Kaspersky krijon Qendrën e Transparecës. Zhvendosje të serverave në Zvicër

Kaspersky Lab, kompania e njohur për softet e sigurisë kibernetike, ka vendosur të zhvendosë një pjesë të infrastrukturës së vet në Zvicër. Përmes një njoftimi zyrtar, Kaspersky bën me dije se në Zyrih do të krijohet Qendra e Transparencës dhe aty do të vendosen edhe serverat që mbledhin dhe procesojnë të dhënat e marra nga rrjeti.

Po kështu kompania thotë se çdo produkt i veti do të monitorohet nga një palë e tretë përpara se të shpërndahet te përdoruesit. Po kështu serverat që përpunojnë të dhënat do të vendosen edhe në SHBA, Europë, Australi, Kore e Jugut dhe Singapor. Kaspersky po kështu shton se për të rritur transparencën do të sigurohet që kodi i burimit i testuar në Qendrën e Transparencës të jetë i njëjtë me atë të dhënë për përdoruesit.

Në këtë qendër do të sigurohet dokumentimi i zhvillimit të softeve, kodit të burimit të produkteve publike, rregullat e funksionimit të databazave që kanë të bëjnë me faktorë risku, kodit të burimit të shërbimeve cloud si dhe mjetet që shërbejnë për prodhimin e një produkti.

Në këtë mënyrë kompania pretendon se do të jetë e hapur për mbikëqyrje nga organizata dhe qeveri të ndryshme dhe që kanë ekspertizën e duhur. Zhvendosja përfundon në vitin 2019 dhe ajo duket se reflekton edhe masat e marra në korrik të vitit të kaluar nga Kongresi amerikan përmes të cilave u kërkua kontrolli i dokumentacionit të Kompanisë për softet që përdor ushtria amerikane. Dyshimi ishte se Kaspersky ka hedhur në treg produkte që shërbejnë për spiunazh na favor të Rusisë, çka duket se ka dhënë goditje në imazhin e saj por edhe ka çuar në humbjen e një tregu si amerikan. Trump e ka hequr kompaninë nga lista e shitësve të miratuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne