Kalin: Pretendimet kinse Turqia ka në shënjestër kurdët janë krejtësisht jashtë logjikës

Ibrahim Kalin tërhoqi vëmendjen përmes një komunikate me shkrim se synimi i Turqisë në luftën kundër terrorizmit është garantimi i sigurisë kombëtare, sigurimi i paqes dhe stabilitetit rajonal.

Duke rikujtuar se Turqia është vendi i vetëm anëtar i NATO-s që lufton në të njëjtën kohë kundër organizatës terroriste PKK dhe zgjatimeve të saj PYD dhe YPG në Siri, si dhe kundër organizatave terroriste DAESH e FETO, Kalin vuri në pah se në luftën e saj kundër terrorizmit, Turqia do të jetë në koordinim me aleatët dhe vendet e rajonit, si dhe do të zbatojë në mënyrë të vendosur politikat e saj të domosdoshme për sigurinë kombëtare.

Kalin tha se parimi “do të jemi të pranishëm edhe në terren, edhe në tavolinë” i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tregon në mënyrë të qartë se për interesat kombëtare janë të hapura edhe rrugët ushtarake, edhe ato diplomatike.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë theksoi se qëllimi i vendit të tij është të spastrojë të gjitha organizatat terroriste nga Siria, të mbrojë integritetin territorial të këtij vendi dhe të garantojë kushte politike dhe shoqërore që do të mundësojë kthimin e civilëve në atdhe duke garantuar jetën e tyre.

“PYD/PYG-ja, e cila vepron me një agjendë separatiste nën maskën e luftës kundër DAESH-it, është fraksion i organizatës terroriste PKK në Siri dhe nuk mund të përfaqësojë kurdët. Të pretendohet se një organizatë terroriste përfaqëson kurdët, para së gjithash është mungesë respekti ndaj vëllezërve tanë kurdë. Një tjetër synim i Turqisë në luftën e saj kundër PKK-së dhe zgjatimeve të saj në Siri, është të shpëtojë kurdët nga persekutimi dhe shtypja e kësaj organizate terroriste, të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës së tyre”, theksoi Kalin.

“Pretendimet kinse Turqia ka në shënjestër kurdët janë krejtësisht jashtë logjikës. Turqia synon organizatat terroriste DAESH dhe PKK/PYD/YPG. Çështja është përpjekja e PKK/PYD/YPG-së për të persekutuar kurdët që nuk i nënshtrohen asaj dhe aktet terroriste që ajo ndërmerr ndaj vendit tonë. Ndërsa një organizatë terroriste nuk mund të jetë aleati i SHBA-së, është e vetëkuptueshme”, shtoi ai.

Më tej, Kalin potencoi se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës, për garantimin e sigurisë dhe zbatimin e procesit të tranzicionit politik pa bërë asnjë dallim fetar, etnik ose sektar në mesin e vëllezërve të saj sirianë.

John Bolton, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, deklaroi të dielën se tërheqja e trupave amerikane varet nga disa parakushte. Ai tha se tërheqja amerikane nga Siria varet nga fitorja e plotë mbi organizatën terroriste DAESH dhe nga marrja e garancive nga Turqia se do të mbrohen të ashtuquajturit “luftëtarë kurdë”, duke iu referuar organizatës separatiste terroriste PKK/PYD/YPG./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne