Katari: Jemi hakeruar për të lavdëruar rivalët tanë, Iranin dhe Izraelin

Një raport i agjensisë shtetërore të lajmeve të Katarit, i cili kritikonte Arabinë Saudite për nxitjen e tensioneve me Iranin, ka nxitur një reagim të mprehtë nga kombet e Gjirit. Doha ka fajësuar hakera të paidentifikuar se kanë hyrë në faqen e internetit të agjensisë për të botuar lajmin e rremë.

Raporti i dyshuar i rremë në faqen e internetit të Agjensisë së Lajmeve të Katarit (QNA) citonte Sheikun Tamim bin Hamad al-Thani, emirin e Katarit, teksa kritikonte rritjen më të fundit të tensioneve midis Arabisë Saudite dhe Iranit, në një fjalim që mbajti para të diplomuarve të ushtrisë. Emiri thuhet gjithashtu se e quajti Iranin një “fuqi islame” dhe tha se marrëdhëniet e Katarit me Izraelin ishin “të mira”.

Raporti i publikuar të mërkurën tha gjithashtu se emiri foli pozitivisht për organizatën libaneze Hezbollah dhe grupin palestinez Hamas, duke kritikuar presidentin amerikan Donald Tramp dhe duke thënë se ai nuk mund të shërbejë një mandat të plotë.

Vende të tjera të Gjirit i raportuan këto deklarata si të vërteta dhe e qortuan Katarin për to. Autoritetet në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu bllokuan përkohësisht faqen e internetit dhe transmetimet kabllore nga Al Jazeera, kanali global i lajmeve i sponsorizuar nga Katari.

“Katari e ndan pozicionin, anon nga armiqtë e kombit”, shkroi e përditshmja Okaz e Arabisë Saudite.

Ndërkohë, Doha fajësoi hakerat e paidentifikuar për marrjen e kontrollit të QNA-së dhe publikimin e lajmit të rremë. Faqja e internetit ishte e padisponueshme të mërkurën në mëngjes.

“Deklarata e publikuar nuk ka asnjë bazë dhe autoritetet kompetente në shtetin e Katarit do të sigurohet që të gjithë ata që e kanë kryer këtë të mbajnë përgjegjësi,” tha Sheikh Saif Bin Ahmed Al Thani, drejtor i zyrës së komunikimit të qeverisë Katarit në një deklaratë .

Hakerët gjithashtu dyshohet se morën nën kontroll Twitter-in e QNA-së dhe komentet e publikuara për Ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Ministri u citua se kishte urdhëruar largimin e ambasadorëve nga Arabia Saudite, Egjipti, Kuvajti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në përgjigje të komplotimit të tyre kundër Katarit. Ministria e jashtme e vendit ka mohuar që ministri të ketë bërë ndonjë koment të tillë.

Incidenti është veçanërisht i turpshëm, dhe vjen vetëm pak ditë pas një takimi të madh të liderëve arabë dhe presidentit amerikan në kryeqytetin saudit, Rijad, i cili ishte menduar si një shfaqje solidariteti përballë kërcënimeve nga terrorizmi dhe Irani.

Situata kujton një prishje të marrëdhënieve që prej tetë muajsh mes Katarit – që ka lidhje të ngushta me organizatën Vëllazëria Muslimane – dhe Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat e konsiderojnë Vëllazërinë ekstremiste. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne