Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë përmes një kumtese ka informuar oipinionin se është formuar një Komision nga persona kompetentë për t’i inspektuar rrethanat lidhur me restaurimin e xhamisë Ali Pasha në Ohër.

“Grupi punues ka ardhur në konkludim se Ministria e Kulturës nuk ka bazë për të ndërprerë punimet, por inkurajon institucionet kompetente që të veprojnë nëse kanë indicie për shkelje të procedurave ligjore. Grupi i punës rekomandon, ndërsa Ministria do të parashtrojë një kërkesë në UNESCO për të marrë një mendim profesional, nëse rikonstruksioni i objektit me dimensione të tilla është në përputhje me standardet për mbrojtjen e qytetit”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Ministria e Kulturës nga ana e saj thotë se nuk është kundër restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu edhe objektet fetare, por duan kjo të bëhet në përputhje me me të gjitha dispozitat dhe procedurat ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e objekteve me rëndësi historike.

“Duam të rikujtojmë se liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutën e Maqedonisë, ndërkaq mbrojtja e trashëgimisë kulture, përfshirë edhe objektet historiko-fetare, pa marrë parasysh se cilit religjion i përket”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Rikujtojmë se ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski në dhjetor të vitit të kaluar, pas një takimi me drejtorët e institucioneve kulturore në Ohër tha se do të ndërpritet procedura për restaurimin e xhamisë pesëshekullore në Ohër.

Restaurimi i xhamisë Ali Pasha financohet i tëri nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfit të Turqisë, (Genel Vakiflar Müdürlüğlü).


36