Bota Opinion

Kashmir, dhimbje që nuk shter

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Këtë javë, pas 20 vjetësh, dy fuqi zotëruese të armëve bërthamore, India dhe Pakistani, u përballën përsëri me njëra-tjetrën. Pas vrasjes së 44 ushtarëve indianë në Kamu Kashmir, që është nën pushtimin e Indisë, avionët e këtij vendi sulmuan rajonet e kontrolluara nga Pakistani, vend të cilin India e ngarkon me përgjegjësi për sulmin ku u vranë ushtarët indianë. Pas kundërpërgjigjes së Pakistanit u rrëzuan dy avionë të Indisë. Një pilot indian i cili u kap rob nga Pakistani, pas disa ditësh u dorëzua nga ana e palës pakistaneze tek autoritetet indiane.  Faktikisht problemi buron nga çështja e Kashmirit, e cila mban gjithmonë potencialin e lartë për konflikt mes palëve. Mirëpo çfarë është çështja e Kashmirit?

Klasike e anglezëve

Një fjalë e urtë e lëkurëkuqeve thotë: “Nëse në lum janë duke u zënë dy peshq, atëherë dijeni se pak më parë aty ka kaluar një anglez me këmbë të gjata”. Edhe Kashmiri në thelb është një territor, të cilin anglezët, kur u tërhoqën nga territoret e pushtuara, e lanë në mënyrë problematike në mënyrë që të ndërhynin kur të nevojitej dhe të pengonin zhvillimin e vendit nga i cili u larguan.

Pjesa e nënkontinentit Indian (Indi, Pakistan, Bangladesh), duke filluar nga vitet 1 mijë deri në 1857, përafërsisht 700 vjet, u udhëhoq nga Sulltanët me origjinë turke. Me disfatën e Shah Bahadur II, perandori i fundit mongol (Perandoria Mongole), ndaj anglezëve në 1857, në këtë pjesë e kontinentit kapitulloi periudha e sulltanëve dhe filloi sovraniteti anglez. Ata që deri më atë kohë së bashku jetonin prej qindra vitesh në mënyrë pluraliste me gjuhën, fenë dhe ngjyrat e veta, kur anglezët u larguan pas 90 vjetësh nga nënkontinenti Indian, në fillim u ndanë në dy pjesë, pastaj u ndanë në tre pjesë, Indi, Pakistan dhe Bangladesh. Sot, një prej gjuhëve zyrtare të këtyre vendeve është edhe anglishtja.

Hapësira gjeografike që Valiu ia bashkëngjiti Indisë, kundër vendimit të popullit për t’u bashkuar me Pakistanin

Kur India dhe Pakistani fituan pavarësinë në vitin 1947, vendet me shumicë myslimane iu lanë Pakistanit, ndërsa vendet me shumicë hindu iu lanë Indisë. Kurse Kashmirin anglezët nuk ia lanë Pakistanit, pavarësisht se kjo krahinë kishte një popullsi afërsisht 90% myslimane. E ardhmja e Kashmirit iu la për vendim popullit të këtij rajoni. Ky vendim i Anglisë, që nga ajo ditë e deri më sot është arsyeja kryesore e mosmarrëveshjeve, përleshjeve dhe vdekjeve në Kashmir.

Në votimin e bërë në vitin 1947 edhe pse shumica e madhe e popullit të Kashmirit vendosi t’i përfshihet Pakistanit, procesi u zhvillua ndryshe. Princi hindu i Kashmirit (Prefekti), Maharaja Hari Singh vendosi që Kashmiri të lidhej me Indinë. Kur populli bëri rezistencë ndaj këtij vendimi, ai kërkoi ndihmën e Indisë. Me hyrjen e ushtarëve indianë në Kashmir, hynë edhe ushtarët pakistanezë. Kështu që lufta e parë mes këtyre vendeve filloi në vitin 1947.

Lufta dhe gjendja aktuale    

Lufta e parë mes Pakistanit dhe Indisë, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkua (OKB), mori fund në janar të vitit 1949. Sipas marrëveshjes së armëpushimit palët do të tërhiqnin ushtarët nga Kashmiri dhe e ardhmja e këtij rajoni do të përcaktohej me referendumin që do të zhvillohej me monitorimin e OKB-së. Por me refuzimin e Indisë referendumi nuk u mbajt  asnjëherë. India përfshiu në tokat e saj territoret që mbante nën kontroll duke i quajtur ato “Kamu Kashmir”. Kurse Pakistani i dha rajonit që mbante nën kontroll statusin autonom me emrin “Azat Kashmir”. Të dyja vendet, për shkak të mosmarrëveshjeve në Kashmir, luftuan përsëri në vitet 1965 dhe 1999.

Kurse pas luftës Kinë-Indi të vitit 1962 një pjesë e Kashmirit kaloi në kontrollin e Kinës. Në pikën e arritur, sot 45% e Kashmirit kontrollohet nga India, 35% nga Pakistani dhe 20% nga Kina. Për shkak të problemit të Kashmirit, të lënë trashëgim nga Anglia, deri më sot kanë vdekur rreth 100 mijë njerëz dhe rreth 1 milionë e 500 mijë të tjerë janë detyruar të braktisin Kashmirin.

A është e mundur zgjidhja? 

Para së gjithash duhet ulur tensioni aktual. India akuzon Pakistanin se mbështet terrorin. India nëse është e nevojshme mund ti drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) për këtë çështje. Por është e papranueshme që të sulmojë duke marrë direkt vetë vendim në këtë çështje. Ndërkaq është hap pozitiv që Pakistani ka deklaruar se është i gatshëm për bashkëpunim në çështjen e terrorit.

Pakistani kërkon që problemi i Kashmirit të zgjidhet në kuadër të vendimit për referendum të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të vitit 1948. Kurse India, për shkak se shumica e popullsisë së Kashmirit është myslimane, nuk i qaset këtij vendimi. Për këtë arsye ajo përpiqet të mbajë në duar Kashmirin me prezencë ushtarake. Ndërkaq Turqia mban qëndrim në kuadër të rezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Këto përleshje që vazhdojnë prej kaq shumë kohësh kanë treguar se një zgjidhje që nuk përvetësohet nga populli, nuk është zgjidhje. Populli i Kashmirit reagon ndaj vendimeve të marra nga dy vendet ose marrëveshjes së aktorëve të jashtëm që shpërfillin (vullnetin) popullin. Kështu që gjëja e parë që duhet thënë për zgjidhjen është se në proces duhet përfshirë edhe populli i Kashmirit dhe duhet punuar për një zgjidhje që do të pranohet edhe nga ata.

Një nga zgjidhjet e mundshme është referendumi. Dihet afrimiteti i popullit të Kashmirit me Pakistanin dhe për këtë arsye India del kundër këtij opsioni.

Një alternativë tjetër është që Kashmiri të vazhdojë të ekzistojë si një shtet i pavarur, por mesa duket të dyja vendet nuk janë për një zgjidhje të tillë.

Turqia është një vend që nëse palët dëshirojnë mund të japë çdo lloj kontributi në mënyrë që të mos derdhet më gjak dhe lot, në mënyrë që palët të mos dëmtojnë më shumë njëra-tjetrën. Pikëpamja e Turqisë ndaj problemit të Kashmirit nuk është një qëllim imperialist, por zgjidhja e problemit në një themel të drejtë.

Nëse India dhe Pakistani mendojnë se problemi i Kashmirit u intereson vetëm atyre dhe se mund ta gjejnë zgjidhjen mes vetes, kjo zgjidhje duket e vështirë. Në anën tjetër, porta e zgjidhjes është e mundur të hapet në raport me atë se sa janë në gjendje të evidentojnë këto palë se nëpërmjet problemit të Kashmirit faktikisht është duke u bërë një luftë më globale mbi shpinën e tyre dhe se kërkohet që këto dy vende të përdoren si një mjet i luftës globale. Marrëveshjet e shitjes së armëve që Izraeli ka bërë kohët e fundit me Indinë, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Indisë për të frenuar Kinën dhe në mënyrë të ngjashme mbështetja e Kinës ndaj Pakistanit, në thelb të sjell në mendje një lloj ‘lufte me prokurë’.

Nëse të dyja vendet nuk e kuptojnë që kërkohet të vazhdohen përleshjet mbi shpinën e tyre dhe nuk i japin fund konfliktit, atëherë do të kenë shumë për të humbur.

Por nëse e shohin tablonë nga një aspekt më i gjerë dhe arrijnë në një zgjidhje mbi Kashmirin, edhe pse do të mendojnë se kanë fituar pak, në të vërtetë kanë për të fituar shumë më shumë. Një Pakistan dhe Indi, ku nuk ka më mjedis lufte dhe nuk janë të vendosur ballë për ballë njëri-tjetrit, në një mjedis të mundur paqeje do të japin më shumë kontribute për zhvillim më të shpejtë dhe për fitimin e shumanshëm të popujve të tyre në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore e civile.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

OPINIONE