Kapitalizmi shqiptar i rikthehet kioskave

Carloalberto Rossi

Kioska ka qenë model i vërtetë ekonomik i Shqipërisë në gjysmën e parë të vitet 1990-të: në fillim ishin të persekutuarit politikë që u kërkonin bashkive demokrate leje për të ngritur ndonjë kioskë në ndonjë cep, shesh apo lulishte të qyteteve shqiptare, dhe me pak para ndërtonin ndonjë barakë për të shitur cigare apo ndonjë kinkaleri tjetër sa për të fituar minimumin e jetesës nga një tregti e varfër.

Më pas, muaj pas muaji, tregtarët përqafuan kioskat dhe këto baraka u rritën në numër, u bënë gjithmonë e më shumë të mëdha dhe gjithmonë e më shumë luksoze, duke servirur shërbime më komplekse, nga tregtia e kinkalerive, tek floktoret e riparimi i çakmakëve tek restorantet e diskotekat e natës.

Tirana në veçanti u zhyt në kioska, nga Parku Rinia dhe bregu i Lanës në çdo cep të gjelbër apo të betonizuar, u pushtua nga kioskat, të cilat filluan të rriten në gjerësi dhe lartësi, hap pas hapi me rritjen e aktivitetit, i cili prodhonte të ardhura shtesë për t’i investuar.

Ngrehinat që duhet të ishin një zgjidhje e përkohshme dhe e lëvizshme vunë rrënjë, dhe u kthyen në një valë të vërtetë ndërtimesh abuzive.

Kështu nga vitit 1996 në Tiranë kishte kioska ngado me tre deri në katër kate, me restorante luksozë, nga menaxhimi i të cilave dolën disa nga protagonistët kryesorë të ekonomisë së mëvonshme shqiptare, si tregtarë, importues, ndërtues—shumë kapitalistë të rinj u lindën ose krijuan kapitalin e tyre fillestar me një kioskë abuzive. Disa nga ta u rritën derisa pastaj u kthyen në oligarkët e tanishëm.

Kur Pandeli Majko erdhi në pushtet në shtator 1998 qendra e Tiranës dukej si një Disneyland, me kioska nga më të paimagjinueshmet, nga balena të stërmëdha me gojë të hapur, në kështjella të çdo lloji deri në barin mitik “Bar West” në Parkun Rinia, ku mblidheshin të gjithë gazetarët shqiptarë, i cili shumë shpejt u kthye në një kullë kristali, disa kate e lartë.

Majko ishte i pari që e kuptoi se e gjithë kjo situatë e bënte kryeqytetin qesharak dhe në fillim të janarit 1999 filloi të hiqte kioskat tek Sheshi Skënderbej, por kjo nismë u ndalua papritmas ngaqë shpërtheu lufta në Kosovë dhe çdo prioritet dhe energji qeveritare u kanalizua në ndihmën ndaj kosovarëve që erdhën në Shqipëri.

Kur në vitin 2000, kryebashkiak i Tiranës u bë Edi Rama, çështja e kioskave u rimor sërish dhe shpejt nisi përpjekja për pastrimin e qytetit prej tyre, duke thirrur në një aksion falas të gjitha kompanitë e ndërtimit. Shpejt të gjitha kioskat e Parkut Rinia dhe të bregut të Lanës u shembën.

Por në Shqipëri martesat mes logjikës së pushtetit dhe logjikës ekonomike shpesh përfundojnë në abuzim, dhe energjia e papërmbajtur që kishte bërë të mundur “kioskëzimin” abuziv të Tiranës, u kanalizua shpejt në biznesin e ndërtimit, shpesh po aq abuziv sa ai i kioskave, me ndërtime shumëkatëshe të shëmtuara, të ndërtuara keq dhe shpesh në vende të siguruara me mashtrim a korrupsion. Kjo martesë pushtet politik-biznes u përshkrua në mënyrë domethënëse me parullën “një pallat, një votë”.

Pas një përpjekje, në të vërtet jo aq të vendosur, 10 vjeçare kundër ndërtimeve abuzive, kapitalizmi agresiv shqiptar, i lindur kryesisht me shumë kioska dhe shumë kontrabandë e trafiqe, filloi të kishte aspirata të ndryshme nga ndërtimi i banesave të larta, duke iu përkushtuar ndërtimit të qendrave tregtare, fshatrave turistike, hoteleve, koncesioneve të hidrocentraleve dhe çdo kontrate dhe koncesioni të mundshëm nga qeveria.

Ky evolucion i biznesit më në fund çoi një grusht kapitalistësh tek sfida e një niveli të vërtet evropian: telefonia celulare.

Nën drejtimin e një prej sipërmarrësve dhe lobistëve më të pasur dhe më të ndriçuar të vendit, një grusht heronjsh të kapitalizmit shqiptar mblodhën kapitalet e tyre, me origjinë jo gjithmonë të qartë, për një sfidë të denjë për Evropën bashkëkohore, krijimin e operatorit të katërt të telefonisë celulare, me qëllimin e qartë për t’ia rishitur shpejt me fitim njërit prej tre operatorëve të huaj në vend.

Por asnjë nga operatorët evropianë nuk ra në këtë grackë dhe spekulatorëve të supozuar shqiptarë u mbeti vetëm hiri në duar.

Pas disa çështjeve gjyqësore dhe shumë humbjeve, njëri pas tjetrit kapitalistët e mëdhenj dolën nga loja celulare, shpesh me kocka të thyera, duke qenë se iu desh të garantonin personalisht bankat për borxhet e kompanisë, dhe sot kompania e falimentuar nuk vepron më në treg: legjenda metropolitane e operatorit të katërt të telefonisë celulare avulloi bashkë me disa dhjetëra milionë euro dhe me të u shua edhe një tjetër legjendë metropolitane, ajo e biznesit të padështuar shqiptar i aftë për të përballuar çdo lloj sfide, mjafton që të kishte kapitalet e nevojshme.

Sot, dy nga tre protagonistët kryesorë të mbijetuar nga kjo aventurë, pasi u shëruan nga plagët, u kthyen të godasin sërish në treg dhe vendosën të përballen në një treg, ndoshta më të përshtatshëm për ta: atë të kioskave.

Intutita brilante i erdhi të parës pronares së Top Channel, ndër ish-aksioneret e para të mëdha të Plus Communication, e cila me sa duket, në vështirësi me biznesin e familjes, vendosi të shfrytëzojë ndikimin tek kryebashkiaku i Tiranës, për të siguruar një koncesion për vendosjen e shumë kioskave përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës, për të shitur çamçakëzë, patatina, biskota e cigare, deri atëherë monopol i shitësve ambulantë, të cilët po shfarosen me forcë dhe gjoba nga policia bashkiake.

Por imitimi është një nga mekanizmat më efikas në biznesin shqiptar, dhe menjëherë ish-kolegu i saj në Plus, kampion i vërtetë i shpërndarjes së substancave stimuluese, Red Bull dhe Ama Caffe, kuptoi se kioskat ishin “horizonti i ri” dhe besnik i kujtimeve të rinisë së tij vieneze vendosi të hapë një rrjet kioskash të titulluar “wiener wurst”, ku të shesi käsekrainer, bratwurst dhe weisswurst të pjekur e të futur brenda një panineje me salcë domateje ose mustardë, hot-dog tipik në mënyrën vjeneze.

Kryebashkiakut duhet t’i jetë dukur një ide e mirë, ndoshta për të justifikuar ndonjë operacion të dyshimtë ndërtimesh në parkun qendror të Tiranës, dhe brenda pak ditëve kioskat prej alumini filluan të vendosen në cepat strategjikë të kalimit në Tiranë, duke zënë trotuaret me tavolina inoksi të keq montuara, por të gatshme për të ushqyer kalimtarët me ushqim të frymëzuar nga Evropa Perëndimore.

Sërish, në respekt të betejës së vjetër kioskë me kioskë, dy rrjetet konkurrente në të vërtetë nuk bëjnë konkurrencë direkte me njëri-tjetrin, njëri shet cigare, pije dhe patatina, tjetri shet pije energjetike, birra, kafe dhe ushqim të gatuar në çast—konkurrenca mbetet vetëm për vendet ku vendosen, për të marrë nga kryebashkiaku trotuaret më të mira.

Por çmimet duket pak të ekzagjeruara: 490 lek për një bratwurst ose një käsekrainer me shumë mundësi të prodhuara në Korçë, me mish të importuar nga Brazili, për t’u konsumuar në këmbë në mes të rrugës, të bëjnë të dyshosh për arsyen pse edhe me kioska është shënjestruar klientela ekskluzive e restoranteve luksoze të Tiranës—ndoshta oligarku e ka humbur kontaktin me realitetin shqiptar, ose thjesht kioskat justifikojnë qarkullimin e parasë cash.

Kështu fusha e re e përballjes, moda e re sipërmarrësve, që pashmangshmërisht do të përfundojë të përfshijë shumë nga gjigantët e biznesit shqiptar tashmë është identifikuar, dhe përfaqëson një regres të plotë kulturor—në vend të investimeve në biznes që i sjellin vlerë të shtuar shoqërisë, ndoshta për të eksportuar, për të prodhuar për të zëvendësuar importet, për të shtuar shërbime të reja në treg apo për të krijuar produkte e shërbime më të mira dhe më të lira, kapitalistët shqiptarë po i kthehen kioskave: nga kioska u nisën, dhe në fund të rrugës, tek kioska janë kthyer./Exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne