteta. Ato janë mashtrime të pizevengëve politikë.

Për të kuptuar të vërtetën, ju rekomandoj të lexoni artikullin e revistës mjekësore prestigjioze amerikane “JAMA”, (Volume 310, Nr. 9, faqe 901,të datës 4 Shtator 2013). “POVERTY, HEALTH AND SOCIETIES of the FUTURE”, të shkruar nga dy doktorë personalitete, Jim Yong Kim MD. Ph.D nga Word Bank Group, Washington. DC dhe Margaret Chan, MD nga World Health Organization, Geneva Switzerland.

Këta dy autorë, përfaqësues të dy organizatave më të rëndësishme botërore, ndryshe nga ju dhe gjithë ata që u shkojnë prapa, janë mbështetës të flaktë të sistemit shëndetësor universal, sepse ai kontribuon në eliminimin e varfërisë ekstreme kudo nëpër botë.

Për ata që nuk kanë mundësi të lexojnë artikullin e plotë në revistën JAMA, po sjell disa nga idetë kryesore të autorëve:

1-Çdo vend në botë, i ka mundësitë për të përmirësuar performancën e sistemit të tij shëndetësor, duke vendosur mbulimit universal në tre dimensionet e tij: akces, kualitet, dhe i përballueshëm (affordability). Prioritetet, strategjitë dhe planet e implementimit ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Por, në të gjitha rastet, vendet duhet t’i lidhin planet shëndetësore me të dhënat e tyre ekonomike.

2-Sistemi financiar për shëndetin, në shumë vende, zbraz xhepat e pacientëve, tamam, atëherë, kur atyre u duhet kujdesi shëndetësor. Kjo i zhyt pacientët në varfëri, në vend që t’i mbrojë nga vështirësitë financiare, kur ata, më shumë se kurrë, kanë nevojë për ndihmë.

3-Për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të ngjallur prosperitetin për të gjithë, vendet duhen të rriten ekonomikisht. Për të realizuar rritjen ekonomike, ato duhet të ndërtojnë kapitalin human përmes investimeve në shëndet, në edukim dhe në mbrojtjen sociale për të gjithë qytetarët e tyre. Për të çliruar botën nga varfëria ekstreme, duhet që deri në 2030 vendet të sigurojnë për të gjithë qytetarët e tyre akces në shërbimet shëndetësore të barabarta dhe të përballueshme. (affordable)

4- Qëllimet e mbulimit universal, koincidojnë dhe kombinohen me aspiratat që kanë doktorët dhe klinicistët, siç janë :

a-Të gjithë njerëzit të kenë akces në shërbimet shëndetësore me kualitet.

b- Të gjithë njerëzit të jenë të mbrojtur nga rreziqet shëndetësore publike.

c- Të gjithë njerëzit të jenë të mbrojtur nga varfërimi që u sjellin sëmundjet.

Ky varfërim vjen në dy mënyra: a-nga nxjerrja e parave prej xhepit, kur u duhet të paguajnë për shërbimin shëndetësor dhe b-nga humbja e të ardhurave, kur një pjesëtar i familjes sëmuret, ose aksidentohet.

5- Lajm i mirë është fakti, se shumë vende i kanë arritur këto qëllime, dhe me masat që kanë marrë, kanë arritur progres të shënuar. Turqia për shembull, e shpalli Programin e Transformimit Shëndetësor të saj në vitin 2003. Ata krijuan mundësi, ofruan akces dhe shërbime shëndetësore me kualitet për të gjithë. Në Turqi, më shumë se 95 përqind e popullsisë është e mbuluar me shërbim shëndetësor falas. Midis viteve 2003 dhe 2010, mortaliteti infantil në Turqi u ul më shumë se 40 përqind.

6- Reforma e mbulimit universal në Tailandë filloi në vitin 2001. Programi i saj e rriti ndjeshëm kujdesin shëndetësor, veçanërisht, për ata që më parë nuk kishin inshuranca shëndetësore. Që nga viti 2009, programi i ri u mundësoi më shumë se 300,000 tailandezëve, që më parë ndesheshin me kostot katastrofike të kujdesit shëndetësor, tani, të jenë të çliruar nga këto shpenzime. Tailanda, në fakt, e shpalli programin e saj të mbulimit universal, pavarësisht, shqetësimeve për aftësitë e saj fiskale, që fillimisht i ngriti World Bank Group. Udhëheqësit e shëndetësisë të Tailandës ishin të determinuar të vepronin me kurajë, për të dhënë akces për gjithë popullatën. Sot, bota mëson nga shembulli i Tailandës.

Pretendimet e Qeverive shqiptare, se kundër shëndetësisë falas janë edhe institucionet financiare botërore që asistojnë Shqipërinë, shkërmoqet me shembullin e Tailandës.

7-Sot, si kurrë më parë, ekzistojnë mundësitë për të bashkuar përpjekjet për shëndetin global dhe luftën kundër varfërisë, nëpërmjet veprimeve që fokusohen në qëllime të qarta. Të dy aspiratat madhore–e drejta për shëndetin dhe dhënia fund varfërisë ekstreme- duhet të shihen si një gjë e vetme, që mund të realizohen,vetëm, përmes mbulimit shëndetësor universal.

8- Edhe pse nuk ka një rrugë të vetme drejt mbulimit shëndetësor universal, ka një fushë shkencore, që gjeneron evidenca dhe mjete, që vendet të zgjedhin opcionet për shëndetin global. Pse nuk kërkoni ndihmën e specialistëve të kësaj fushe, por anatemoni pa të drejtë shërbimin shëndetësor falas dhe të barabartë?

9- Duke inkurajuar vendet drejt mbulimit shëndetësor universal, Grupi i Bankës Botërore dhe OBSH, ndërmarrin bashkë dhe në partneritet me të tjerë kudo në botë, dy sfida, që në thelbin e tyre, kanë të bëjnë me arritjen e qëllimit për të luftuar varfërinë dhe për të arritur prosperitet për të gjithë.

Sfida e parë. Duhet të sigurohet që asnjë klinicist, kudo në botë, nuk duhet të pranojë të përballet, akoma, me një familje që të jetë e detyruar të zhytet në varfëri, për arsye të shpenzimeve që i duhen për kujdesin shëndetësor. Sot, shpenzimet nga xhepi për shërbimin shëndetësor, detyrojnë 100 milion njerëz të bien çdo vit në varfëri ekstreme dhe krijojnë vështirësi të mëdha financiare për 150 milion të tjerë. Ky është një problem shumë i madh, siç është po aq i madh edhe ankthi i varfërimit, që i rëndon sëmundjet e tyre. Vendet mund t’i japin fund kësaj padrejtësie, vetëm, duke futur modele të financimit të shëndetësisë, që kanë të njëjtën vlerë me masat mbrojtëse sociale për familjet vulnerabile.

Sfida e dyta- Duhet të mbyllet humnera e pabarazisë që ekziston në akcesin për shërbime klinike dhe të krijohet mbrojtje shëndetësore publike për më të varfrit, që përbëjnë 40% të popullatës në çdo vend. Përmirësimi i mbulimit shëndetësor dhe rezultatet e tij tek njerëzit më të varfër të çdo vendi, janë me shumë rëndësi për të ndërtuar kapacitetet dhe aftësimin e tyre për të garuar për punë të mira, që do të ndryshojnë jetët e tyre. Mbyllja e humnerës shëndetësore është e domosdoshme për të ngushtuar pabarazinë ekonomike, për të energjizuar ekonominë e vendit dhe për të ndërtuar shoqëri në të cilat, gjithkush, ka një shans të mirë e të barabartë.(A e përfytyroni sa e tmerrshme është kjo humnerë në Shqipëri, ku disa të privilegjuar kanë luksin të mjekohen në klinikat më të shtrenjta të botës, kur shumica e popullit nuk ka mundësi të mjekohet as në kushtet e rënda të shërbimit shëndetësor shqiptar!?)

10-Ka shumë pengesa në rrugën për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe vendosjes së mbulimit universal të shëndetit. Klinicistët duhet të vazhdojnë të udhëheqin në rrugën për ofrimin e shërbimit me kualitet të lartë për pacientët dhe të kërkojnë që të gjithë pacientët, pavarësisht, nga klasa ose nacionaliteti, e meritojnë shansin për jetë të shëndetshme. Arritja e përmirësimit të shëndetit për të gjithë, kërkon që shëndeti i barabartë dhe transformimet ekonomike të ndërtohen si një strukturë e vetme, si një kështjellë ku do të strehohen jetët e gjeneratave të ardhme.

Këto janë konsideratat më të fundit të Bankës Botërore dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paraqitura në artikullin e sipërcituar.

Pas këtyre konsideratave të Bankës Botërore dhe OBSh, kuptohet se sa pa baza dhe gënjeshtare janë deklarimet që e quajnë krim dhe turp shërbimin mjekësor universal e të barabartë.

Zoti Basha, nuk besoj se do të kesh durimin ta lexosh këtë artikull. Kjo është çështje e juaja. Shpresoj, ta lexojnë sa më shumë bashkëqytetarë dhe kolegë të mi dhe ata të bëhen përkrahës të ndërgjegjshëm të shërbimit shëndetësor universal dhe të barabartë për të gjithë./ joq

18