Kallën: Kujt i ka bërë më shumë dëm ISIS-i, myslimanëve apo perëndimit?

Zëdhënësi i Presidencës Turke, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın) tha se nga terrori janë dëmtuar më shumë myslimanët.

Në vlerësimin e bërë për një kanal televiziv privat, Ai tha se vendet perëndimore zbatojnë standard të dyfishtë ndaj terrorit.

“Nëse organizatat terroriste marrin në shënjestër drejtpërsëdrejti vendet e tyre atëherë kjo kthehet në një gjendje emergjente dhe globale. Nëse këto vende nuk merren në shënjestër, por vende të tjera përballen me terrorin, atëherë kjo është çështje e brendshme e këtyre vendeve” tha Kallën.

Ai bëri të ditur se organizata terroriste DAESH godet edhe vendet perëndimore edhe vendet myslimane dhe shtoi: “DAESH në 3 vitet e fundit ka shkaktuar më shumë dëme në vendet myslimane. Kur vëmë re vendet që ka shkuar, qytetet që ka pushtuar, njerëzit që ka robëruar dhe kur shohim se sa njerëz ka vrarë, vëmë re se janë vrarë shumë myslimanë. Dhe kjo bëhet shkak për të shtruar pyetje ose për të vënë në pikëpyetje. Por në kohën që DAESH-i filloi të vërë në shënjestër vendet perëndimore, kur filloi me akte terroriste në Paris, Spanjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, atëherë terrori i DAESH-it u kthye në emergjencë dhe çështje globale”.

Duke nënvizuar se vendet perëndimore bëjnë diferencim ndërmjet organizatave terroriste, Kallën tha: “Organizata separatiste terroriste PKK është në listën e organizatave terroriste të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por shihet si një çështje e Turqisë. Si rrjedhojë, për sa kohë që PKK-ja nuk merr në shënjestër perëndimin, nuk i vihen pas kësaj çështjeje me emergjencë dhe me të njëjtën ndjeshmëri dhe nuk do ta bëjnë këtë. Ne këtë e pamë. Për këtë arsye ne luftojmë në kuadër të interesave dhe prioriteteve tona kombëtare. Përparësia jonë (në luftën kundër terrorit) janë kufijtë tanë dhe siguria jonë” tha Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne