Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, pritet që mbrëmjen e sotme të arrijë në Kosovë. Pas një vizite në Serbi, kancelari austriak në Kosovë do të zhvillojë edhe disa takime me udhëheqësit e Kosovës, përgjatë ditës së martë.

Ai pritet të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Sipas APA temat të cilat do të diskutohen në këto takime janë: Çështja e dialogut Kosovë-Serbi, perspektiva evropiane e Kosovës si dhe çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Po ashtu, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë do të zhvillojë takime edhe me ushtarët austriakë të KFOR-it.

Në njoftimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit të Austrisë u tha se ai gjatë vizitës në Serbi dhe Kosovë do t’i japë mbështetje procesit të afrimit të vendeve të Ballkanit me BE-në dhe të inkurajojë perspektivën euroatlantike të këtyre vendeve, duke inkurajuar edhe vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Arritja e një marrëveshjeje përmes dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është kusht për anëtarësimin e plotë të dy vendeve në BE”, thuhet në njoftimin e Qeverisë austriake.

Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm pasi të jenë anëtarësuar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raportimin e APA-s.

Burimi: BalkanWeb

7