Katari: Heqja e sanksioneve, pastaj dialogu

Ministri i Mbrojtjes së Katarit, Khalid bin Mohammed al-Attiyah, ka kushtëzuar nisjen e një dialogu me shtetet arabe, me heqjen e bllokadës së imponuar nga fqinjët e saj të Gjirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Heqja e bllokadës duhet ti paraprijë nisjes së një dialogu”, deklaroi al-Attiyah në një intervistë për televizionin rus “Russia Today”, pjesë e së cilës u transmetua nga agjencia shtetërore e lajmeve në Katar.

Në intervistën në fjalë, ai ka thënë se “nëse bllokada mbetet në fuqi, atëherë Katari do të kërkojë heqjen e saj përmes procedurave ligjore ndërkombëtare”.

Ministri i Katarit ka përgënjeshtruar zhvendosjen e bazës ushtarake amerikane Al-Udeid.

“Marëdhëniet SHBA-Katar janë të forta”, tha ai, duke mohuar pretendimet se përshpejtimi i zbarkimit të trupave ushtarake turke në Katar, ka të bëjë me parashikimet për një veprim të mundshëm ushtarak kundër Dohas.

“Prania ushtarake e SHBA-ve dhe Turqisë në Katar nuk paraqet asnjë lloj ndjeshmërie”, tha ai për të shtuar se përkeqësimi i situatës ndodhi meqë shtetet e Gjirit u mbështetën në një postim të presidentit amerikan në Twitter.

Ministri Al-Attiyah tha se ato harrojnë faktin se SHBA-të janë një shtet i cili mbështetet në institucionet e veta, siç është Departamenti i Shtetit, i cili qartazi ka mbështetur Katarin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne