Pas deklarates se Lul Bashes se Edi Rama po sjell banda katolikesh ne pushtet ne Shqiperi, katoliku Frank Shkreli nga Amerika i versulet me egersi Lulzim Bashes per te mbrojtur politikat katolike te Edi Rames. Ja reagimi i tij fetar:

Frank Shkreli/ Lulzim Basha: fajin e kanë “Katolikët e Veriut”!
Para se të filloj, dua të rrëfej se kjo është një temë për të cilën nuk deshta të shkruaj, por është aq e rëndësishme sa që ndërgjegjia nuk më lejon të heshtë. Po i shkruaj këto fjalë me zemër të thyer. Siç mund ta dijë lexuesi i rregullt, shkrimet e mia modeste kanë qenë gjithmonë dhe janë, në themel, të një fryme pajtimi, jo vetëm midis feve por edhe në favor të pajtimit shoqëror në përgjithsi, madje edhe faktorit politik shqiptar.n Edhe ky shkrim modest është në të njëjtën frymë, në një frymë pajtimi e vëllazrimi midis shqiptarëve, sepse tjetër rrugë nuk ka.

Fjala është për një intervistë që Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Z. Lulzim Basha i ka dhënë gazetës austriake, Der Standard, të ribotuar në gazetën Bota Sot. Njërës prej pyetjeve se, “Çfarë ju shqetëson juve më së tepërmi?”, Z. Basha i përgjigjet, ndër të tjera, duke thënë se, “95 për qind e personave me origjinë kriminale që qëndrojnë në parlament dhe 70 për qind në komuna, janë katolikë nga veriu i Shqipërisë.”

Sipas intervistës të ribotuar sot në të përditshëm BOTA SOT, Kryetari i Partisë Demokratike – me dashje ose pa dashje — duket se me këtë deklaratë të papërgjegjshme, si njëri prej dy udhëheqësve kryesorë të vendit – Edi Rama dhe Lulzim Basha — që po kacafyten me njëri tjetrin për jetë a për vdekje politike, do që të fajin t’ia hedhë dikujt tjetër për problemet e tyre dhe të vendit. Sipas të gjitha vlerësimeve të mbrendshme dhe të jashtme, dy partitë kryesore socialistët dhe demokratët, e kanë futur vendin në një rrugë të pa-parashikueshme politike, madje sipas disave, në prak të humnerës. Në kundërshtim me deklaratën e Z. Basha, nuk besoj se mund të bindet kush – as mbrenda dhe as jashtë vendit — se janë katolikët e veriut ata që janë fajtorë për krizën aktuale politike dhe ekonomike dhe të krimit në vend dhe as për kanabisin. Në këtë vështrim, deklarata e Z. Basha nuk ndihmon por shpresojmë që të mos përshkallëzojë krizën — pa nevojë — në një nivel të rrezikshëm për vendin, duke i shtuar atmosferës acaruese politike edhe elementin fetar e krahinor. Absolutisht e papërgjegjëshme për cilindo udhëheqës që pretendon të jetë ose të bëhet udhëheqës dhe të qeverisi të gjithë shqiptarët!

Reklama
Fatkeqsisht, kjo deklaratë e Z. Basha, qoftë bërë me qëllim ose pa u menduar mirë në nervozitetin e momentit, na sjellë në mend ditë më të zeza të pas Luftës së Dytë Botërore dhe të regjimit komunist, kur katolikët dhe Kisha Katolike akuzoheshin si forca “obskurantiste”, antishqiptare, që duheshin eliminuar për dëmet që i kishin sjellur Shqipërisë. Dihet se si e pësuan ata. Ama një gjë është e sigurt për Z. Basha dhe për të gjithë shqiptarët, se klerikët dhe katolikët e asaj gjenerate nuk ishin “llumi i veriut”, siç i quan Z. Basha në intervistën e tij “katolikët e veriut” sot, që sipas tij janë burim i krimeve në vend – por klerikët e vrarë dhe të persekutuarit nga regjimi komunist ishin përfaqësuesit më të denjë dhe nderi i kombit, jo vetëm në fushën fetare por edhe në fushën e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare.

Unë nuk e di nëse shifrat që citon Z. Basha janë të vërteta ose jo, por edhe po të ishin të vërteta statistikat e tija, nuk është e këshillueshme për një politikan të përgjegjshëm që të fajësojë një grup të veçantë fetar, ose krahinor në këtë mënyrë – duke i akuzuar ata për krime dhe për të gjitha të zezat që kanë pllakosur sot Shqipërinë. Krimi nuk njeh as politikë, as fe, as krahinë, të nderuar politikanë shqiptarë. Kjo deklaratë, nqëoftse është bërë me qëllim të keq, fatkeqësisht, të kujton një periudhë tjetër të hidhët, të historisë së Shqipërisë.

Kjo deklaratë nënkupton se sipas Z. Basha, “problemi kanabis” dhe të gjitha pasojat që rrjedhin nga ky problem dhe që prekin zhvillimet politike të brendshme e të jashtme me të cilat përballet sot Shqipëria, na qenka një problem i shkaktuar prej “katolikëve veriut” të vendit dhe jo i kësaj klase politike që ka (keq) qeverisur vendin për më shumë se një çerek shekulli. Duhet theksuar se, mbi të gjithë, fajtorë për këtë situatë të krijuar, në një mënyrë ose në një tjetër, janë të gjitha gjitha palët politike pa përjashtim të cilat kanë qeverisur Shqipërinë për gjysmë shekulli tani. Janë qeveritë e dy partive kryesore ato që kanë kontrolluar policinë, ushtrinë dhe çdo gjë tjetër në vend, përfshirë edhe krimin, dhe jo katolikët e veriut si entitet. Absolutisht se në radhë me të tjerë shqiptarë, ka katolikë në radhët e kriminilëve në Shqipëri dhe jashtë, por nuk besoj se vetëm katolikët e veriut, mund dhe duhet të veçohen si kryekriminelët e vendit, dhe të pretendohet se 10% e popullësisë kontrollojnë kanabisin dhe gjitha krimet e Shqipërisë.

Në vend të këtyre statistikave që citon Z. Basha, politikanët shqiptarë, në vend të statistikave të cituara, duhet tu referohen statistikave të shpërnguljes së shqiptarëve që po zbrazin vendin, pikërisht si rrjedhim i politikave të dy partive kryesore, përfshirë sidomos mërgimin e katolikëve të veriut. Me një vizitë në ato troje, çdo kush mund ta vlerësoj shpejtë gjëndjen e mjerueshme të atyre zonave. Për këtë duhet të marrin përgjegjësinë politikanët shqiptarë. Po për këtë nuk qenka përgjegjëse politika shqiptare dhe udhëheqsit e saj?! Jo, për problemet e vendit sot na qenkan fajtorë “katolikët nga veriu i Shqipërisë”, që sipas të gjitha të dhënave zyrtare e jo zyrtare, janë shtresa dhe zona më e varfër dhe më me pak influencë politike dhe ekonomike në vend.

Ja edhe dy pyetjet dhe për përgjigjet e Z. Basha në lidhje me këtë temë, marrë nga BOTA SOT, të intervistës së tij me gazetën austriake, Der Standard:

“Standard: Çfarë ju shqetëson juve më së tepërmi?

Basha: Lidhja midis krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në parlament, në karriget e kryetarëve të komunave dhe në drejtimin e shumë institucioneve publike qëndrojnë persona që kurrë nuk kanë qenë në politikë. Çfarë ata i bashkon është vetëm kontrabanda me drogë dhe armë, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore dhe vrasjet. Një pjesë e tyre kanë qëndruar edhe në burgjet evropiane. 95 për qind e personave me origjinë kriminale që qëndrojnë në parlament dhe 70 për qind në komuna janë katolikë nga veriu i Shqipërisë.

Standard: Çfarë ka të bëjë kjo me politikën?

Basha: Katolikët e veriut kanë qenë bastioni ynë. Pra zoti Rama ka rekrutuar llumin e veriut për të shkatërruar bastionin tonë. Ata janë të fuqishëm dhe kanë emëruar drejtorë policie dhe taksambledhësit. Në 2016 Shqipëria u këthye në plantazh kanabisi.”

Krimi i çfardo lloji a forme qoftë, i nderuar Z. Basha nuk njeh parti, fe as krahinë. Problemi ka qenë dhe është politika e këtye pothuaj tre dekadave të fundit. Pajtohuni dhe bashkpunoni me njëri tjetrin për të mirën e gjithë shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore. Luftoni krimin e vërtetë, e jo “katolikët e veriut”.

Frank Shkreli

82