Ke humbur dikë që e doje? Të ftoj ta lexosh këtë material dhe të ndihesh më mirë…

Beteja më e madhe me të cilën do të përballesh ndonjëherë, është vdekja.

Harroji problemet e tjera që mund të jesh duke kaluar. Sado të rënda të jenë ato, në fund do ta gjejnë një zgjidhje. Dhe nëse nuk e gjejnë, do të mësojnë të mos bësh sërish të njëjtin gabim.

E vetmja gjë, për të cilën nuk mund të bësh dot asgjë, është vdekja. Përpara saj, të gjithë ne jemi të dobët.

Vdekja nuk mund të zhbëhet. Nuk ka përpjekje që të kthejnë sërish në jetë dikë që tashmë e ke humbur.

Por çfarë ndodh me ne, ndërsa përballemi me armiken më të fortë të jetës? Pasi humbasim dikë që e duam shumë, mendojmë se nuk mund t’ia dalim dot mbanë, ama ia dalim. Mendojmë se nuk do të mund të jetojmë dot pa atë person, ama jetojmë. Mendojmë se nuk do të ecim dot më përpara, sepse fuqitë na kanë shteruar, ama forcohemi dhe fillojmë të ecim sërish përpara. Mendojmë se nuk kemi asnjë arsye të jetojmë më tej, ama ditët kalojnë dhe ne hedhim njërin hap pas tjetrit dhe vazhdojmë të marrim frymë.

Thuhet se koha shëron gjithçka. Unë them se koha shëron ato që mundet t’i shërojë. Koha nuk mund t’i zbehë kujtimet. Koha nuk mund ta largojë nga mendja tingullin e zërin të personit që doje. Koha nuk e ndal dot dhimbjen. Ajo as që të forcon, pavarësisht se thuhet se pas çdo vështirësie, kalimi i kohës të forcon. Unë nuk mendoj kështu. Gjithçka që koha bën, është të të mësojë me mungesën e personit që doje. Ajo të mëson me mallin dhe vetminë që ndjen. Ti thjesht përshtatesh me mungesën. Ashtu si një fëmijë i mësuar përditë me diçka që e bën zakon, ashtu edhe ne mësojmë të jetojmë pa atë që duam.

Por dhimbja është aty, sa herë ne kujtojmë ngjarjet e bukura të kaluara me të. Dhimbja është aty sa herë kujtojmë zërin e atij personi. Dhimbja është aty sa herë shfletojmë fotografitë në albume dhe malli na kaplon. Përpara kësaj dhimbjeje koha dorëzohet…

Por ne mësohemi dhe fillojmë t’i hedhim hapat njërin pas tjetrit, jo sepse kemi dëshirë të madhe për të jetuar, por sepse teksa shohim ata që na duan dhe kanë nevojë për ne, ndiejmë një detyrë të madhe brenda vetes për të jetuar edhe për ta. Ne kuptojmë se jeta nuk mbaron me aq. Përkundrazi, jeta e vërtetë nis pikërisht në dhimbje kaq të forta, sepse aty kuptojmë se duhet të jetojmë jo vetëm për veten, por edhe për atë person që e donim dhe u largua nga kjo jetë. Me siguri ai/ajo nuk do të na shohë nga lart duke mos jetuar, por do të na shohë të fortë. Në dhimbje duhet të gjejmë fuqinë për të ecur përpara. Duket dhe është e vështirë, por duhet bërë… /

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne