Kalin: Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin, “pikë thyerjeje” në historinë e Lindjes së Mesme

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, kritikoi mbrëmjen e së shtunës vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Jerusalemin duke e quajtur atë “një pikë thyerjeje” në historinë e Lindjes së Mesme.

I ftuar special në një kanal televiziv privat, Ibrahim Kalin deklaroi se Izraeli, me presionin e ushtruar ndaj palestinezëve, është duke përgatitur terrenin për një operacion perceptimi.

Ai theksoi se çështja në fjalë nuk u përket vetëm arabëve apo myslimanëve.

“Kjo çështje, pra, Jerusalemi dhe statusi i tij, ka të bëjë me të krishterët, hebraikët dhe myslimanët; pasi atje janë traditat historike të tyre. Jerusalemi dhe rrethinat e tij kanë qenë për shekuj me radhë një vend bashkëjetese paqësore për tri fetë hyjnore. Kur ju tentoni që ta minimizoni atë në një fe të vetme dhe t’ia vini në dispozicion vetëm një kombi duke paraqitur këtë motiv politik apo atë justifikim fetar, atëherë eliminoni mbi të gjitha parimin e drejtësisë, gjë kjo që shkakton tensione të tjera”, u shpreh zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

Më tej, Kalin u ndal mbi viktimat si pasojë e dhunës së forcave izraelite ndaj palestinezëve duke tërhequr vëmendjen mbi provokimin e bërë në territoret e pushtuara të tyre.

“Saktësisht kjo vorbull është ajo çfarë ata duan në të vërtetë. Do të përpiqen që këtë t’ia paraqesin botës si ‘dhunë palestineze, arabe apo islame’ dhe nëpërmjet saj do të bëjnë çmos për të thelluar pak më shumë perceptimin: ‘Ne jemi njerëz të civilizuar, që luftojmë kundër grupeve fundamentaliste të dhunshme.’ Duhet të veprojmë me kujdes që ky operacion perceptimi të dështojë”, paralajmëroi ndër të tjera zëdhënësi Ibrahim Kalin./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne