Katër makthet e frontit Berisha-Meta-Llalla pas mjegullës ‘Tahiri’, Llalla raporton tek Meta për zbatimin e skenarit

Precedentët që nxjerrin zbuluar prokurorinë në lojën e pistë politike të PD dhe LSI

Fronti i madh anti-Veting dhe anti-Perëndim, me në krye Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Sali Berishën, Lulzim Bashën, Adriatik Llallën, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, shoqatat e gjyqtarëve, segmente të prokurorisë, mafien e tokave etj., është investuar në orkestrimin e një sulmi, duke goditur ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, një nga kundërshtarët më të përbetuar të këtij fronit të së keqes, por edhe një nga pikat më të forta politike dhe elektorale të socialistëve. Sulmi nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje mbrojtëse për atë çka do t’i ndodhë këtij fronti në ditë në vijim. Arsyet e frikës së madhe janë të thjeshta.

  1. Mospranimi i rezultateve të para të Vetingut, ku sipas burimeve të konfirmuara do të përjashtohen ushtarët e Ilir Metës dhe Sali Berisha nga sistemi i drejtësisë si të paaftë profesionalisht dhe me pasuri të pajustifikuar. Ekspertët amerikanë kanë mbledhur prova në Shqipëri dhe jashtë vendit kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Provat janë dorëzuar në organet e Vetingut, ku spastrimet e para janë çështje ditësh. Krahas provave, ekspertët kanë gati një numër të madh dëshmitarësh që do të rrëfejnë aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këta duhet të kthejnë mbrapsht paratë e korrupsionit. Duhet të rrëfejnë lidhjet me frontin ose do të kalojnë në duart e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën veprimin e ligjit të ri anti-mafia. Kontrolli, kapja dhe përdorimi i drejtësisë si kamxhik politik, ka qenë garancia e vetme e ekzistencës së dyshes Berisha-Meta në politikë. Kjo ekzistencë tashmë po tronditet.
  1. Synimi i dytë që fshihet pas tymnajës kundër Saimir Tahirit ka të bëjë me goditjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme ende pa u ngritur. Nëse Vetingu do të heqë drejtësinë në duart e Metës dhe Berishës, Byroja e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme kanë për detyrë të shembin murin e madh të korrupsionit dhe të krimit politik. Vetë fronti është emblema e korrupsionit në Shqipëri. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duhet të justifikojë llogaritë bankare, vilat në Bllok dhe në Gjirin e Lalzit, në një kohë kur si para të ligjshme kanë vetëm dy rroga. Që tani, PD dhe LSI kanë nisur sulmet ndaj Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme, duke përdorur vendimin e socialistëve për të mos lejuar arrestimin e Tahirit.
  1. Qëllimi i tretë ka të bëjë me gjetjen e një alibie për bashkimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Disa orë pasi prokuroria, me urdhër politik kërkoi arrestimin e Tahirit, Monika Kryemadhi shkoi në zyrën e Lulzim Bashës, duke zyrtarizuan aleancën. Kjo aleancë do të tentojë të rrëmbejë sa më shumë bashki në zgjedhjet e ardhshme lokale, me synim për të marrë pushtetin në zgjedhjet e 2021. Në fushatën për zgjedhjet parlamentare u shanë dhe u pështynë, ndërsa katër muaj më vonë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u përqafuan. Në fakt është thjeshtë një konfirmim i aleancës së vjetër me Ilir Metës dhe Sali Berishës, aleancë që vijon prej 27 vitesh, për të sunduar dhe vjedhur shqiptarët. Bashkimi i PD dhe LSI, përveç urisë për të vjedhur dhe pushtetit, është edhe një bashkim për shkak të frikës nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme.
  1. Së katërti, telenovela e ditëve të fundit synon justifikimin dhe ngushëllimin e frontit nga humbja e tmerrshme në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku shqiptarët vendosën që Ilir Metën dhe Sali Berishën t’i mbanin larg parave publike. Fronti po mohon urrejtjen e frikshme të shumicës së shqiptarëve ndaj tij, për shkak të plaçkitjeve, degradimit të gjithanshëm të shtetit dhe kundërvënies së Perëndimit për zbatimin e reformës në drejtësi. Në të njëjtën kohë, duke u rrotulluar rreth drogës, fronti ka nisur të justifikojë një humbje të pritshme në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Si instrument të fundit kundër Saimir Tahirit dhe reformës në drejtësi, Sali Berisha dhe Ilir Meta po përdorin Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është nën influencat e Adriatik Llallës, kryeprokurorit më të paaftë që pas rënies së regjimit komunist. Adriatik Llalla është i vetmi kryeprokuror shqiptar, i cili nuk lejohet të shkelë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me stafin e tij të ngushtë, Adriatik Llalla është shpallur non grata nga amerikanët, jo vetëm për shkak të rreshtimit kundër Reformës në Drejtësi, por edhe për shkak të lëvizjeve për t’u larguar bashkë me familjen jashtë vendit për shkak të zbatimit të reformës në drejtësi. Pas kërkesës për arrestimin e Saimir Tahirit, me prova të publikuara nga qytetari dixhital i Berishës, Adriatik Llalla mësohet se ka raportuar tek Meta për vijimin e skenarit kundër Tahirit.

Ekzistojnë disa precedentë që konfirmojnë paaftësinë e prokurorisë për të kryer detyrën dhe implikimin e saj në lojërat politike të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Të gjitha arrestimet e bujshme të prokurorisë, me prapavijë apo jo politike, janë hedhur poshtë nga gjykata për mungesë provash, argumentesh dhe rrethanash. Kur Tom Doshi akuzoi Ilir Metën për planifikim dhe organizim vrasjes së tij, prokuroria nuk kërkoi arrestimin e Ilir Metës, por arrestimin e Tom Doshit. Arrestimi i Doshit u hodh poshtë më pas nga gjykata. Ndërsa Gjykata e Lartë i hoqi edhe masën e arrestit shtëpiak. Gjykata e Lartë konfirmoi se arrestimi kishte qenë i pajustifikuar, vetëm teatër për publikun. Gjykata ka hedhur poshtë si të paligjshëm edhe arrestimin nga ana e prokurorisë së ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Për të krijuar nja alibi se është e paanshme, prokuroria ka bërë edhe arrestime të tjera, jo në interes të Metës dhe Berishës. Për shkak të paaftësisë ulëritëse të prokurorisë, gjykata shfryu edhe arrestimin e bujshëm të Ardian Fullanit. Gjykata rrëzoi prokurorinë edhe për arrestimin e Xhelal Mziut për shpërdorim detyre. Gjykata ka rrëzuar Prokurorinë edhe në rastin e Armando Prengës, duke e nxjerrë nga burgu dhe gjykuar në gjendje të lirë. Në asnjërin nga rastet, gjykata nuk e ka pranuar pretendimin e prokurorisë së personat kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, prishin provat dhe se mund të arratisen. Çfarë serioziteti, besueshmërie dhe autoriteti profesional ka kjo prokurori, kur në të gjitha rastet e arrestimeve, ku është përfshirë politika, gjykata e ka hedhur poshtë?!/Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne