Kapitenia e tragetit Ornela dhe “geishat” e Rilindjes

GJERGJ THANASI

Për herë të parë në historinë e detarisë shqiptare tashmë kemi një femër kapitene të një anijeje tregtare. Ornela Murati është kapitenia e tragetit “Marina” të kompanisë “Finikas Line”. Shqipëria ka nxjerrë edhe më parë kapitene anijesh si arvanitja Laskarina Bubulina e famshme me fregatën e saj “Agamemnon”  me 18 topa anglezë tip “Culverine”, por Ornela jonë është e para kapitene trageti. Trageti “Marina” është një anije modeste vetëm 250 ton peshë bruto, që mbulon distancën e shkurtër midis  Korfuzit dhe Sarandës. Të komandosh një traget të tillë, gjithsesi nuk është detyrë e kollajtë, sepse trageti është relativisht i vjetër, prodhim i vitit 1970, kur kapitene Ornela nuk kishte lindur ende. Normalisht edhe femra të tjera shqiptare, do të diplomohen në të ardhmen si navigatore dhe me siguri do bëhen edhe kapitene, por Ornela Murati do mbetet e para femër shqiptare kapitene anije ashtu si Valbona Selimllari do të ngelë në histori si Miss Albania e parë e Shqipërisë.

Shembulli I kapitenes Ornela Murati kontraston fort me butaforinë e “Rilindjes” dhe gjithfarë OJQ-irsave fondegëlltitës përsa i përket barazisë gjinore. Ornela jonë e ka arritur barazinë gjinore me punë e djersë qoftë në klasat e Universitetit të Vlorës, ku u diplomua për navigacion, qoftë në bordin e anijeve mes valëve të Adriatikut e Jonit. “Rilindjotet” tona apo edhe opozitarkat e kallëpit të G.D.-së barazinë gjinore me burrat, mandatet e deputetllëkut apo kolltukët e drejtorllëkut e vezirllëkut i kanë fituar me “marifete” femrash, jo me punë e studim!

Shembulli i kapitene Ornelës na shërben edhe si përgënjeshtrim i një teze thelbësisht antishqiptare të hedhur fillimisht nga Erionka Velija, kur ishte ministër e mëpas të rimarrë nga kryeministri Edvin. Sipas këtyre myteberëve në Shqipëri ka plot vende pune, por nuk ka ka specialistë. Ata me termin specialist kuptojnë zanatlinj si marangozë e kovacë, pllakaxhinj e saldatorë, elektricistë e zjarrmëtarë, xhenerikë e bojaxhinj e kështu me rradhë. Sipas tyre e ardhmja e Shqipërisë është një fuqi punëtore e kualifikuar dhe kaq! Kjo është tipike një e ardhme prej vendi kolonial, ku fuqia punëtore relativisht e kualifikuar lëkurë zezë, kafe apo e verdhë punon nën urdhërat e inxhinjer sahibit, arkitekt sahibit, doktor sahibit, e me radhë. Jo absolutisht jo!  E ardhmja e Shqipërisë kërkon me forcë kuadro të lartë të mirëshkolluar e të mirëkualifikuar. Nëse nuk do kemi navigatorë e kapitene si Ornela, do na duhet t’i importojmë nga Filipinet, sic importojnë shërbëtorët e shtëpisë një pjesë e nouveau riche në Tiranë. Do importojmë mjekë nga Kuba, inxhinjerë minierash, madje edhe zjarrmëtarë e shoferë elektrovozi nga Kina. Do na duhet të importojmë inxhinjerë shkencash kompjuterike nga India dhe matematicienë prodhimi për rrobaqepsitë dhe “tomajeficet” (fabrikat e këpucëve) nga Bangladeshi. Kjo nuk është rilindje, por prapaktheu për vendin tim! E ardhmja e femrës shqiptare nuk është semafori, apo bashkëshorti lacian me shumë lekë si hajdut vilash në Itali, por karriera profesionale madje edhe politike e mbështetur në punë, shkollim e sakrifica si psh. rasti i kapitenes sonë Ornela Murati!/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne