Kastriot Dervishi: Autoriteti po bllokon dosjet, mbron persekutorët e komunizmit

“Po hidhen miliona lekë për të mbajtur në punë me paga të larta, 65 njerëz që pretendojnë se do të hapin dosjet, kur në të vërtetë po shkatërrojnë arkivat”.  Denoncimi vjen nga Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Ai tregon masakrën që është bërë në vite që ka zhdukur një pjesë të mirë të dosjeve. “Duke qenë se dosjet formulare për personat që jetojnë janë shumë të pakta, Autoriteti synon ta mbulojë këtë boshllëk duke plaçkitur dosjet hetimore-gjyqësore”

Hapja e dosjeve është një ndër çështjet më të përfolura gjatë 27 vjetëve të pasdiktaturës komuniste. Një argument që është përdorur politikisht dhe është debatuar mediatikisht. Dikush e ka konsideruar si domosdoshmëri për të hedhur dritë mbi të kaluarën, dikush tjetër si fillim i një procesi që rrezikon vetëgjyqësinë. Më në fund, u miratua një ligj specifik për hapjen e dosjeve dhe u ngrit një Autoritet që do të merret me këtë çështje.

Po çfarë po ndodh vërtet me këto dosje? Çfarë ka mbetur prej tyre dhe çfarë do të na servirë kjo strukturë e re që ka punësuar 65 persona dhe ka marrë një godinë në ambientet e Gardës së Republikës?

Kastriot Dervishi, i diplomuar për histori dhe i specializuar në arkivistikë, ka një përvojë mbi 20 vjeçare studimore në arkiva dhe biblioteka. Autor i 10 librave për historinë e Shqipërisë, ndër të tjera i tekstit të vetëm në Shqipëri për historinë e armës së Sigurimit të Shtetit, ai është njohës i mirë jo vetëm i arkivave në përgjithësi, por në veçanti i asaj pjese që njihet si “dosjet”. Në vitet 2007-2014 ka qenë drejtor i Arkivit të Sistemit të MPB-së.

Dervishi, thotë për Albanian Free Press se ky Autoritet, jo vetëm që nuk do të kryeje misionin për të cilin është bërë kaq shumë zhurmë, por do të sjellë dëme të pariparueshme në drejtim të dëmtimit të arkivave.

“Autoriteti po bllokon konsultimin normal të atyre pak dosjeve formulare, duke synuar në çdo rast të mbrojë emrat e persekutorëve të komunizmit”, është akuza e ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme.

Por ai numëron edhe një sërë shkeljesh ligjore që në hartimin e ligjit e deri në ngritjen e një strukture të posaçme sikurse është Autoriteti i Informimit për dosjet. “Çdo qindarkë që do hidhet në drejtim të Autoritetit dhe jo në drejtim të rrjetit kombëtar të arkivave, është investim në drejtimin e gabuar”, thotë ish-drejtori i arkivit të MB, i cili argumenton edhe tre rastet kur është shkelur ligji.

Kastriot Dervishi ka marrë pjesë edhe në një sërë komisionesh të nivelit të lartë për çështje të arkivave, informacionit të klasifikuar dhe për çështje të tjera të rëndësishme. Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Ekspertizës dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Arkivave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; kryetar i Komisionit Qendror të Ekspertizës në MPB; nënkryetar i Komisionit të Deklasifikimit dhe Zhvleftësimit të Informacionit të Klasifikuar Sekret Shtetëror në MPB; anëtar i Komisionit të Shqyrtimit të Informacionit të Klasifikuar Sekret Shtetëror në MPB; anëtar i task-forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve regjimit komunist; anëtar i komisionit qeveritar për eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë në vitet 1940-1941;  anëtar i Këshillit Shkencor të Muzeut Historik Kombëtar; anëtar i Komisionit të Deklasifikimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Dervishi e shikon punën e Autoritetit jo si hapje, por si mbyllje dosjesh. “Autoriteti i ka vënë drynin 10 mijë dosjeve administrative të tri drejtorive të Sigurimit, të cilat janë në masën 99% lirisht të shfrytëzueshme”, thotë Dervishi, njëkohësisht ekspert për informacionin e klasifikuar.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

 Çfarë kuptojmë me fjalën “dosje” për të cilat flitet prej 27 vjetësh dhe si trajtohet zyrtarisht ky term?

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, para vitit 1991, dokumentet në fazën e parë të krijimit të tyre administroheshin nga:

1-Sekretaritë e çdo njësie. Prej tyre kanë rrjedhur dosjet administrative, në të cilat pasqyrohet aktiviteti i degëve të punëve të brendshme, MPB-së, reparteve të saj, etj. Vetëm nga tri drejtoritë e Sigurimit, janë trashëguar rreth 10 mijë dosje të tilla. Këto janë të përpunuara sipas kronologjisë dhe strukturës së tyre. Përpunimi i pjesës më të madhe të tyre është bërë prej meje në vitin 2014, kohë kur u bënë gati për deklasifikim. Deri këtë kohë kanë qenë pa kurrfarë rregulli dhe inventari. Është e rëndësishme ta evidentoj këtë fakt, pasi rëndom krijohet perceptimi sikur ne jemi në standardet e shteteve si Zvicra apo Danimarka.

2-Kartotekat. Ishin vendosur në çdo degë të punëve të brendshme dhe në MPB te Dega e 4-t e Drejtorisë së Parë. Këto kanë administruar dy lloj kategorish dosjesh: rrjetin sekret dhe personat që ndiqeshin. Kartotekat kanë “furnizuar”, fondin operativ në Arkivin e MPB-së, në të cilin dosjet janë emërore me numër progresiv. Janë trashëguar një grup dosjesh prej rreth 25 mijë të tillash. Edhe ky grup dosjesh ka pasur problemet e veta, pasi është një pjesë fare e vogël me atë që ka ekzistuar para vitit 1991.

Mjete të rëndësishme informacione janë kartelat dhe regjistrat, por këto duhen parë në kompleks së bashku me të dhëna të tjera dhe jo në mënyrë të shkëputur.

Ju jeni një njohës i mirë i arkivave, duke përfshirë edhe atë të Ministrisë së Brendshme. Në çfarë gjendjeje janë aktualisht dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe çfarë ka mbetur prej tyre?

Është i gabuar koncepti kur flitet për “arkiva të Sigurimit”, sepse duhet folur për dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas përcaktimeve që dhashë më sipër. Ka qenë vetëm Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një pjesë të dosjeve të të cilit i ka marrë në shkelje të ligjit SHIK-u në vitin 1993 dhe tani, po në shkelje të ligjit, do t’i marrë një institucion në shkelje me ligjin e arkivave.

I gjithë rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë është në gjendje të mjeruar. Kërkohen investime të shpejta dhe afatgjata.

Në lidhje me dosjet, nuk është ajo gjendje që imagjinon dhe ëndërron publiku. Praktikisht, trupa e persekutorëve që jetojnë, ka zhdukur një pjesë të mirë të provave të krimit të tyre. Shikoni sa persona të jetojnë do gjejnë “dosjen e tyre”, sepse ky është thelbi i ligjit që kanë miratuar së fundmi me një autoritet mbi krye. Në masën 99.99% përgjigja do jetë negative.

Një pjesë e mirë e dokumenteve operative janë asgjësuar në degët e punëve të brendshme para vitit 1990. Në vitet 1990-1991, si rezultat i urdhrave të datave 15.12.1990 dhe 18.2.1991 u asgjësua pjesa më e madhe e dosjeve që ndodheshin po në degët në fjalë dhe në Degën e 4-t të Drejtorisë së Parë. Për këtë është shkruar edhe më parë, por tani bëjnë sikur nuk i dinë këto fakte. Masakra e fundit vlerësohet për rreth 50 mijë dosje. Dhe çështja është ngritur disa herë. Me vendimin nr.85, datë 3.3.1993 Këshilli i Ministrave ngriti një grup pune për të kontrolluar dokumentacionin e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas raportit të asaj kohe, u konstatuan mungesa të shumta dhe dëmtime të rënda të dosjeve të ndodhura para vitit 1992. Po ashtu një verifikim tjetër është bërë në vitin 1995, në të cilin u evidentuan probleme të rënda. Sikur të mos mjaftonte kjo, ndodhi edhe dëmtimi i një objekti më 13.3.1997, në të cilin u dëmtuan shumë dokumente të sjella nga ish degët e punëve të brendshme. Kur fillova punë në Arkivin e MPB-së në vitin 2007 gjeta një gjendje të tillë ku 2/3 e fondit ishte pa inventar. Në vitin 2014 arrita inventarizimin e 80% të dosjeve të Arkivit. Për pjesën që ngelej më duhej edhe 3 muaj punë, por MPB nuk ma lejoi një gjë të tillë, sepse mesa vura re, drejtuesve të saj, as u interesonin arkivat.

Është miratuar një ligj dhe është ngritur një Autoritet i posaçëm për hapjen e dosjeve. A është kjo mënyra më e mirë për t’u ballafaquar me këtë çështje?

Jo nuk ishte, madje është rruga më e keqe. Autoriteti është i panevojshëm. Synon trajtimin eksperimental të dokumentacionit jashtë rrjetit arkivor të vendit. Ekziston gjithë legjislacioni që e bën të panevojshëm krijimin e një hallke burokratike e me harxhime për buxhetin e shtetit. Si vend i varfër që jemi dhe me probleme të mëdha mesa duket edhe shtetformimi, nuk na lejohen gafa të tilla të devijimit të investimeve në organe të kota, të panevojshme dhe të përkohshme. Çdo qindarkë që do hidhet në drejtim të Autoritetit dhe jo në drejtim të rrjetit kombëtar të arkivave, është investim në drejtimin e gabuar. Autoriteti u formua në shkelje të tre ligjeve:

1-Ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”.

2-Ligjit nr.8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, ndryshuar me ligjin nr.9541, datë 22.5.2006″.

3-Ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Nga veprimtaria e deritashme shihet se po shkelet edhe VKM-ja, nr.124, datë 15.3.2001 “Për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror që ndodhet në rrjetin kombëtar të arkivave”, pasi Autoriteti po merr edhe kompetenca deklasifikuese të cilat nuk i ka.

Por edhe ky Autoritet u ngrit me ligj. Përse e konsideroni të paligjshëm?

Çdo arkiv në Shqipëri mund të formohet vetëm sipas dispozitave të ligjit nr.9154. Çdo përpjekje qoftë edhe me ligj, për të krijuar arkiva të tjera, nuk është veçse e dëmshme dhe paligjshme. Në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, ndërsa Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është organi që drejton e kontrollon masat për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. DPA nuk është pyetur fare. Çdo nismë ligjore në lidhje me fondin kombëtar të arkivave, duhet patjetër të ketë nismën dhe mendimin e arsyetuar të këtyre dy institucioneve.

Projektligjin e Autoritetit e inicioi një ministri pa lidhje me arkivat si Ministria e Punës. Unë nuk di ndonjë vend të botës në të cilin ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të merret edhe me trajtimin e dokumenteve. As në Afrikë nuk e gjen në shembull të tillë. Çuditërisht jemi origjinalë. U përdor një justifikim naiv, duke thënë se përderisa kjo ministri trajton ish-të përndjekurit politikë, ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. Kësisoj Autoriteti ka hapur një precedent. Mund të kërkohen në këto forma edhe hallka të tjera të panevojshme. Pse mos kemi edhe autoritete të tjera për dokumentet e PPSH-së, Frontit Demokratik, Bashkimeve Profesionale, etj, përderisa u dashka që për një pjesë të historisë të mbivendosim institucione, madje në varësi të Kuvendit.

Ligji i Autoritetit është kopjuar nga ligji gjerman i 20 dhjetorit 1991, i ndryshuar disa herë, i përbërë nga 48 nene, pavarësisht se midis Shqipërisë dhe Gjermanisë nuk ka kurrfarë ngjashmërie rastesh. Gjermania ka qenë një vend i ndarë në dy shtete. Ish-Republika Demokratike Gjermane e ka pasur shërbimin sekret në nivel ministrie, ndërsa Shqipëria në nivel drejtorish, madje tri të tilla. Dokumentacioni në Shqipëri është unik (kompozimi bazë Sigurimi, Polici, Kufi) dhe duhet të trajtohet në këtë formë duke ruajtur unitetin e fondeve arkivore si parim bazë të arkivistikës.

Në Gjermani ishte fare e lehtë, pasi u administrua në një dorë të vetme dokumentacioni i një institucioni dhe nuk u prekën, ndanë apo u eksperimentuan fondet arkivore. Në Shqipëri synohet e kundërta. Autoriteti nis si informues dhe përfundon si ndërmarrje grumbullimi, por ngjan edhe si komitet censure e misionar paqeje. Kjo krizë identiteti tregon fillhumbjen e tij.

Thonë Sigurimi, por ligji merret edhe me gjykata, prokurori, etj, duke anashkaluar faktin se dokumentet e këtyre të fundit u përkasin Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Drejtësisë. Kërkojnë të ndërhyjnë edhe në fonde të tjera në AQSH, (përfshi Arkivin e PPSH-së), në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes apo kushedi se ku tjetër. Dhe e thonë pa të keq se kur të mbarojnë punë, do t’i rikthejnë dosjet nga i morën, a thua se bëhet fjalë vetëm për arkë me domate që merret nga magazina dhe kthehet prapë atje.

Ligji i Autoritetit po ashtu ka shprehje të paqarta si p.sh. pjesët për “të zhdukurit”, “të favorizuarit”, “terrorizmin”, etj. Sigurimi nuk ishte kujdestar i gjykatave dhe prokurorive. Por ec e gjeje ku do zbatohet kjo pjesë e ligjit. Po ashtu Autoriteti ka vendosur në ligj dëshirën për të marrë fondin hetimor-gjyqësor nga Arkivi i MPB-së, duke dhënë një përcaktim të çuditshëm: “dokumentet e gjykatave dhe të prokurorive, për aq sa disponon fondi i ish-Sigurimit të Shtetit”. Ky fond e ka emrin “hetimor-gjyqësor”, nuk është “fond i ish-Sigurimit” dhe çdo prapashtesë, tashmë edhe ligjore, është vetëm imagjinatë.

Ne duhet t’i marrim shembull gjermanët për gjithçka, në radhë të parë për mënyrën si i kanë organizuar arkivat, por jo për rastin e Autoritetit.

Ju po flisni jo vetëm për shkelje ligjore, por edhe të parimit të punës me arkivat…

U tha se qëllimi i miratimit të këtij ligji ishte krijimi i mundësive të personave që kanë qenë ndjekur nga Sigurimi, për të lexuar dosjet e tyre. Sigurisht, nuk u bë asnjë studim, nuk dihej asnjë shifër dhe sigurisht u hartua një relacion një faqe e gjysmë me fjalë të përgjithshme. Personave të interesuar, kjo mundësi mund t’ju jepej (siç u është dhënë deri sot), fare mirë brenda rrjetit arkivor të vendit pa qenë nevoja e shtimit burokratik të hallkave të panevojshme që kushedi sa dhjetëravjeçarë duan ta kuptojnë për vete një proces të tillë.

Sipas ligjit nr.7726, datë 29.6.1993 “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” (i shfuqizuar) dhe ligjit nr.9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat” (në fuqi), i vetmi autoritet për administrimin e dokumentacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (për dokumente pas vitit 1944) është Arkivi i Sistemit i kësaj ministrie, si institucioni fondkrijues. Çdo mbivendosje jashtë përcaktimeve të këtij ligji, nuk është gjë tjetër veçse veprim në kundërshti me legjislacionin për arkivat. Çdo ndarje fondesh arkivore në ente apo ndërmarrje të përkohshme, sigurisht që është në shkelje edhe të parimeve të arkivistikës.

Kujdesi, vëmendja dhe përkushtimi duhet të jetë në drejtim të arkivave dhe jo në drejtim në institucioneve të përkohshme. A e dini për shembull që Sektori i PPSH-së në DPA ka gjithsej 7 punonjës, ndërsa Autoriteti ka 65 të tillë. DPA-ja ka një buxhet vjetor prej 30 mijë eurosh për AQSH-në dhe 12 arkiva vendorë. Arkivi i MPB-së ka zero buxhet prej vitesh dhe personel më të vogël se një çerdhe lagjeje, sot vetëm me një arkivist. Posedon një depo të vjetruar të vitit 1950 si dhe ka nevoja siç do t’i kishte një arkiv i ri. Atëherë çfarë është ky indiferentizëm për rrjetin arkivor të vendit, për të cilin shteti ka detyrimine mbrojtjes dhe kjo bujari e madhe për institucione të panevojshme? Pse duhet të jemi entuziastë për institucione të përkohshme dhe nuk duhet të bëjmë asnjëherë si duhet ato të përhershmet? Se logjikisht nëse Autoriteti ka sot 65 veta (për vetëm 1/3 e dokumentacionit të MPB-së), Arkivi i MPB-së, duhet të ketë rreth 200 veta.

Gjithsesi duket se puna ka nisur. A mendoni se me ligjin për hapjen e dosjeve dhe ngritjen e një Autoriteti të posaçëm mund të kemi një kontribut për zgjidhjen e këtij problemi?

Jo, parashikimi im është se Autoriteti për aq kohë sa do ekzistojë do të sjellë dëme të pariparueshme në drejtim të dëmtimit të arkivave dhe të bllokimit të konsultimit të tyre. Kjo sepse nga përvoja botërore njihet fakti se nga copëzimet e fondeve arkivore dhe zhvendosja e dokumentacionit arkivo, pasoja sjell gjithnjë dëmtime dhe humbje.

 Po si e vlerësoni punën e Autoritetit?

Nga që dhënat që kam, e vlerësoj si një punë pa drejtim dhe pa synime. Duke qenë se dosjet formulare për personat që jetojnë janë shumë të pakta, Autoriteti synon ta mbulojë këtë boshllëk duke “plaçkitur” dosjet hetimore-gjyqësore nga Arkivi i MPB-së, për ta quajtur punë këtë. Me këtë operacion janë nxjerrë nga njësitë e ruajtjes një numër jo i vogël dosjesh, në thyerje të plotë të legjislacionit të arkivave, i cili përcakton qartë mënyrë e zhvendosjes dhe shfrytëzimit të dosjeve. Autoriteti i ka vënë drynin 10 mijë dosjeve administrative të tri drejtorive të Sigurimit, të cilat janë në masën 99% lirisht të shfrytëzueshme. Po ashtu Autoriteti po bllokon konsultimin normal të atyre pak dosjeve formulare, duke synuar në çdo rast të mbrojë emrat e persekutorëve të komunizmit, në kuadër të gjoja “të dhënave personale”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne