Pa u mbyllur ende ajo zhurma e madhe dhe lebetitëse për Skënderbeun, ka mjaftuar një ngjarje lokale në Vermosh, në pikën më kulmore të kufirit “londinez” që të rihapeshin petët e lakrorit gjithë yndyrë e lakra pafund të përçarjes mes shqiptarëve.

Bëhet fjalë pikërisht për ngjarjen në lidhje me kullën e Prek Calit, ku nuk ka mundur të rrijë dhe të buçasë me “argumentet” e tij, namëmadhi Agron Gjekmarkaj, i cili si duket kërkon të mbajë një flamur në lapsin e tij, i cili është realisht i mbushur me helm.

Edhe këtu që  nuk ka lidhje fare, Gjekmarkaj fut myslimanët. Por nuk ka vonuar përgjigja e Auron Tares, studiuesit të njohur të Trashëgimisë Kulturore, i cili e godet fort gjuhën përçarëse të Gjekmarkajt.

Por për lexuesit që nuk e kanë ndjekur këtë çështjen e kullës së Prekë Calit, çfarë ka ndodhur që prej ditësh po gëlon një zhurmë që rrëshqiti edhe në islamofobi pa pasur aspak as vend e as nevojë.

Në Vermosh, ekziston kulla e vjetër e Prek Calit, një figurë e njohur dhe me nam të madh si pasojë e përpjekjes së tij për të ruajtur kufirin e Shqipërisë gjatë kohës kur Komisioni Ndërshtetëror i Kufijve të Mëdha po bënte piketimin.

Prekë Cali u vra nga komunistët në vitin 1945, pas një ekspedite të ashpër dhe mjaft të përgjakshme që pati viktima nga të dy palët, por që pasoi me një terror të vërtetë shtetëror të forcave të udhëhequra nga Mehmet Shehu ndaj malësorëve.

Një nismë e disa banorëve nga Vemoshi kanë ndërmarrë që të ndërtojnë Kullën e Prekë Calit nga e para, duke e bërë me beton dhe gurë të rinj.

Bashkia e Malësisë së Madhe e cilësoi këtë ndërtim pa leje dhe e prishi. Një familjar i Prekë Calit foli dhe tha që do të ishte më mirë që të rindërtohej Kulla e Vjetër, pasi ajo është monument i vërtetë.

Ishte PD e para që tentoi të krijojë një casus politik, duke akuzuar Edi Ramën se po rikthen fantazmat e komunizmit. Foli edhe Berisha. U përgjigj Rama që e mohoi por megjithatë debati nuk u shua.

Por Agron Gjekmarkaj, nuk u mjaftua fare me këtë.

Ai përveshi llërët dhe kërkoi fajtorët tek myslimanët që si një shabanqose i ditëve tona nuk rri pa u ngacmuar.

Ja ç’shkruan Gjekmarkaj:

“Lufta e klasave kishte nevojë për kundërvënie krahinore, për çirakë që lubrifikonin këtë mekanizëm. Mes zgjedhjesh epike për bashkohësinë e sotme pothuaj të pakuptueshme dhe të paimitueshme ka lindur dhe është rritur Prek Cali. Pasi ka zgjedhur, i është dashur të ndeshet me turqit e Anadollit dhe “turqit” e Shqipërisë që nuk shkëputeshin dot nga baba, me serbët e malazezët, me shqiptarët e blerë prej tyre për lirinë e për kufijtë. Në vitin 1913, kjo përpjekje arrin zenitin e vet, por jo fundi”

Por natyrisht, Gjekmarkaj nuk ndalet me kaq.

Duke replikuar me Dritan Hilën, i cili jepte para disa ditësh një version historik, sipas tij, të ngjarjes e këshillon duke cituar një zyrtar komunist i njohur si njeri i UDB-së dhe rrëshqet në përçarje fetare. Ja ç’shkruan Gjekmarkaj sërish:

Dritan Hila me ndershmërinë intelektuale që në përgjithësi nuk i mungon, do të bënte mirë të lexonte kujtimet e Pandi Kristos, kur thotë se “lleshrat e prengerat i kemi qëlluar veç se quheshin kështu, veç se ishin katolikë”. Në Shkodrën e çliruar nuk po vendosej autoriteti i shtetit, por i termidorit të kuq i një terrori të panjohur më parë pa asnjë kriter arsyeje, të paushtruar as nga turqit, as nga malazezët. Po vritej pa gjyq elita, kleri, shkrimtarët, tregtarët, nëpunësit. Po ndodhte vetë apokalipsi. Shqipëria ishte çliruar prej javësh dhe veriu konsiderohej i pushtuar nga ‘reaksionarët’”.

Por nuk ka vonuar replika e Auron Tares, i cili ka fshikulluar fort përpjekjen e përçarjes fetare, duke e cilësuar si mjaft të rrezikshme.

Auron Tare në fillim të shkrimit fton studiuesit që të debatojnë për kullën dhe statusin e saj në mënyrë që debate të jetë sa më i arsyeshëm, dhe këtë këtë i referohet një shkrimi nga Arben Çokaj, por më pas vazhdon:

“Këto dy tre ditë kam lexuar zërat e patriotëve të zakonshëm mediatikë që për kapital politik apo arsye të tjera me një shpejtësi të habitshme vrapojnë ti hedhin benzinë në zjarrin e një debati totalisht të pa kuptimtë. Duke vrapur të nxjerrrin gjoksin në vijën e parë të paradës patriotike shumë nga këta personazhe kur kishin mundësi apo ishin në pozita shtetërore as që e kishin dëgjuar ndonjëhere emrin e Prekë Calit. Sot lexova një nga këta patriotë (të leshit) që vikaste nga “kulla” e tij mediatike se Prekës së shkretë ja prishën shtepinë se ishte katolik. Një marrëzi sigurisht, por edhe një ligesi e cila është mjaft e rrezikshme në kontekstin e kohëve të fundit ku ka një tendencë të dukshme të disa personazheve për një përçarje fetare mes shqiptarësh. Dhe imagjinoni se ky patrioti i (leshit) ka qenë nje ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës, i cili kishte në dorë çdo gjë për ta rregulluar Kullën e Prekës nëse me të vërtetë i dhimbte shpirti për këtë malësor të shquar në krahinen e tij. Vikatjes së përçarjes politike dhe krahinore sigurish i shtohen edhe zërat e zakonshëm nga Parlamenti të cilët kanë kontribuar prej vitesh që shoqëria shqiptare të jetë e fragmentarizuar për ta pasur më lehtë në kontroll. Ku ishin këta vikatës këto 27 vjet që ja lanë Kullën Prekës që ti rrëzohej nga koha dhe harresa? Nëse me të vërtetë ju ka pas dhimbs ky burrë i malsisë tja kishin rregullu Kullën para se të rregullonin Kullën e tyre pasi Kulla e Prekës ka qenë një simboll i mbrojtjes së kufinjve tëveriut dhe jo simbol i bashkëpunimit me armiqtë e Prekës”.

Dhe në fakt argumenti i Tares, por edhe i atyre që i referohen ngjarjes është mjaft i arsyeshëm sesa endja nëpër skutat e errëta të përplasjes dhe konfliktit. Po xhanëm, duket se ata që e kërkojnë këtë konflikt, duhet ta dijnë se të paktën po ndezin një fitil të dëmshëm, ani se edhe mund të fiket rrugës…/tesheshi

179