Katari: Netanyahu sfidon drejtësinë dhe rezolutat ndërkombëtare

Katari reagoi ndaj Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu i cili premtoi se nëse rizgjidhet kryeministër do t’i “aneksojë Izraelit” vendbanimet e jashtëligjshme çifute në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit bëhet e ditur se: “Deklaratat e Netanyahut janë një shkelje e të drejtave historike të popullit palestinez dhe sfidë ndaj drejtësisë dhe rezolutave ndërkombëtare”.

Gjithashtu nënvizohet se “refuzohen tërësisht” deklaratat e Kryeministrit izraelit dhe i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të ndalojë politikën e qeverisë izraelite në lidhje me vendbanimet e saj në tokat palestineze.

Në deklaratë nënvizohet qëndrimi i patundur i Katarit në kauzën palestineze dhe çështjen e të drejtave të popullit palestinez dhe ndër këto të drejta është edhe krijimi i shteteve të pavarura me kryeqytet Jerusalemin në kufijtë e 1967-s.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu bëri të ditur se në qoftë se rizgjidhet, do t’i “aneksojë Izraelit” vendbanimet e paligjshme çifute në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e mban të pushtuar.

Në Bregun Perëndimor, që ndodhet i pushtuar nga Izraeli prej vitit 1967 e këtej, janë ndërtuar rreth 250 vendbanime të jashtëligjshme çifute, në të cilat jetojnë mbi 400 mijë kolonë hebrenj.

Sipas ligjit ndërkombëtar të gjitha vendbanimet e ndërtuara në territoret e pushtuara konsiderohen të jashtëligjshme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne