Kamenos dërgon shqiptarët të vriten me turqit, dëshmi rrëqethëse nga kufiri

Situata është tensionuar shumë mes Greqisë dhe Turqisë gjatë muajve të fundit me fërkime të vazhdueshme në det, ajër dhe tokë.

Grekët dhe turqit nuk kanë ndarë ende hesapet mes tyre për disa ishuj në Egje, ndërsa problematikat e brendshme të të dyja qeverive u japin edhe më tepër shtysë që të rrisin artificialisht tensionet jashtë.

Gjatë ditës së djeshme, rojet kufitare turke arrestuan pjestar të ushtrisë greke në zonën kufituare mes dy vendeve në lumin Evros (turqit e thërrasin Meriç). Në dukje është një ngjarje e zakonshme që më parë është zgjidhur brenda pak orësh, por kësaj radhe situata ndryshon.

Albeu.com kontaktoi që në mëngjes me djem shqiptar që shërbejnë në ushtrinë greke, pikërisht në zonën kufitare me Turqinë ku edhe ndodhi incidenti duke marrë një informacion paraprak se njëri prej ushtarëve të arrestuar dyshohej ishte me origjinë shqiptare, i cili më pas rezultoi i pavërtetë.

Duket e pabesueshme, por janë shqiptarët ata që po mbrojnë grekët nga rreziku turk dhe kjo nuk po ndodh aspak rastësisht.

Kjo, pasi mësuam se 40 për qind e ushtarëve që gjenden në zonën mes Turqisë dhe Greqisë janë pikërisht djem të familjeve shqiptare që kanë emigruar në shtetin helen vite më parë.

“Këtu ku jemi ne, në kufi me Turqinë, në Evros, jemi 40 për qind shqiptarë. Grekët kanë miq dhe rrinë në Athinë, kurse neve na sjellin në kufi me Turqinë, në kulmin e tensioneve. Me sa kam mësuar këtu, kjo është politikë e ministrit Kamennos, i cili drejton një parti nacionalistësh dhe na ka vendosur në shënjestër të gjithë shqiptarëve që kanë pasaporta greke”., – rrëfen për Albeu.com një i ri shqiptar që shërben në ushtrinë greke.

“Kohët e fundit situata është përkeqësuar shumë. Kur u bë ajo përplasja me anijen (një anije turke goditi anijen greke në ishujt Imia sh.r) na dërgonin çdo ditë me tanke, raketa dhe armë të rënda në vijën e kufirit”.

“Nga oficerët këtu trajtohemi mirë, por 95 për qind e shqiptarëve që bëjnë ushtrinë në Greqi sillën të shërbejnë në kufi me Turqinë”., vijon ai rrëfimin.

Mësohet se toga e fundit e rekrutëve të rinj të dërguar në zonën kufitare përbehej nga 8 shqiptarë dhe vetëm 4 grekë.

Shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm në ushtrinë greke, për të cilët gjendja është përkeqësuar me ardhjen e Panos Kamenosit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me t’u rekrutuar, ata dërgohen në zonën më problematike të Greqisë, siç është pikërisht kufiri greko-turk ku edhe rreziku i ndonjë konflikti është tepër i madh me ashpërsimin e gjuhës nga Ankaraja zyrtare. /albeu

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne