Katër zhvillime kryesore në arenën siriane konfirmojnë fundin e afërt të krizës

Më e dukshmja e tyre është pamja e autobusëve të gjelbër në Rakka dhe rimarrja e qytetit El-Mejadin. Çfarë do të thotë dënimi i inkursionit turk në Idlib nga ana e autoriteteve dhe kërkimi i tërheqjes së menjëhershme të trupave? Ç’lidhje kanë këto me reagimin kurd ndaj nismës së autonomisë?

Abdul-Bari Atuan

Siria po ndryshon… Siria po shërohet… Siria po del nga gryka e shishes… dhe filloi të kurojë plagët pas shtatë viteve të vështira dhe të dhimbshme. Numratori i vdekjes dhe i shkatërrimit atje ka filluar të gogësijë dhe është gati në të ndaluar. Disa të shpërngulur janë kthyer në qytetet dhe fshatrat e tyre, ose si vizitorë, ose për të rinovuar shtëpitë, ngritjen e strehës së mbijetesës mbi rrënojat e saj për t’i shpëtuar “ftohtësisë” së emigracionit dhe vuajtjes së tij, padrejtësisë së të afërmve dhe ndonjëherë edhe ofendimeve të tyre.

Katër zhvillime kryesore kanë ndodhur në arenën siriane gjatë pak ditëve të fundit. Ato mund të përcaktojnë tiparet e këtij rikuperimi dhe të imazhit të mundshëm të “Sirisë së re”, e cila do të dalë nga rrënojat e luftës dhe të derdhjes së gjakut të pastër e të pafajshëm:

Së pari: Rimarrja nga ana e ushtrisë arabe siriane të qytetit El-Mejadin me ndihmën e aleatëve rusë dhe luftëtarëve të “Hezbollahut”, bastioni i fundit më i shquar i “Shtetit Islamik” apo “ISIS”-it në provincën Deir el-Zour, duke mos i lënë kështu atij asnjë terren në lindje përveç qytetit Abu Kamal në kufi me Irakun.

Së dyti: Dalja nga qyteti Rakka e shumicës së terroristëve sirianë të “ISIS”-it nëpër autobusë të gjelbër për në pozicionin e fundit të “shtetit” të tyre në lindje të Eufratit pas një ndërmjetësimi të disa udhëheqësve lokalë për të shpëtuar gjakrat, duke mos mbetur në qytetin të cilin e sulmuan Forcat Demokratike të Sirisë (SDF) vetëm se disa xhepa në të cilat janë përqendruar luftëtarët e huaj që janë përjashtuar nga marrëveshja dhe që duan të luftojnë deri në vdekje, pasi të gjitha opsionet e tjera u mbyllën për ta.

Së treti: Reagimi i administratës kurde në rajonet veri-lindore të Sirisë ndaj iniciativës së parashtruar nga z. Velid al-Mual’lim, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm i Sirisë, pak ditë më parë gjatë vizitës së tij në Moskë, e cila përfshin një ofertë për të negociuar krijimin e një autonomie brenda kornizës së shtetit sirian, pas eliminimit të organizatës “ISIS”.

Së katërti: Kërkesa e autoriteteve siriane ndaj homologëve të tyre turq për tërheqjen e të gjitha trupave të tyre nga provinca Idlib, që do të thotë se ata kurrë nuk do të pranojnë prezencën e trupave të huaja në territorin e tyre. Kjo iniciativë zyrtare siriane dhe reagimi pozitiv kurd ndaj saj pasqyrojnë kristalizimin e tipareve të Sirisë së ardhshme, Sirisë së re, themelet e së cilës ngrihen mbi bazat e pluralizmit politik dhe etnik në kuadër të parimit të partneritetit dhe bashkëjetesës, si dhe miratimin e zgjidhjes politike dhe dialogut si të vetmen zgjidhje të krizës për të arritur demokracinë e vërtetë, në kërkim të së cilës është populli sirian me të gjitha orientimet e tij të ndryshme.

Kur autoritetet siriane kërkojnë tërheqjen e trupave turke nga provinca Idlib, pas disa ditësh heshtjeje për të cilën disa njerëz menduan se ishte argument miratimi, kjo do të thotë se këto autoritete ndjehen të sigurt në vetvete dhe në aftësitë e tyre ushtarake më shumë se kurrë dhe se nuk do të pranojnë prezencën e trupave të huaja në territorin e tyre pa leje, gjithashtu tregon se ato ndjehen dyshues ndaj qëllimeve turke, veçanërisht kur këto forca në të shkuarën kanë hyrë – madje pa asnjë të shtënë plumbi – në mirëkuptim dhe koordinim me forcat e “Komitetit Tahrir al-Sham” apo “Nusra”-s, të klasifikuara në listën e terrorizmit.

Ky rikuperim i shpejtë mbi platformën e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë dhe rivendosja e sovranitetit mbi pjesë të ndryshme të vendit nga ana e ushtrisë siriane, në mënyrë të pashmangshme do të hedhë themelet e pajtimit kombëtar dhe të fillimit të procesit të rindërtimit në të dyja dimensionet: si në dimensionin njerëzor ashtu edhe në atë material.

Populli sirian, apo pjesa më e madhe e tij, i kuptoi mësimet e nxjerra nga përvoja e shtatë viteve të fundit, më së shumti vetëdijen rreth projektit shkatërrues amerikan për vendin e tij, si dhe shfrytëzimin e tij – apo të disave nga bijtë e tij – si mjet për realizimin e këtij projekti.

Solidariteti i popullit sirian – apo i shumicës së tij dërrmuese – me ekipin e vendit të tyre, i cili shkëlqeu në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në futboll, pavarësisht kushteve të vështira dhe lojës jashtë vendit larg tifozëve të tij vendas, ndryshe nga ekipet e tjera; ky solidaritet ka një domethënie simbolike për ta dhe na siguron edhe një herë se ky popull madhështor sirian, pronar i trashëgimisë kulturore gjigante, e meriton të jetojë një jetë dinjitoze në tokën e vendit të tij, është i aftë dhe është në gjendje për t’u rimëkëmbur sërish dhe në një kohë rekord.

Po, Siria po shërohet… Po, Siria po ndryshon… Po, pjesa më e madhe e komplotit po shkërmoqet mbi platformën e qëndresës…, faktet në terren janë të qarta e të dukshme dhe nuk gënjejnë.

*Analizë e publikuar më datë 14.10.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne