Kaosi gjeopolitik dhe raportet shqiptaro-turke

Ashtu si në të kaluarën e afërt, kur Turqia ishte shteti kyç në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë (të kërcënuar direkt nga Greqia në 1997) dhe në 1999, kur aeroplanët e saj i sulmuan caqet kryesore serbe në kuadër të intervenimit të NATO-s, njëjtë edhe gjatë shpalljes së pavarësisë më 2008 ishte aktor i rëndësishëm në afirmimin e shtetësisë dhe thirrjen për njohje të Kosovës.

Shkruan: Abdylvehab EJUBI, Shkup

Ndryshimet rapide gjeopolitike, që erdhën si rezultat i polarizimit të botës dhe shpërndarjes së fuqisë nga një epiqendër e vetme, Perëndimi, në më shumë qendra të fuqishme ekonomike, ka shkaktuar trandje të gjithë sistemit ndërkombëtar, ndërsa me ardhjen e Trump-it në pushtet, bota ka hyrë në një fazë të paparashikueshmërise, ku lufta tregtare/ekonomike e ka fjalën e saj kryesore.

Marrëdhënia transatlantike (e njohur si Perëndim) po përjeton lëkundje të fuqishme, ndoshta më kritike që pas Luftës së Dytë Botërore, edhe atë në dy shtyllat kryesore që e lidhin dhe bëjnë këtë partneritet: në tregti dhe siguri. Nëse gjithë këtë dëshirojmë ta përdëftojmë më qartë, na mjafton t’i vështrojmë zhvillimet dhe aktivitetet e aktorëve kryesorë të Perëndimi brenda vetëm 10 ditëve. Administrata Trump imponon tarifa të larta për importin e çelikut dhe aluminit, si dhe kërcënon me tarifa edhe të shumë produkteve tjera, si në industrinë gjigande të automobilave nga BE (duke përfshirë edhe aleatët tjerë si Kanada dhe Japoni), të cilët i akuzon për marrëdhënie tregtare jo të barabarta dhe shfrytëzim të SHBA-ve nga partnerët më të afërt. Samitin e rregullt të NATO-s të 11 korrikut e përshkoi një atmosferë mjaft e tensionuar, ku Trump-i u paraqit mjaft i etur për ta rritur ndëshkimin e aleatëve dhe partnerëve më të besuar të Uashingtonit – shumica e tyre në Evropë, nëse nuk e përmbushin kërkesën e tij për rritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin dy për qind të GDP-së. Gjithashtu, në të njëjtën javë vlen të theksohet vizita e Trump-it në Britani, për herë të parë që nga inaugurimi si president. Këtë takim e përshkoi sugjerimi i Trump-it për Brexit-in e “fortë e të pamëshirshëm” për Britaninë, duke u shprehur me tone të fuqishme anti-BE, nga ku qartë u përfundua se askush më shumë së SHBA-të e Trump-i nuk e dëshiron dhe nuk punon më fuqishëm për shpërbërjen e BE-së, bile as Rusia.

Përderisa takimi i paprecedentë, pa rend dite, Trump-Putin po zhvillohej në Helsinki, liderët e BE-së, me homologët e tyre kinezë, realizuan një takim të nivelit të lartë dyditor në Pekin, ku u premtua thellimi i marrëdhënieve të bllokut me Kinën, kjo si kundërmasë e tarifave dhe pasigurisë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Menjëherë pas takimit me udhëheqësit kinezë në Pekin, Juncker-i e Tusk-u arritën në Tokio për të përfunduar një tjetër marrëveshje mjaft të rëndësishme – Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik me Japoninë, që është ekonomia e dytë më e madhe në Azi dhe e treta më e madhe në botë. EPA, e cila mbulon pothuajse një të tretën e GDP-së globale, vendos një standard të ri për marrëveshjet e tregtisë së lirë (krahas Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe progresive për Partneritetin Trans-Pacific ose TP-11, që ishte nënshkruar më parë në këtë vit).

Në këtë kontekst, sipas temës së ktij numri të revistës, është shumë me vlerë t’i vështrojmë marrëdhëniet dhe lëvizjet e Turqisë në këtë aspekt. Fati i Turqisë, njëjtë si i Perandorisë Osmane, është lidhur sublimisht me pozicionin qendror gjeopolitike të të qenit bosht, urë ndërvepruese, ndërmjet qytetërimeve e rrugëve tregtare globale. Kështu, me një diplomaci elastike, ajo po balancon suksesshëm mes të gjitha palëve, duke nënshkruar një sërë marrëveshjesh ekonomike me Kinën, duke nënshkruar marrëveshje për lehtësime të investimeve të ndërsjella dhe duke ndërtuar central bërthamor në Detin e Zi (mbi 20 miliardë dollarë) me Japoninë, duke i përafruar marrëdhëniet me Rusisë dhe Iranin, kjo në sajë të Samitit të Astanas për dhënie fund të luftës në Siri dhe transformimit politik të vendit, pastaj me Rusinë, duke nënshkruar për sistemin e mbrojtjes S400 (3 miliardë dollarë) dhe centralin bërthamor Akuyu (20 miliardë dollarë), duke i përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-të, veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes për kontroll të përbashkët të rajonit kufitar të Sirisë me Turqisë dhe tërheqjen e mbështetjes së SHBA-ve për SDF-në (shumica e së cilës është e përbërë nga YPG, krahu i organizatës terroriste PKK), si dhe duke pranuar 2 super aeroplanët e parë F35 nga 20, që do t’i pranojë (në bashkëpunim të ngushtë SHBA-Turqi dhe disa aleatë të tjerë perëndimorë), si dhe me BE-në, duke i përmirësuar marrëdhëniet me Gjermaninë, duke i rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Holandën, duke i pranuar 3 miliardë dollarë ndihmë për refugjatët Sirianë, që gjenden në Turqi, etj.

Kjo, pra, është dëshmia më e mirë se bota po ndryshon me ritme të jashtëzakonshme dhe se në të do të mbijetojnë vetëm ato shtete dhe rajone që do t’u përgjigjen këtyre sfidave, nëpërmjet diplomacisë së mprehtë e mjaft elastike, duke krijuar aleanca të gjithanshme.

Në 15 vitet e ardhshme dy tregjet më atraktive që do të kërkojnë bashkëpunim janë ai evropian, që do të mbetet edhe më tutje më i pasuri dhe me teknologji më të avancuar, dhe ai në zhvillim, me fuqi punëtore të re aziatike. Pikëtakimi i këtyre dy tregjeve sigurisht që do të jetë Deti Mesdhe, Turqia dhe Ballkani. T’i bashkosh dy tregje ose të jesh në mes të gjigantëve ekonomikë, kjo është përparësi, që duhet shfrytëzuar me çdo kusht. Këtë po e bën suksesshëm Turqia, Në rastin tonë, neve si shqiptarë, fatkeqësisht nga mosorganizimi dhe mbi të gjitha nga mosdija dhe mosaftësia për leximin e këtyre ndryshimeve të mëdha globale dhe pozicionimin si duhet në të, kjo po na kthehet në handikap. Sa fatkeqësi e madhe kjo, apo jo?!

Zgjedhjet, e cilësuara si historike, që e ndryshuan sistemin nga parlamentar në atë presidencial në Turqi dhe që sërish i fitoi bindshëm Presidenti R.T Erdogan, pa dyshim që përbëjnë një peshë të madhe si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht. Sistemi i ri me president të fuqishëm është dizajnuar që, para së gjithash, të jetë efikas, i shpejtë dhe efektiv, që t’u përgjigjet sfidave të mëdha të paparashikueshme të sigurisë, rritjes ekonomike dhe tregtisë, që i ofron sistemi aktual ndërkombëtar. Kjo fiton në peshë edhe më kur ia shtojmë edhe pozitën qendrore gjeostrategjike të Turqisë, që i lidh të gjitha pikëkalesat tregtare të sigurisë nga të gjitha anët. Këto ndryshime të sistemit na dëshmojnë për nuhatje të mprehtë të lidershipit turk rreth sfidave me të cilat përballet dhe me ato që afrohen, me të cilat ata e përgatisin përgjigjet më adekuate që ashtu t’i tejkalojnë sfidat e kohës.

E kur vijmë tek marrëdhëniet shqiptaro-turke, pa dyshim që shqiptarët duhet ta konsiderojnë Turqinë si një nga aleatët e natyrshëm të kombit, në radhë të parë për shkak të lidhjeve miqësore tradicionale mes dy popujve dhe të së paku disa milionë qytetarëve me prejardhje shqiptare të këtij shteti. Republika e Turqisë dhe populli i saj janë aleatë të natyrshëm të kombit shqiptar, jo vetëm për shkak të fesë, por edhe për shkak të traditës së gjatë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe bashkëqeverisjes së Perandorisë Osmane për mbi 500 vite (së paku 39 kryeministra të kësaj Perandorie kanë qenë shqiptarë), si dhe në krijimin e Turqisë moderne, ku shqiptarët kanë pasur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Turqia është shteti i vetëm ballkanik në krahun e shqiptarëve, karshi bllokut të shteteve sllave-ortodokse, por edhe partner strategjik me shkallë të lartë besueshmërie, një nga shtetet anëtare dhe kyçe të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake, NATO.

Ashtu si në të kaluarën e afërt, kur Turqia ishte shteti kyç në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë (të kërcënuar direkt nga Greqia në 1997) dhe në 1999, kur aeroplanët e saj i sulmuan caqet kryesore serbe në kuadër të intervenimit të NATO-s, njëjtë edhe gjatë dhe shpalljes së pavarësisë më 2008 ishte aktor i rëndësishëm në afirmimin e shtetësisë dhe thirrjen për njohje të Kosovës, veçanërisht aty ku Ankaraja ka ndikim, si – fjala bie – në OBI. Tani, pas zgjedhjeve dhe ndryshimit të sistemit, kjo prezencë e Turqisë do të jetë edhe më e madhe dhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe civile në arsim, ekonomi, media, kulturë, teknologji, ushtri e polici do të jetë edhe më efektive dhe më përmbajtjesor. Bashkëpunimi i tillë, që duket në horizont, pa dyshim se do të kontribuojë në sigurinë e Ballkanit dhe të shteteve shqiptare në veçanti, pasi Turqia – duke qenë shteti i dytë më i fuqishëm pas SHBA-së ushtarakisht – e përkrah fuqishëm integrimin e rajonit në NATO. Gjithashtu, duke ushtruar autoritetin dhe prestigjin politik dhe historik në Ballkan, si trashëgimtare e Perandorisë Osmane, ajo do të kontribuojë në ndërtimin e aleancave të reja mes popujve të Ballkanit, historikisht armiqësore, pastaj edhe fuqizimi ekonomik pa dyshim që do t’i prekë edhe tokat shqiptare me investime strategjike, gjë që do të kontribuojë në zbutjen ekonomike të vështirë, me të cilën po përballen shtetet shqiptare.

Nisur nga kjo, të gjithë zërave brendashqiptare, që alarmojnë për acarimin e marrëdhënieve BE-Turqi dhe bashkëpunimin Turqi-Rusi dhe reflektimin e saj në Ballkan, si aleancë kinse anti-shqiptare e pro-sllave, themi që nuk ka hapësirë për gjera të tilla. Në raport me BE-në Turqia është partner shumë i rëndësishem ekonomik i Europës, zyrtarisht kandidat për integrim në të dhe, mbi të gjitha, është shteti kyç për sigurinë e Evropës. Nëse shkojmë një hap më tej, bile mund të themi se siguria e BE-së fillon pikërisht me Turqinë. Një Turqi e fuqishme nënkupton një BE më e sigurt. Argument për këtë kemi shumë fakte, duke filluar me pozicionimin e saj gjatë Luftës së Ftohtë, duke qenë tampon zonë për sigurinë e BE-së dhe bllokut perëndimore, në bazën ushtarake Inxhirlik, ku ishin dhe ende janë të stacionuara bombat nukleare të SHBA-së, e deri më sot, kur është frontier i besueshëm për ndalimin e refugjatëve nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Në kohën kur disa qindra mijëra refugjatë kaluan në BE dhe Britania “iku”, i tha lamtumirë BE-së, ndërsa e djathta ekstreme u fuqizua dhe u bë faktor kyç kudo nëpër Europë, a mund ta imagjinojmë një Turqi të dobët dhe që i hapë dyert për të gjithë refugjatët, që të kalojnë lirshëm, se çka do të ndodhte vallë me BE-në?! Ja arsyeja se pse, me gjithë fërkimet e kohëpaskohshme, ajo mbetet partner kryesor i sigurisë së BE dhe BE partner kryesorë ekonomik i Turqisë. Ndërkaq afrimi i Turqisë me Rusinë lindi natyrshëm nga nevoja e pozicionit dhe rrethanat e krijuara gjepolitike të Turqisë, veçanërisht në lidhje me çështjen e Sirisë dhe pas dështimit të grushtit të shtetit në Turqi dhe e njëjta nuk përkthehet edhe nuk reflekton në politikën e Turqisë në Ballkan. Nëse shkojmë më tej dhe këtë çështje e analizojmë më pyetjen se kush është më anti-perëndimor dhe anti-BE, ashtu siç e potencova më lart, SHBA-të e Trump-it po e bëjnë këtë më shumë se çdo fuqi tjetër nga jashtë/brenda.

Le të kthehemi tek shqiptarët dhe tek ajo se si duhet të pozicionohen në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha që po ndodhin! Shqiptarët do të duhet të krijojnë strategji gjithëpërfshirëse dhe me diplomaci elastike dhe të sofistikuar ta përdorin Turqinë, BE-në dhe SHBA-të për avancimin e interesave e tyre.

Me integrimin e Maqedonisë në NATO Serbia definitivisht izolohet nga aleanca dhe, rrjedhimisht, Rusia përjashtohet nga Ballkani dhe ashtu kufizohet ndikimi i saj destabilizues.

Shqiptarët, që në gjeopolitikën ballkanase me konsolidim më të madh mes tyre dhe me ndihmat dhe mbështetjen nga Turqia dhe Evropa, së pari herë do të kenë mundësinë që de fakto të jenë faktorë, bile edhe determinues në Ballkan. Pikërisht ashtu siç edhe na takon!/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne