Kam te puna

Kam te puna gjithçka që lypset për të ndrequr biçikletën, sobën, rubinetën, këpucët; çelsa, kaçavida, llamarina, çekiça, sholla, lëkura, ngjitëse, gozhda, thumba.
Kam te puna materialet dhe veglat që më duhen për të bërë një skaldabanjë; dy tuba çeliku kooncentrikë mes të cilëve nxehet uji nga poshtë me vajguri. Kur ndizet skaldabanja gjëmon si tank, ulërin si sirenë. Le të ulurijë si të dojë kryevepra inxhinierike e higjenës shtëpiake të Shqipërisë diktatoriale. Uji i ngrohtë zhulin ma heq, morra nuk më lë të zë.
Kam te puna makineri metalprerëse ardhur nga Kina; torno, frezë, tranxhë, saldatriçe. I shfrytëzoj si ma do kokrra e qefit gjithato makina. Riparoj, bëj, madje dhe shpik gjëra me të ik menia, gjëra që s’më duhen, pa asnjë shkak, kot, me u gjin Kola n’pun.
Kam te puna tuba bakri, tuba hekuri, pllaka alumini, vida dhe dado nga më të ndryshmet për të ndërtuar antena dhe kanoçe për veten dhe për miqtë për të parë televizione borgjezo revizioniste.
Kam, jo te puna ime, te puna e një miku në Vlorë në Pashaliman, te nëndetset, zhivë për ta futur brenda tubave të bakrit që ta shoh sa më mirë në televizor propagandën kapitaliste me të gjitha variacionet e saja diabolike.
Kam te puna mundësinë të kqyr dhe të kënaqem me galerinë e surretërve më të skëterrshëm të rracës njerëzore; vrasësësit e filmave, intrigantët e dramave, spiunat e romaneve, iriqët e nëntokës, zhabat e kënetave, nëpërkat e moçaleve, gjarpërinjtë e ferrave.
Kam te puna mensë ku mund të pi kafe çikoreje, të ha çorbë me yndyrë derri që e sjellin me bidona, revani kake, ëmbëlsirë balte.
Kam te puna një sekretar partie që me ja shtyp kokën pas muri, e ka pak.
Kam te puna një Drejtor që me ja ça fytin me biçak, i bën nder.
Kam te puna nja katër a pesë llapaqena që hiqen për “çuna të mirë”, fërshëllejnë melodira, flasin për kanconeta, bëjnë sikur ndjekin modën, por janë spiuna.
Kam te puna mbledhjen e kolektivit ku të njëjtit edepsëzë ngrihen e flasin, për partinë, vigjilencën, bllokadën, rëndësinë e parimeve, kritikat e drejta, autokritikat e thella, shpallin tejkalimin e planit, përcaktojnë objektivat, numurojnë sukseset, paralajmërojnë rreziqet.
Kam te puna një goc që vetëm pse ësht e bukur dhe mundohet të vishet me stil, i thonë kurvë.
Kam te puna ca gra që mbidhen çdo mëngjez rreth furrnellës, thekin bukën, zjejnë kafe me xhezve, shohin fatin te llumi i filxhanit, tregojnë ëndërrën që panë mbrëmë, pyesin njëratjetrën çfarë ndjell ajo ëndërr. Ka mes atyre grave edhe komuniste, edhe spiune, që denoncojnë për çdo gjë, por për llum kafeje dhe ëndërra kurrë.
Kam te puna një mik që më thotë; Edhe në Epokën e Gurit në krye të kopesë zgjidhnin atë që e hidhte sa më larg shigjetën, vriste sa më tepër egërsira kur dilnin për gjah, bënte sa më tepër zhgarravina mbi shkëmb brenda shpellës. Kopeja e këtyre vë në krye atë më të paaftin, më të ligun, më zemërziun, më shpirtqenin.
Kam te puna një Mike që nuk dëgjon mirë nga veshët. Më tha një ditë Mikesha; Babai më sugjeroi “Mos i bëj operacion veshët. Nuk po thonë asgjë që ja vlen ta dëgjosh”.
Kam te puna një nofullshtrembër të vrërët që ka qënë qitës i skuadrës së pushkatimit. I ka mbetur mbi ballë nga koha jur pushkatonte një rreth i vogël i errët. Kush do ta shohi rrethin e zi, e sheh. Kush nuk do ta shohi nuk e sheh.
Kam te puna një besimtar musliman që mban Ramazan, falet, dhe për planet pesëvjeçare, garat, objektivat, parakalimet, brohoritjet, s’i rruhet fare.
Kam te puna ca ndyrësira që besimtarin e urtë e tallin dhe e kërcënojnë se do ta denoncojnë, por nuk e kanë bërë kurrë.
Kam te puna një ish-prift që nuk dihet çfarë strategjishë diplomatike përdor për të arritur ta ruajë një masë respekti te të gjithë, edhe te komunistat dhe spiunat.
Kam te puna një goc aq tërheqëse sa s’ka lënë beqar pa ndezur dhe të martuar pa e dëshpëruar, dhe është bërë dashnorja imagjinare e të gjithëve.
Kam te puna Zërin e Popullit që na e lexon çdo mëngjez një halabak.
Kam te puna një mik me të cilin flasim fshehtas për filmin që pamë mbrëmë në një televizion të huaj, për intervistën që dha para një jave një politikan perëndimor ku përmendi shkarazi Shqipërinë dhe Kosovën.
Kam te puna një mik me të cilin qeshim me Zërin e Amerikës që me dhjetra vite nuk tha kurgjë sepse ka qënë, dhe është, peng i Sigurimit.
Kam te puna disa legena, që kur të shembet diktatura do bëhen demokrata.

 Edison Ypi 20 shkurt 2018

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne