“Kam trajtuar të njëjtat plagë në Aleppo” – mjeku sirian që shpëton jetë në Mançester

Një kirurg i vendosur për të operuar viktimat e plagosura nga bombardimet vetëvrasëse të së hënës në Mançester ka punuar më parë si vullnetar dhe ka kryer proçedura të ngjashme në spitalet e Sirisë që mbahet nga rebelët.

Dr. Mounir Hakimi, një kirurg në një spital në Lancashire, tha për Middle East Eye se ai ishte caktuar për të kryer një operacion mbi një pacient të ri të plagosur në sulmin vdekjeprurës.

“Unë kam trajtuar pikërisht të njëjtën plagë në Siri”, tha Hakimi, i lindur në Britani të Madhe, por i rritur në Siri.

Hakimi drejton Syria Relief, një organizatë bamirëse që ka ofruar trajnime për mjekët sirianë për t’i mësuar ata si të shpëtonin jetë gjatë gjithë vendit të shkatërruar nga lufta.

Ai tha se kishte trajtuar po viktimat e sulmeve të grupit të Shtetit Islamik (ISIS), ndërsa ishte në Siri.

ISIS mori përgjegjësinë për bombardimet e së hënës që vranë 22 vetë. Autoritetet e kanë identifikuar bombarduesin si 22-vjeçari Salman Ramadan Abedi, një britanik me prejardhje libiane.

Dr. Hakmi tha: “Është zemërthyese të shohësh gjakderdhje, fëmijët e pafajshëm nuk duhet të paguajnë çmimin e terrorizmit”.

Duke përshkruar sfidat e operimit nën kërcënimin e sulmeve ajrore në Siri, Hakimi tha: “Në Siri nuk kishe shumë kohë, dhe ne na duhej të përdornim sedativët si një formë e lehtë e anestezisë.

“Në Mançester kam deri nesër për të operuar dhe kam teknologji të përparuar. Pacienti mund të ketë anestezi të përgjithshme”.

Ai shtoi se spitalet britanike ishin të pajisura mirë për t’u përballur me raste masive të viktimave, dhe se ai kishte trajnuar mjekët në Siri për t’u marrë me incidente të mëdha, bazuar në modelin NHS.

Një spital i Syria Relief në Idlib u bombardua nga një sulm ajror i qeverisë siriane muajin e kaluar.

Spitalet e financuara pjesërisht nga Syria Relief përfshijnë spitalin në Bab al-Hawa në kufirin siriano-turk, një nga qendrat më të ngarkuara mjekësore në Sirinë veriore, e specializuar në kujdesin mjekësor për fëmijët dhe që merret me rreth 11,000 pacientë në muaj.

“Spitali u ofron pacientëve një vend të sigurtë dhe të pastër për t’u restauruar, duke vepruar me standarde të ngjashme higjienike në një spital të NHS në Britani të Madhe”, thotë faqja e Syria Relief.

Në janar Dr. Hakimi ishte në Siri duke operuar viktimat që ishin evakuuar nga Aleppo lindor i mbajtur nga rebelët, si pjesë e një marrëveshjeje gjatë së cilës qyteti u kthye në kontrollin e qeverisë siriane, pas muajsh luftimesh dhe sulmesh ajrore.

Faqja e internetit e Syria Relief përshkruan se si Dr. Hakimi dhe një tjetër kirurg britanik, David Nott, trajtonin një jetime pesë muajshe të plagosur, krahët dhe këmbët e së cilës ishin copëtuar gjatë granatimeve që vranë prindërit e saj.

Hakimi dhe Nott gjithashtu kanë punuar me mjekët sirianë si të ashtuquajtur “mjekë hije”, duke ofruar këshilla në kohë reale për kirurgët në zonën e luftës përmes Skype ose ËhatsApp, ndërsa kryenin operacione komplekse. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne