‘Ka mbaruar përgjithmonë koha e komunizmit kur feja nëpërkëmbej gjithandej’!

Doktori i shkencave islame Mustafa Bajrami ka reaguar në lidhje me debatin e fundit rreth iftarit në Dardanë. Për këtë iftar, ditë më parë kandidati për deputet i Vetëvendosjes Sadri Ramabaja kishte thënë se është “Njëra prej ngjarjeve më antihistorike që këto ditë e prodhoi një grusht haxhiqamilësh të Anamoravës”, ndërsa për faljen e namazit të Fitër Bajramit në sheshin e Tiranës tha se është: “Karikaturë në vete”.

Në llogarinë e tij në Facebook, Dr. Mustafa ka shkruar se shqiptarët duhet të pranojnë faktin se feja është natyrë e njeriut, është realitet historik dhe se ajo nuk mund të çrrënjoset qoftë me masa represive. “Për këtë, dëshmitare e kemi historinë”, thotë Bajrami.

Në fund të shkrimit të tij ai ka ftuar intelektualët që në vend se të sulmojnë fenë, të afrohen ndaj njëri tjetrit dhe të ndihmojnë që fenë ta shndërrojnë në fuqi kreative-edukative, në fuqi prosperuese për të mirën e njeriut dhe të vendit tonë.

Më poshtë lexojeni postimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook:

Sa më shpejt që disa shqiptarë tanë ta kuptojnë realitetin e rendit të ri botërorë, të natyrës njerëzore se feja nuk mund të çrrënjoset nga shoqëritë qoftë edhe me masa represive, aq më shpejt do të pajtohen me realitetin e jetës dhe të tanishmes shqiptare. Ka mbaruar përgjithmonë koha kur feja të hidhet matanë si diçka e dëmshme, siç ka ndodhur në kohën e komunizmit. Ajo nuk është e dëmshme, është e mirë dhe e dobishme. E dëmshme bëhet kur keqinterpretohet nga njerëzit e fesë dhe kur keqpërdoret nga njerëzit e politikes.

Së këndejmi, marr guximin t’i këshilloj sidomos ata që ndjejnë se janë ateistë të kuptojnë se nuk do t’ia dalin të nëpërkëmbin fenë. Shoqëria jonë e posaçërisht disa qarqe të caktuara dhe fatmirësisht të izoluara që janë, në vend të qasjeve komuniste mbi fenë, t’i provojnë ato më të mirat; Të na ndihmojnë në bërjèn e fesë fuqi kreative-edukative, fuqi prosperuese dhe ta vëmë në shërbim të njeriut tonë, në shërbim të këtij nënqielli. Në të kundërtën, polarizimet do të thellohen dhe do të jenë të dëmshme…!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne