A ka “këllqe” Bashkimi Europian?

Ka vullnet të mirë politik global kundrejt BE-së në përgjithësi, dhe politikanëve si Macron dhe Merkel në veçanti. Do të ishte me të vërtetë një moment i mirë për BE-në, që të rrokte një rol gjeopolitik udhëheqës. Ai është aty dhe pret që të merret. Por që kjo të ndodhë, BE-ja do të duhet të bëjë tre gjëra ndryshe. Shanset që të ndodhë janë zero

 

Nga Volfgang Munchau

Angela Merkel ka qenë e para që ka hedhur poshtë sugjerimet, se ajo është gati të bëhet udhëheqëse e botës perëndimore. Është e vështirë të thuash, nëse kjo dëshmon modesti të rreme apo realizëm të matur, por deklarata është e saktë. Sado të zemëruar që mund të jeni në lidhje me sjelljen e presidentit amerikan Donald Trump, apo rreth Brexit, gaboheni rëndë nëse arrini përfundime të nxituara, për ndryshime gjeopolitike të fuqive. Ashtu si komplotet, ato ndodhin herë pas here, por janë shumë të rralla.

Ka pasur shumë eufori në Evropë, pas zgjedhjes së Emmanuel Macron-it si president i Francës. Eurozona po shijon atë që duket të jetë një rikthim ciklik i madh, i pari që nga fillimi i krizës financiare 10 vjet më parë. Ka vullnet të mirë politik global kundrejt BE-së në përgjithësi, dhe politikanëve si Macron dhe Merkel në veçanti. Do të ishte me të vërtetë një moment i mirë për BE-në, që të rrokte një rol gjeopolitik udhëheqës. Ai është aty dhe pret që të merret. Por që kjo të ndodhë, BE-ja do të duhet të bëjë tre gjëra ndryshe. Shanset që të ndodhë janë zero.

Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që vendet e BE-së të ndalojnë së krijuari teprica të mëdha të llogarive rrjedhëse, si ato aktuale. Harrojeni tepricën gjermane. Është e teprica e eurozonës që ka rëndësi – në të cilën, sufiçiti gjerman është natyrisht një pjesë përbërëse. Sufiçiti i llogarive rrjedhëse të eurozonës mbeti në 3.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto vitin e kaluar.

Politikanët dhe ekonomistët evropianë priren të kenë një perspektivë prej shtetesh të vegjël. Qëllimi i tyre i shpallur, është që vendet e tyre të bëhen më konkurruese. Nuk ekziston mentaliteti i një fuqie globale. Ndoshta zhgënjimi më i madh i pothuajse 20 viteve të bashkimit monetar është dështimi për t’u larguar nga kjo mënyrë e të menduarit. Jacques Delors, ish-president i Komisionit Europian, njëherë tha se BE përbëhet nga dy lloje shtetesh anëtare – vende të vogla që e dinë se janë të vogla dhe ato që nuk e dijnë. Duhet që ta lënë pas një herë e mirë këtë.

Eurozona është padyshim e madhe – është ekonomia e dytë më e madhe në botë. Ajo çfarë bën, ka rëndësi për pjesën tjetër të botës. Por ndryshe nga amerikanët, evropianët nuk janë mësuar të mendojnë për pasojat ndërkombëtare të veprimeve të tyre. Ata që kritikojnë retorikën “America First” të Donald Trump-it, duhet të kuptojnë se vendet e BE-së kanë bërë pikërisht të njëjtën gjë, gjithmonë.

Veprimi i dytë është t’i japë fund krizave ciklike të eurozonës. Disa shtete anëtare kanë nivele të paqëndrueshme të borxhit. Sistemet bankare janë ende të dobëta. Pabarazitë brenda eurozonës janë pranë një rekordi të paprecedentë, siç dëshmohet ndër të tjera nga tepricat në rritje të Gjermanisë, në sistemin e pagesave “Target 2” të Bankës Qendrore Evropiane. Rritja ciklike nuk do të rregullojë asnjë nga këto probleme. Prania e një cikli ekonomik nuk të kualifikon për në pozicionin e një superfuqie ekonomike.

A do të arrijnë Macron dhe Merkel të “rindezin” sistemin e qeverisjes të eurozonës? Ajo që po dëgjoj nga Gjermania, është se ka me të vërtetë gatishmëri për t’u angazhuar me Macron-in. Por Gjermania e konsideron bashkimin fiskal, kryesisht si një mjet për të ofruar më shumë masa shtrënguese. Shijojeni!

Fusha e tretë që ka nevojë për vëmendje është refuzimi i vazhdueshëm i BE-së për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Nuk ka asnjë mënyrë që Gjermania në veçanti, do të përmbushë premtimin e saj për rritje të shpenzimeve të mbrojtjes, në nivelin e 2 përqind të PBB-së – politika e brendshme ka ecur në drejtimin e kundërt. Në fjalimin e saj nën çadrën e birrës në Mynih kohët e fundit, Merkel bëri thirrje që BE të bëhej më pak e varur nga SHBA. Por ajo nuk tha se kjo do të kërkonte një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes, në shumë më tepër se 2 përqindëshi i PBB-së, i cili është angazhim ndaj NATO-s.

Të tre pikat kanë të përbashkët se perspektiva e natyrshme e BE-së është që të shohë së brendshmi. Edhe në qoftë se marrim pikëpamjen më optimiste për një agjendë të rinovuar franko-gjermane, nuk duhet të themi që BE-ja është gati dhe e gatshme të marrë një rol udhëheqës global. Asnjëri udhëheqës nuk ka filluar të përgatisë elektoratin e vet, për ndryshimet që kërkohen në politikën e brendshme.

Ndërsa gjermanët përgjithësisht bien dakord me sugjerimin e Merkel-it, se BE duhet të qëndrojë mbi këmbët e veta, ata nuk do të binin dakord për as edhe një masë të vetme, që do të kërkohej për ta arritur këtë – në mbrojtje, në obsesionin me tepricat fiskale dhe në transferimin e sovranitetit.

Nga të gjitha vendet e BE-së, Franca ndoshta është më e gatshme se të tjerët në fushën e mbrojtjes, por kur bëhet fjalë për tregtinë e lirë, mund ta keni të vështirë të gjeni dallime objektive midis Trump-it dhe Macron-it.

Një nga mësimet e shumta të krizës së eurozonës, është se vakumet e udhëheqjes nuk mbushen domosdoshmërisht, sepse udhëheqja nuk është një lojë me shumën zero. Deri tani rezultati më i mundshëm i një tërheqjeje amerikane nga lidershipi global, është thjesht një udhëheqje më pak globale. / Financial Times 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne