Kalin: Mjerisht, bota funksionon ndryshe kur viktimat janë palestinezë dhe autorët izraelitë

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, deklaroi të enjten se zullumet e Izraelit në Jerusalem vazhdojnë prej tashmë 70 vitesh.

I ftuar në transmetimin direkt të një radiostacioni privat, Kalin bëri vlerësime të rëndësishme në lidhje me rendin e ditës.

Ai u ndal fillimisht mbi masakrën e Izraelit të 14 majit ndaj palestinezëve, që protestonin transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel-Avivi në Jerusalem.

“Ka një zullum të madh dhe një padrejtësi kolosale 70-vjeçare në çështjen e Jerusalemit. Realisht, këtë e sheh e gjithë bota. Ne po shohim gradualisht përmasat e reja të kësaj. Tashmë masakra e 14 majit ka hyrë në histori si ‘e hëna e përgjakur’. Kjo është regjistruar tashmë në faqet e historisë”, tha zëdhënësi i Presidencës turke.

Ibrahim Kalin vuri në pah gjithashtu se transferimi i Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem është një gabim historik.

Sipas tij, politika e administratës së Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, sidomos për çështjen e Palestinës, ka falimentuar moralisht e politikisht që prej asaj dite dhe tashmë s’ka më mundësi që administrata amerikane të jetë një ndërmjetësuese asnjanëse në procesin e zgjidhjes me dy shtete, gjë që e shprehin haptazi edhe vet palestinezët.

“Tani – thonë palestinezët – ne s’i shohim amerikanët si ndërmjetësues, ne s’do të kemi më punë me ta”, shtoi ai.

Kalin bëri me dije se të besuarit e Trumpit janë duke hartuar prej muajsh një plan të ri për Lindjen e Mesme.

Megjithatë – vijoi nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë – Shtëpia e Bardhë nuk ndan kurrfarë informacioni me askënd kur i pyesim zyrtarët e saj në lidhje me këtë çështje.

Në vazhdim, Kalin potencoi se ditën e ngjarjeve të 14 majit, ekranet televizive transmetonin në njërën anë festimet në Ambasadën e SHBA-së dhe në anën tjetër imazhet rrëqethëse të masakrimit të njerëzve në kufirin e Gazës.

“Kjo është një tablo e turpit dhe kjo tablo e turpit është shkruar në historinë izraelite dhe amerikane. Pikërisht ky është falimentimi moral”, tha ai.

Zëdhënësi Kalin rikujtoi më tej se kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, është tashmë në vitin e tretë të Presidencës së Radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe gjatë kësaj periudhe janë mbajtur disa samite të jashtëzakonshme për Jerusalemin.

“Në thelb, Tayyip Erdogani është tani për tani shërbëtori më i madh i Jerusalemit faktikisht; ai është një lider që me të vërtetë i rreh zemra dhe punon natë e ditë për të”, u shpreh Kalin.

Pasi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e ruajtjes së statusit fetar dhe historik të Jerusalemit, nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë vijoi me këto fjalë: “Nëse ne këtu do të bënim një lëshim fare të vogël apo do të nguronim sadopak, besomëni që pas 20-30 vitesh s’do të mbetej më as një qytet i quajtur Jerusalem, as një vend i shenjtë me emrin Xhamia al-Aksa. Kaq e rëndësishme është kjo çështje!”

Ai potencoi se me rëndësi maksimale është gjithashtu dërgimi i Forcës Paqeruajtëse për të mbrojtur Palestinën dhe palestinezët.

“Kur e shikoni nga këndvështrimi i palestinezëve, ata nuk kanë asgjë. S’kanë ushtri, as polici, as armë dhe as ushtarë; ndërsa përballë ata kanë ushtrinë më të pamëshirshme të Lindjes së Mesme, kanë një ushtri izraelite të pajisur me armatime amerikane, e cila posedon gjithashtu armë bërthamore dhe bombë atomike. Nga viti 1947 e këtej janë vrarë dhjetëra-mijëra palestinezë, vetëm gjatë muajit të fundit janë masakruar qindra dhe plagosur mijëra palestinezë, ndërkohë që mijëra të tjerë po kalben në burgje. Sikur një tragjedi e tillë të kishte të ngjarë në një vend tjetër të rruzullit tokësor, Forca Paqeruajtëse do të ishte dërguar atje me kohë. Por, mjerisht, bota funksionon ndryshe kur viktimat janë palestinezë dhe autorët izraelitë”, vlerësoi zëdhënësi Ibrahim Kalin./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne