Katari lobon me botën për të hequr ndalimet e udhëhequra nga Arabia Saudite

Katari ka lobuar me anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër një embargoje të udhëhequr nga sauditët ndaj vendit.

Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani u takua me përfaqësuesit e vendeve anëtare të KS të OKB-së në misionin e Katarit në OKB në Nju Jork të premten, duke u bërë atyre thirrje që të nxisin vendet sanksionuese për të hequr bllokadën dhe për të folur publikisht në mbështetje të vendit të tij, raportoi Al Jazeera.

Arabia Saudite, Bahrejni, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shkëputur lidhjet diplomatike dhe kanë shkurtuar të gjitha kontaktet e tokës, detit dhe ajrit me Katarin që më 5 qershor. Katër vendet akuzuan Katarin për mbështetjen e terrorizmit dhe destabilizimin e rajonit, akuza të mohuara nga Doha.

Vendet më vonë lëshuan një listë kërkesash për Katarin në këmbim të një normalizimi të lidhjeve. Midis tyre ishte që Katari të mbyllte Al Jazeera-n, një rrjet mediash që thuhet se është kritik sidomos për Arabinë Saudite, të mbyllte një bazë ushtarake turke, të kufizonte lidhjet e tij me Iranin dhe të “kompensonte” vendet sanksionuese.

Doha ka refuzuar të përmbushë kërkesat, duke i quajtur ato të paarsyeshme dhe tha se nuk do të negociojë me vendet përveç nëse bllokada është hequr.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite reagoi ndaj refuzimit, duke thënë se kjo nuk ishte hera e parë që Katari refuzonte kërkesat e Rijadit, raportoi gazeta saudite Okaz. Ministria pohoi se Doha kishte “rrezikuar” sigurinë kombëtare saudite dhe se ajo vazhdonte t’i jepte mbështetje “grupeve terroriste”.

Al Thani tha për Al Jazeera se ai u kishte dhënë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “përditësime mbi situatën” dhe u kërkoi “të gjithëve që të bëjnë thirrje për heqjen e bllokadës në Katar”. Katari “po përpiqej të inkurajonte të gjitha palët për të hyrë në një dialog serioz, në përpjekje për t’i dhënë fund kësaj,” tha ai.

Një ditë më parë, ai u takua me homologun e tij amerikan Rex Tillerson.

Tillerson thuhet se premtoi se do të përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së Gjirit Persik.

Diplomati i lartë i Katarit ishte i vendosur të rikthehej së shpejti në Doha, ku “vendi i tij do të vazhdojë të lobojë çështjen e tij me një numër organizatash të ndryshme si Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (OKB), Organizata Ndërkombëtare Detare dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë,” shtoi Al Jazeera. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne