Këto gra sigurojnë bursa për studentët nga të ardhurat që fitojnë nga byreku

Drejtueset e një shoqate bamirëse në Kırşehir të Turqisë, shumica e të cilave janë mësuese të pensionuara, u mundësojnë bursa studimi 60 studentëve nga të ardhurat që i sigurojnë nga byreku dhe mantitë që përgatisin gjatë tërë vitit.

Nëntë gra nga mosha 40 deri në 75 vjeçare, prej të cilave pesë mësuese të pensionuara, si dhe stomatologe, mësimdhënëse dhe amvise, u mundësojnë bursa studimi studentëve përmes të ardhurave që sigurojnë nga byreku dhe mantitë që përgatisin. Po ashtu, për t’u siguruar bursë studentëve dhe për promovimin e vlerave kulturore të qytetit, këto gra marrin pjesë edhe në panaire.

Nurten Büyüksaraçoğlu, drejtuesja e degës së Shoqatës së Bamirësve në Kırşehir, thotë se prej 19 vitesh drejton degën e shoqatës dhe se së bashku gatuajnë byrek dhe manti, të cilat i shesin në treg.

“Me të ardhurat që fitojmë nga këto, 60 studentëve u japim bursa. Qoftë edhe në masë të vogël, ne përpiqemi të kontribuojmë në arsim. Bursat tona vazhdojnë prej vitesh”, thotë Büyüksaraçoğlu, duke kërkuar edhe mbështetjen e popullatës në këtë punë.

“Ne kërkojmë që edhe popullata të na ndihmojë. Përpiqemi të jemi pranë atyre që kanë nevojë. Si pjesë e aktiviteteve të shoqatës sonë është edhe promovimi i kulturës së Kırşehirit”, shprehet Büyüksaraçoğlu.

Ndërkohë, 75 vjeçarja Ismet Karagüllü tha se së bashku me shoqet e shoqatës përpiqen të kontribuojnë për studentët. Teksa bëjnë këtë gjë, ajo thotë se ndiejnë kënaqësi.

“Në muajin e Ramazanit, jemi këtu nga mëngjesi deri në mbrëmje. Bëjmë manti. Këtë gjë e bëjmë me kënaqësi. Është kënaqësi e madhe për ne madje edhe sikur të ndihmojmë vetëm një student. Bëjmë shitje duke marrë pjesë në panaire të ndryshme”, shtoi Karagüllü.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne